TIRANË, 21 Tetor /ATSH- I. Vata/ -Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ka marre pjese sot në Dubrovnik të Kroacisë, ne Konferencen Rajonale te Kartës së Adriatik 5 - SHBA.
Në këtë konferencë morën pjesë ministrat e Mbrojtjes së Kroacisë, Shqipërisë, Sllovenisë, Bosnje -Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë dhe Serbisë, Ajo ka në objeksion takimet e ministrave të Mbrojtjes dhe zyrtarëve të tri nismave rajonale, përkatësisht iniciativës A-5, të Ministerialit të Mbrojtjes të Evropës Juglindore dhe drejtorëve të Politikave të Mbrojtjes të Ballkanit Perëndimor.
Në ditës e parë të Konferencës Rajonale të Kartës së Adriatik 5 - SHBA, është diskutuar për bashkëpunimin rajonal, nevojën për t'iu atdaptuar sfidave të reja dhe rreziqeve, mbështetjen dhe nevojën sa më të shpejtë për integrimin e rajonit në strukturat euroatlantike. Gjithashtu, nga pjesëmarrësit u vlerësua dhe u mbështet iniciativa e Shqipërisë për ngritjen e Qendrës së Ekselencës për të luftuar fenomenin e luftëtarëve të huaj në kuadër të planit kombëtar për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Ministrja e Mbrojtjes, Kodheli, u takua me Evelyn Farkas, zëvendësasistente e Sekretarit të Mbrojtjes për Rusinë, Ukrainën dhe Euroazinë. Gjatë këtij takimi ministrja Kodheli u ndal tek sfidat me të cilat po përballet sot Aleanca, sidomos në kufijtë jugorë dhe lindorë të saj si dhe e njohu Evelyn Farkas edhe me kontributin që po jep Shqipëria në të gjitha angazhimet e Aleancës.
Po ashtu, Kodheli informoi Farkas se këto ditë është nisur një kompani me trupa shqiptare në stërvitjen "Trident juncture-2015", e cila është ndër më të mëdhatë që ka zhvilluar NATO në këto 20 vitet e fundit.
Kodheli është takuar me ministrin e FSK-së, Haki Demolli, ku diskutuan për mbështetjen që Shqipëria do të vazhdojë t'i jape Kosovës në rrugën drejt integrimit në strukturat euroatlantike, për çështje të arsimimit të përbashkët etj, si dhe me ministren e Mbrojtjes të Bosnje-Hercegovinës, Marina Pendes, ku diskutuan çështje që lidhen me bashkëpunimin bilateral, për projektin pilot për demontimin, si dhe për nevojën e forcimit të bashkëpunimit të ndërsjelltë. /a.ke/