Ministria e Mjedisit Ifti Masat ndaj furrave te gelqereve do te vazhdojne

Ministria e Mjedisit, Ifti: Masat ndaj furrave te gelqereve do te vazhdojne

Ministria e Mjedisit të Shqipërisë dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri kanë organizuar sot një tryezë bisedimesh mbi “Menaxhimin e cilësisë së ajrit”. Në fjalën e saj, Zv.ministrja e Mjedisit Olijana Ifti ka deklaruar se pavarësisht progresit për menaxhimin e cilësisë së ajrit, ndotja e ajrit mbetet ende problem. “Kemi tashmë strategjinë kombëtare dhe ligjin e ri për mbrojtjen e ajrit, i cili është plotësisht i përafruar me direktivën bazë të Bashkimit Evropian. Duke prioritarizuar drejtimet kryesore të politikave në Ministrinë e Mjedisit, mbrojtja dhe cilësia e ajrit padyshim që përbën një nga drejtimet kryesore. Nëse do të kërkonim një paraqitje të situatës aktuale mbi cilësinë e ajrit urban përgjigjja do të gjendej tek çdo qytetar. Smogu dhe pluhuri janë prezent përditë. Industria e rëndë përmes shkarkimeve në ajër e ndot atë duke paraqitur rrezik për shëndetin e çdo qytetari. Kjo situatë do të ndryshonte së pari me përpjekjen dhe kontributin e çdo qytetari”, -është shprehur zv.ministrja Ifti.

Zv.ministrja tha se qeveria ka gati projekt-ligjin e ri, i cili bën të mundur që të ndalohen të gjithë operatorët që ndotin ajrin. “Projekt-ligji i ri do të bëjë të mundur që të gjithë operatorët që ndotin ajrin të ndalohen. Qeveria i detyrohet qytetarëve për rezultate konkrete, duke koordinuar veprimtarinë nëpërmjet pushteteve vendore dhe qendrore.”-u shpreh Zv ministrja Ifti. -

Më tej ajo paralajmëroi se masat ndaj furrave të gëlqereve do të vazhdojnë , pasi ato konsiderohen si ndotësit më të mëdhenj të mjedisit. “Masat e marra ndaj furrave të gëlqereve në Krujë, të konsideruara si ndotësit më të mëdhenj dhe më problematik për ndotjen e ajrit dhe burim rreziku për shëndetin e banorëve të zonës nga djegia e gomave të përdorura, janë një shembull konkret duke u treguar qytetarëve shqiptarë që ky standard do të zbatohet edhe në vazhdim”. Sipas Iftit, situata e rënduar e ajrit do të mund të ndryshojë përmes zbatimit të ligjit dhe ndëshkimit të të gjithë atyre që nuk e respektojnë atë.

Ky takim u zhvillua në kuadër të projektit “Asistencë Teknike për Forcimin e Kapacitetit të Ministrisë së Mjedisit në Shqipëri për Hartimin dhe Detyrimin e Legjislacionit Mjedisor Kombëtar” (SELEA).


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama