TIRANË, 19 Tetor /ATSH- I. Vata/ -Ministria e Shëndëtësisë ka reaguar sot ndaj deklaratës së Partisë Demokratike në lidhje me akuzat e saj për përfshirjen e ministri Ilir Beqja me aferat e një kompanie që ka përfituar 28 tendra me shumë 11 milionë euro.
Ministria e Shëndëtësisë në një deklarat për mediat shprehet se "Partia Demokratike është duke përsëritur për të disatën ditë rresht të njëjtin pretendim, për të cilin ka marrë përgjigje të hollësishme nga ministri. Nëse edhe pas përgjigjes me fakte dhe argumente, PD vazhdon të hedhë të njëjtën baltë, nuk mbetet asgjë tjetër, përveçse të mendosh se alternativa e vetme e PD-së është të përsërisë të njëjtat shpifje çdo ditë".
"Ministria e Shëndetësisë ka punë për të bërë dhe nuk kemi kohë të merremi me baltën e SHQUP-it, për të cilën kanë marrë përgjigje. Nëse ata nuk kanë punë tjetër, veçse të përsërisin shpifjet e tyre çdo ditë, ne kemi ende shumë për të bërë për ta nxjerrë shëndetësinë nga humnera ku e ka zhytur PD".
Më heret, Partia Demokratike nëpërmjet një deklarate për mediat bërë nga deputetja, Arbiola Halimi, thuhet se "ministri Ilir Beqja nuk ka dhënë asnjë përgjigje për akuzat e bëra në lidhje me një nga aferat e tij më të bujshme, gjë që e ka bërë kampion të korrupsionit. Kompania e themeluar prej tij, qysh se Ilir Beqa mori pushtet, ka fituar 28 tendera në 22 muaj me vlerë 11 milionë euro, para të taksapaguesve shqiptarë". /a.ke/