Ministria propozon Kontrata 2-5 vjecare statusin dhe pensione per artistet

Ministria propozon: Kontrata 2-5 vjecare, statusin dhe pensione per artistet

Kontratat me afat të përcaktuar do të nxjerrin sërish sot në protestë artistët e Teatrit të Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP). Kështu të paktën është paralajmëruar dy ditë më parë. Konflikti mes Ministrisë së Kulturës dhe artistëve të Teatrit të Operas dhe Baletit nisi kohë më parë, qysh kur drejtori Ilir Kerni u kërkoi artistëve që të firmosnin kontratat e punës, si hap i parë i reformës në këtë institucion, çka solli reagime nga Sindikata e Artistëve. Në 23 prill, artistët e Teatrit të Operas dhe Baletit protestuan për herë të parë kundër kontratave të përcaktuara të punës. Fillimisht u deklarua se bëhej fjalë për kontrata 3-mujore, më pas afati u shty në 6 muaj, por dakordësia nuk u gjet në asnjë rast. Nga ana tjetër, ministrja Kumbaro deklaronte se kjo reformë është kërkuar nga i gjithë komuniteti i artistëve. U krijua kështu një kakofoni zërash që nuk linte të kuptohej se ku qëndronte problemi i reformës që po ndërmerrej në institucionet kulturore, specifikisht në Teatrin e Operas dhe Baletit, nëse ishin vetë artistët që e kishin kërkuar këtë reformë.

 

Duke mos arritur dot në një dakordësi me artistët, Ministria e Kulturës ngriti një grup pune të autorizuar për realizimin e negociatave me përfaqësues të Sindikatës së Artistëve dhe përfaqësues të të gjithë sektorëve të trupës artistike të TKOBAP, për hartimin e një skeme të qartë punësimi dhe zhvillimi karriere, sipas modeleve të njohura të institucioneve artistike europiane. Siç bëhet e ditur nga një shkresë, firmosur nga ministrja Mirela Kumbaro, drejtuar drejtorit të TKOBAP, Ilir Kerni dhe për dijeni Sindikatës së TKOBAP dhe kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Artistëve, Reshat Ibrahimi, pas vlerësimit edhe të propozimeve të ardhura nga përfaqësuesit e trupës artistike të Teatrit të Operas, grupi i punës për reformën duket se ka rënë dakord duke dalë në propozime konkrete. Sipas drejtorit të Teatrit të Operas dhe Baletit, ajo çka propozohet është një nismë në të mirë të artistëve, sistem nga i cili do fitojnë të gjithë.

Nga ana e saj, Ministria e Kulturës e konsideron jo vetëm si të domosdoshme por dhe të rëndësishme çeljen e reformës në institucionet e artit, me synim krijimin e një sistemi të qëndrueshëm e transparent punësimi; rritjen e konkurrencës dhe cilësisë artistike si një zhvillim i natyrshëm e profesional i karrierës për të gjithë artistët; garantimin e respektimit të dinjitetit të artistit. Reforma që propozohet vjen dhe si rezultat i vëzhgimit dhe studimit të gjendjes aktuale të institucioneve kulturore dhe specifikisht TKOBAP.

Duke patur parasysh specifikën e TKOBAP si një teatër me trupa artistike, por edhe gjendjen aktuale të marrëdhënieve të punës të artistëve në TKOBAP, e cila sipas konkluzioneve që nxjerr grupi i punës karakterizohet nga: mungesë e plotë e kontratave të vlefshme të punës, moszbatim i ligjit mbi Artin dhe Kulturën, i cili qartësisht detyron institucionin e artit të lidhë kontrata individuale mes punëdhënësit dhe punëmarrësit. Ka paqartësi të vijueshmërisë së marrëdhënies së punës, arbitraritet në kategorizimin profesional të artistëve dhe moszbatim të parashikimeve të kontratës kolektive, e cila presupozon ekzistencën e kontratës individuale, si garanci e marrëdhënieve personale të punës mes punëmarrësit e punëdhënësit”.

Propozimet nga grupi i punës për reformën në Teatrin e Operas

Punësimi i artistëve të rinj në TKOBAP do të kryhet nëpërmjet sistemit të audicioneve dhe konkurseve publike, të cilat parashikohen qartësisht në rregulloren e brendshme.

Forma e kontratës fillestare: 3 muaj provë. Kohëzgjatja e kontratës do të jetë në varësi të rolit dhe pozicionit për të cilin konkurrohet. Me përfundimin e periudhës së provës për këta artistë të rinj, ashtu si dhe për marrëdhëniet e punës së punonjësve aktualë të TKOBAP, propozohet kjo formë kontraktuale:

Kontratë pune me afat 2-vjeçar, e rinovueshme për kategoritë: Dirigjent, regjisor, koncert maestër, solist i parë, i dytë, i tretë – lirik, baleti dhe Trupa e Ansamblit të Këngëve e Valleve. Kjo kontratë vlen për punonjësit ekzistues të TKOBAP.

Kontratë pune me afat 3-vjeçar, e rinovueshme për kategoritë: Asistent dirigjent, spala sektori (orkestra), spala sektori (kori), balerin i kategorisë së parë, balerin i kategorisë së dytë.

Kontratë pune 4-vjeçare, e rinovueshme: Orkestrant i kategorisë së parë, orkestrant i kategorisë së dytë, korist i kategorisë së parë, korist i kategorisë së dytë, pianist përgatitor (Opera), pianist korepetitor.

Kontratë pune 4-vjeçare, me emërim: Drejtor artistik i Drejtorisë së Operas dhe Filarmonisë,

Balet Maestër/ Drejtoria e Baletit, Drejtor/Drejtoria Artistike e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore

Kontrata pune 5-vjeçare për të gjitha kategoritë e artistëve të cilët në datën 1 mars 2014, kanë plotësuar 25 vjet pune të pandërprera brenda TKOBAP.

Kontrata me afat të pacaktuar: për të gjitha kategoritë e artistëve të cilët në datën 1 mars 2014, kanë plotësuar 30 vjet pune të pandërprera brenda TKOBAP.

Kontrata për raste specifike për drejtuesit e TKOBAP mund të propozojnë një formë kontrate të ndryshme nga skema e mësipërme, udhëhequr nga kritere të caktuara siç mund të jenë vlera te spikatura artistike dhe nevoja specifike të institucionit. Kjo lloj kontrate lidhet me propozim të drejtorit artistik, miratim të drejtorit të përgjithshëm dhe konfirmim të Ministrisë së Kulturës.

Me fillimin e marrëdhënies së punës dhe brenda afatit të kohëzgjatjes së kontratave të punës, artistët do të kenë mundësi të kryejnë lëvizje të brendshme karriere, sipas një vlerësimi profesional dhe metodologjie kategorizimi të parashikuar qartësisht në rregulloren e brendshme të institucionit.

Në rast të nevojës së brendshme për plotësim të vendeve vakante apo krijimi të vendeve të reja të punës, merr prioritet konsiderimi i kapaciteteve të brendshme, përkundrejt atyre të jashtme.

Në rregulloren e brendshme të institucionit, në mënyrë periodike, brenda afatit të kontratës, artistët vlerësohen nëpërmjet një sistemi pikëzimi pas një procesi vlerësimi të performancës profesionale dhe asaj brenda trupës artistike së cilës i përket. Kushtet dhe metodologjia e zhvillimit të procesit të vlerësimit përcaktohen qartësisht në rregulloren e brendshme.

Gjithashtu, përmes reformës në këtë institucion Ministria synon; përpunimin e strategjisë për një kuadër ligjor të favorshëm për profesionin e artistit, brenda vitit 2014. Ndërtimin e një platforme specifike pensioni për artistët brenda vitit 2014 në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve Sociale dhe Mirëqenies dhe përpunimin e strategjisë për hartimin e një marrëdhënieje sa më të drejtë mes formimit artistik dhe skenës, në kuadër të projektligjit mbi arsimin e lartë dhe më gjerë, brenda vitit 2014, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama