Miqesorja yjet e Milanit zbarkojne ne Shqiperi

Miqësorja, yjet e Milanit zbarkojnë në Shqipëri
Pas mbërritjes në Rinas, kuqezinjtë do të akomodohen menjëherë në hotel "Sheraton". Për nder të futbollistëve dhe të delegacionit zyrtar të klubit me 22 persona, që kryesohet nga zv/presidenti Adriano Galiani, por ku spikasin edhe emra të njohur si Ariedo Braida, Filipo Gali, Mauro Tasoti e Leonardo, në orën 13:30 do të zhvillohet edhe një drekë zyrtare. Qëndrimi i "Djajve" në tokën shqiptare do të pasohet me një takim zyrtar në Kryeministri, me titullarin e këtij institucioni, z. Sali Berisha.

 Edhe pse nuk njihet si një person "i dashuruar" me sportin (më saktësisht me futbollin në veçanti, ku nuk është asnjëherë i pranishëm në tribunë, qoftë edhe për ndeshjet e Kombëtares), në orën 15:00 Kryeministri do të presë në zyrën e tij yjet e klubit të Serisë A. Përpara ndeshjes, rreth orës 16:30, administratori Galiani, trajneri Ançeloti dhe disa futbollistë (mes të cilëve Maldini), do të dalin në një konferencë për shtyp së bashku me organizatorin e kësaj ndeshjeje, Rezart Taçin. Miqësorja e shumëpritur me Tiranën starton në orën 19:00, në stadiumin "Qemal Stafa", por në tribunat e impiantit më të madh në vend festa pritet të fillojë shumë kohë më parë. Nuk do të mungojë as donacioni për bamirësi, ku nga shifra prej 1,7 milionë eurosh që kanë përfituar për ardhjen në kryeqytetin shqiptar, Milani do të dhurojë 100 mijë euro për programin "Albania Reads" të UNICEF. Me këtë fond synohet që në mbarë vendin të ndërtohen librari moderne në të gjithë Shqipërinë: objektivi është që në brezat e rinj të shpërndahet kultura nëpërmjet librit. Fondet për bamirësi do të vazhdojnë edhe në mbrëmjen gala të parashikuar në orët e vona të mbrëmjes: Milani do të largohet menjëherë pas ndeshjes, por me fanellat e autografuara nga lojtarët do të organizohet një ankand.

Mungesat - Nga kontingjenti i parashikuar për të udhëtuar në Tiranë do të mungojnë dy lojtarë mjaft të rëndësishëm të Milanit, si Pirlo e Borrielo. Mesfushori është dëmtuar dhe ende nuk ka filluar të punojë me skuadrën, ndërsa udhëtimi i sulmuesit u anulua për shkak të planit stërvitor, për rikuperimin e tij sa më të shpejtë. Ndërkohë, në dyshim është edhe zvicerani Senderos. E veçanta është se në "Qemal Stafa", në fushë, do të rikthehet ish-mbrojtësi i kombëtares italiane, Alesandro Nesta: pas dëmtimit të gjatë, 32-vjeçari pritet të aktivizohet për afro 25 minuta.


Biletat

Organizatorët: Tregut nuk do t‘i mungojnë as në ditën e ndeshjes

Biletat e ndeshjes Tirana-Milan, që do të luhet sot në mbrëmje në impiantin "Qemal Stafa" për trofeun "Taçi Oil Albania Reads", nuk do t‘i mungojnë tregut as sot. Organizatorët kanë siguruar se pavarësisht interesimit dhe ritmit të lartë të shitjeve, të gjithë tifozët e "vonuar", që deri më tani nuk kanë arritur të sigurojnë një vend në stadium, mund të rikuperojnë në kohë. "Interesimi për këtë emër të madh të futbollit botëror siç është Milani, ka qenë mjaft i madh. Tifozë nga Shqipëria, por edhe nga Kosova apo shqiptarët e Maqedonisë kanë kërkuar të jenë të pranishëm në këtë festë që shërben edhe për bamirësi", tha shefi i zyrës së shtypit të "Taçi Oil", Aldrin Dalipi. "Ritmet e shitjeve kanë qenë mjaft të mëdha, megjithatë biletat do të vazhdojnë të jenë në treg edhe në ditën e ndeshjes. Të gjithë ata tifozë, që për një arsye apo një tjetër ende nuk kanë arritur t‘i blejnë, do të kenë mundësi të ndjekin nga afër yjet e Milanit. Kjo ndeshje është një rast për të mos u humbur dhe interesimi i treguar nga sportdashësit e konfirmon këtë fakt".

Masat e sigurisë. Vjen Milani, blindohet kryeqyteti

Masa të rrepta të policisë do të shoqërojnë vizitën e Milanit në Tiranë enkas me rastin e ndeshjes miqësore për turneun "Taçi Oil Albania Reads" në orët e para të mbrëmjes së sotme. Me qëllim të parandalimit të çdo incidenti, Policia e Tiranë thekson se duke filluar nga ora 12:00 e ditës së sotme e deri në përfundim të ndeshjes do të mbyllen lokalet përreth stadiumit. Po ashtu nga ora 08:00 nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në ambientet përreth stadiumit "Qemal Stafa", sheshit "Italia", sheshit "Nënë Tereza", si dhe përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit" nga Presidenca deri te hotel "Sheraton". Në orën 15:00 do të ketë ndalim qarkullimi përreth stadiumit, sheshit "Italia", sheshit "Nënë Tereza", si dhe përgjatë rrugës "Lekë Dukagjini", bulevardit "Dëshmorët e Kombit" nga Presidenca deri te hotel "Sheraton", "Dërvish Hima", deri në përfundim të aktivitetit. Ndërsa hyrja në stadium fillon në orën 17:00.



Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama