Tregje bujarie
Vetëm një gjest i thjeshtë bujarie kundrejt një të huaji i dha jetë një tjetër zinxhiri bujarie te katër persona të tjerë (fëmijët e John-it), të cilët ndihmuan tetë njerëz në nevojë. Këto janë mrekulli të rrjetit social njerëzor. Një rrjet që na rrethon, na ndihmon, detyron, stimulon, na mbron, ndonjëherë edhe na mbyt, por ndikon te sjelljet tona pa e kuptuar dhe më shumë nga çmendojmë, sidomos sot, që falë internetit shtrihet përtej kufijve gjeografikë dhe socialë. Votimi, martesa, fitimi i parave, vuajtjet nga sëmundjet e ndryshme, mbipesha, etj., të gjitha këto janë aspekte të jetës sonë, ku personat me të cilët jemi të lidhur, shpesh as që i njohim, janë miqtë e miqve, ose të njohur, kanë rëndësi të madhe. Rrjeti i formuar nga raportet njerëzore është diçka më shumë se shuma e individëve që e përbëjnë atë.
Forma e rrjetit varet nga qëllimi i tij, nëse është ai për t‘i telefonuar 100 studentëve dhe për t‘i lajmëruar se pasnesër nuk do të ketë mësim, rrjeti më efikas dhe i shpejtë do të jetë ai në formën e pemës: drejtoresha e shkollës thërret dy persona, që më pas edhe ata do të njoftojnë përkatësisht dy persona të tjerë dhe kështu pastaj do të zgjatet lista. Edhe në këtë rast, rrjedhja e informacionit nuk është reciproke, por e drejtuar nga i pari deri tek i fundit i listës. Rrjetet që formohen në mënyrë spontane, me rritjen e informacioneve mes individëve janë të tipit reciprok, siç është ai që bashkon një kompani me 100 ushtarë.
Lidhjet e rëndësishme
Qendra e rrjetit zihet nga ai që ka numrin më të madh të lidhjeve. Lidhje nënkuptohen marrëdhëniet me miqtë, por edhe me miqtë e miqve, apo miqtë e miqve të miqve. Kështu brenda rrjetit fillojnë të lulëzojnë kryesisht emocione dhe lidhje pozitive (bujari, dhurime organesh, altruizëm, besnikëri, kooperim), por rrjeti ka edhe efekte anësore dhe lidhjet mund të favorizojnë edhe krijimin e lidhjeve negative (infeksione seksualisht të transmetueshme, alkoolizëm dhe dhunë).
Pesë rregullat e rrjetës së merimangës
Rrjeta e merimangës njerëzore, duke u përhapur ngadalë, lidh të gjithë njerëzimin, pa kufij. Organizata e rrjetit nuk është e kufizuar nga lart: studiuesit kanë identifikuar pesë rregullat që e qeverisin.
1) Ne i japim formë rrjetit tonë
Njeriu ka prirje të shoqërohet me njerëz të ngjashëm me të, me të cilët mund të ndajë të njëjtat interesa, histori, ëndrra dhe ideale. Secili zgjedh strukturën e rrjetit të tij, duke vendosur se me sa persona dëshiron të lidhet. Në një rrjet ndikojnë edhe lidhje të vjetra. Zakonisht njerëzit kanë katër miq të ngushtë, nga të cilët dy mund të jenë shokë, dy të tjerë të afërm. Një rrjet social përmban mesatarisht rreth 150 individë. Këtë e ka llogaritur një studiues amerikan, i cili thekson se ato kanë filluar të zhvillohen kur personat e parë filluan të organizoheshin në grupe. Duke krahasuar të dhënat që kishte në dispozicion, ai zbuloi se njeriu mund të krijojë një grup social prej 150 individësh. Nëse grupi do të ishte më i madh, nuk do të mund të kontrollohej: nuk do të njiheshin të gjithë pjesëtarët, nuk do të dinim nëse ishin apo jo miq dhe cilat do të ishin reagimet ndërmjet tyre.
2) Forma e rrjetit ndikon te ne
Pozicioni që zëmë në rrjetin social përcakton se kur dhe në çfarë gjëje rrjeti na ndryshon. Kush nuk ka miq bën një jetë ndryshe në krahasim me atë që ka shumë miq. Disa individë jetojnë në qendër të një grupi, ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin, të tjerë përpiqen të kenë kontakte me persona të grupeve të tjera që nuk njihen mes tyre dhe kjo i bën urë lidhëse mes grupeve të tjera. Nëse jemi në qendër të rrjetit do të jemi të parët që do të marrim vesh thashethemet dhe lajmet. Nëse jemi në qendër të një rrjeti seksual, do të ishim të parët që do të infektoheshim.
3) Miqtë tanë ndikojnë te ne
Njerëzit kanë tendencë të kopjojnë njëri-tjetrin. Çdo individ ka shumë raporte të drejtpërdrejta dhe çdo raport na bën që të ndikohemi prej tij. Për shembull shokët e bankës së nxënësve shembullorë përpiqen të mësojnë shumë, sepse duan të jenë si ata.
4) Miqtë e miqve të miqve tanë ndikojnë te ne
Kalimi i thashethemeve dhe informacioneve të ndryshme përdor një rrjet të thjeshtë. Por transmetimi i sjelljeve brenda rrjetit është më i ndërlikuar: duhet të formohet një lloj presioni. Një shembull është tymi. 40 vjet më parë, ajri në sallat e kinemave ishte jashtëzakonisht i dëmshëm: tymosnin të gjithë. Sot, duhanpirësit janë të detyruar të pinë jashtë ambienteve të mbyllura. Pra në një farë mënyre brenda rrjetit është krijuar një rregull: tymi është i papranueshëm.
5) Rrjeti ka jetën e tij
Një shembull është "ola", pra vala që formojnë spektatorët, e shfaqur për herë të parë në Botërorin e Futbollit të zhvilluar në Meksikë, në vitin 1986. Një grup spektatorësh ndihej vazhdimisht në këmbë, lëvizte duart dhe pastaj ulej sërish. Kënga, ta quajmë kështu, nuk orkestrohej nga askush. Njerëzit silleshin si një grup zogjsh, peshqish, insektesh, pa kontroll qendror në lëvizjen e grupit. Lëviznin përmes "inteligjencës kolektive", që i ndihmon të gjithë. Pra rrjeti ka cilësi që një individ i vetëm nuk i ka. Pra është e vërtetë që ne ndikohemi nga të tjerët, por edhe të tjerët ndikohen nga ne. Në fund të fundit, ky është rrjeti.