Ministrja Gjosha ne France Europa e bashkuar forca jone drejtuese

TIRANË, 29 Tetor/ATSH-Arbi Fortuzi/- Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, ndodhet per një vizitë zyrtare në Francë, ku do të takojë zyrtarë të lartë që mbulojnë çështjet e integrimit. Gjatë qëndrimit në Paris, ministrja Gjosha zhvilloi një takim me Harlem Désir, Sekretar Shteti për Çështjet Evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës.

Gjatë takimit, bashkëbiseduesit diskutuan mbi marrëdhëniet e shkëlqyera historike mes dy vendeve, duke vlerësuar bashkëpunimin në fusha të ndryshme. Ministrja Gjosha shprehu në emër të qeverisë shqiptare falenderimet për mbështetjen që Franca i ka dhënë Shqipërisë për procesin e integrimit, veçanërisht statusin e vendit kandidat vitin e kaluar.

Ministrja Gjosha u shpreh se Europa e Bashkuar është një forcë drejtuese për Shqipërinë, e cila do të vazhdojë përpjekjen e saj, për t'u bërë sa më shpejt pjesë e kësaj familjeje të madhe.

unnamed¨Shqiptarët janë një prej popujve më proeuropianë dhe procesin e integrimit, këtë prioritet madhor të vendit tonë ne e konsiderojmë shtysën më të mirë për ta transformuar dhe zhvilluar më tej Shqipërinë, bazuar në standardet dhe vlerat europiane. Shqiptarët besojnë tek projekti europian, ndaj për ne çdo hap përpara me procesin është forcim i këtij besimi¨, tha ministrja Gjosha.

Ministrja e informoi Désir mbi punën e bërë për plotësimin e prioriteteve, ku nënvizoi se fokusi aktual mbetet reforma në drejtësi e cila pritet t'i ndezë dritën jeshile, fazës së radhës së procesit që është hapja e negociatave.

¨Jemi të angazhuar të miratojmë sa më shpejt reformën në drejtësi, për të cilën mbështetja e ndërkombëtarëve ka qenë shumë e madhe. Kjo reformë është kyçe, pasi do t'i kthejë së pari qytetarëve shqiptarë, besimin tek procesi i integrimit, do të krijojë gjithashtu më shumë besim tek investitorët e huaj, e mbi të gjitha, do jetë drita jeshile që Shqipëria të kalojë në fazën e radhës që është hapja e negociatave. Ne jemi të vetëdijshëm që nuk mund ta hedhim këtë hap pa reformën në drejtësi, ashtu siç kërkojmë që implementimin e kësaj reforme ta realizojmë përmes tyre¨, tha ministrja Gjosha.

Désir u shpreh se Franca mbështet plotësisht procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe vlerëson progresin e bërë deri tani me reformat. Sekretari i Shtetit për Çështjet Europiane inkurajoi Shqipërinë për të vazhduar rrugën e nisur, si dhe theksoi se Franca do të japë asistencë teknike dhe ekspertizë, për fusha apo reforma ku Shqipëria ka nevojë. ¨Është shumë e rëndësishme që ju të keni konsensus dhe mbështetjen e qytetarëve në këtë proces. Shqipëria ka bërë hapa përpara dhe duhet të vazhdojë këtë rrugë. Franca mbështet aspiratën tuaj evropiane dhe është e dedikuar që Shqipëria të jetë pjesë e Bashkimit Europian¨, tha Desir. /a.ke/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama