Në tribunën qendrore të stadiumit "Atleti Axurri" në Bergamo ka qenë dje i pranishëm edhe zv.trajneri i Rumanisë, Daniel Isaila.
Ky i fundit kishte udhëtuar drejt Italisë, edhe pse dje kombëtarja rumune luante gjithashtu miqësoren kundër Gjeorgjisë.
Misioni ishte i qartë, të spiunonte skuadrën e Xhani De Biazit në testin me Ukrainën (Shqipëri-Ukrainë 1-3). Rumania është kundërshtar i kuqezinjve në grupin A të Europianit.
Ndaj skuadrës së drejtuar nga Angel Jordanesku, Shqipëria do të përballet më 19 qershor, ora 21:00, në stadiumin e Lionit.
Shqipëri-Rumani është ndeshja e tretë në grup dhe mund të vendosë shumë për fatet e dy skuadrave.
Ndërkohë, dje të pranishëm mësohet se kanë qenë edhe përfaqësues të Federatës së Futbollit të Zvicrës, që ashtu si rumunët, kanë vëzhguar lojën e kuqezinjve në testin e fundit para Europianit.