Miqte i bejne mire shendetit

Miqtë i bëjnë mirë shëndetit
Miqësia është diçka e thellë, që shkon përtej çdo ndjenje dhe kapërcen çdo pengesë të shpirtit. Është dashuria që ndan me një person tjetër, "mjeti" me të cilin përballesh dhe merr ndihmë, është gëzimi që ke ndaj dikujt, dëshira për t‘iu hapur dhe për të ndarë me të aventurat e bukura dhe të shëmtuara. Miqësia është sinonim i ndershmërisë. Kush mund ta mohojë ndikimin e madh që kanë miqësitë në mirëqenien tonë emocionale? Shpeshherë edhe ato të paqëndrueshme, të cilat lindin dhe shkatërrohen në "Facebook", ndikojnë te ne. Ashtu siç tregon edhe gazeta britanike "The Guardian", miqësitë nuk duhet të jenë medoemos të mëdha. Efekte pozitive mund të përftohen edhe nga miqësitë e thjeshta. E rëndësishme është të mos jeni të izoluar.

Karen Majorist, një psikologe edukimi shpjegon: "Disa persona kanë nevojë vetëm për disa kontakte dhe në moment nevoje janë gati për të filluar sërish aty ku e kishin lënë, sikur marrëdhënia të mos ishte ndërprerë më parë". Ndër të tjera, specialistja shpjegon se miqtë e vërtetë nuk të lënë kurrë në baltë, kjo është e sigurt, madje pranojnë fyerjet dhe gjithçka tjetër. Por miqësitë siç lindin ashtu edhe mbarojnë, sepse nuk ka më të përbashkëta mes dy personave. Dihet që duke krijuar miqësi të reja është më e vështirë të mbash të vjetrat". Miqësia, kurdo që ajo zhvillohet, është shumë e rëndësishme për rritjen dhe maturimin e njeriut. Ndryshe nga meshkujt, vajzat krijojnë më shpejt miqësi se meshkujt. Sapo e konsiderojnë një shoqe apo shok si veten, fillojnë të ndajnë me të sekretet e vogla. "Është e vërtetë që femrat krijojnë më shpejt miqësi se meshkujt, por miqësitë në moshën e adoleshencës janë edhe më të rrezikshmet. Fëmijët e kanë më të thjeshtë të lidhin dhe të prishin një lidhje".

Një studim tjetër mbi miqësinë, i kryer nga Universiteti i Koloras, ka treguar se lidhjet e vërteta, ato që mund të zgjasin edhe mbi 20 vjet, lindin në universitet. Pra mos i humbisni shpresat: nëse gjatë fëmijërisë keni pasur një rreth të madh shoqëror, gjatë viteve të universitetit mundësitë do të shtohen edhe më shumë. Lidhur me këtë çështje, një profesor i shkencave të komunikimit thotë: "Gjatë viteve të shkollës së lartë, të qëllon të kalosh shumë orë me miqtë, duke ndarë me ta një intimitet të fortë. Kjo është një ndër arsyet që çon në rritjen e miqësisë, saqë edhe pas shumë kohësh, edhe pse rrugët e jetës tanimë janë ndarë, lidhjet e forta familjare vazhdojnë".Gjithsesi këto marrëdhënie janë shumë të vështira për t‘u ndërtuar, por pasi lidhen, zgjasin për gjithë jetën. Madje lidhur me këtë temë edhe vetë Aristoteli ka thënë disa shekuj më parë se "miqësia është si një zemër që jeton në dy trupa të ndryshëm".

Studimi

Në faqet e "New York Times" ishte publikuar një lajm sipas të cilit ekziston diçka me vlerë që parandalon sëmundjet dhe depresionin, përshpejton shërimin dhe të jetosh një jetë më të qetë. Sigurisht që nuk bëhet fjalë për ndonjë shpikje të shkencës, por thjesht për miqtë. Vetëm kohët e fundit, studiuesit kanë filluar të kuptojnë efektet që kanë marrëdhëniet shoqërore dhe lidhjet e miqësisë mbi shëndetin e individëve të ndryshëm. Rezultatet janë mbresëlënëse. Në vitin 2006, një studim i kryer te 3 mijë infermiere të prekura nga kanceri i gjirit, ka treguar se pacientet që kishin më pak se 10 miq shfaqnin një shkallë vdekshmërie katër herë më të lartë se të tjerat. Mesa duket, numri i lartë i miqve ka më shumë efekt mbi shëndetin, sesa prania e bashkëshortit apo marrëdhëniet e mira familjare.
Një studim tjetër i kryer nga një Universitet i Suedisë ka demonstruar se ekzistenca e një partneri nuk e zvogëlon aspak mundësinë e shfaqjes së patologjive kardiovaskulare, ndërkohë që është regjistruar efekti i kundërt në rastet kur personat që i ishin nënshtruar studimit kishin shumë miq. Pra shkencëtarët kanë arritur në këtë përfundim që, mungesa e marrëdhënieve të mira shoqërore rrezikon shëndetin e njeriut.

Përgjithmonë miq

Miqësia është një zjarr që nuk shuhet kurrë. Mund të krahasohet me diellin ose dritën, të cilat nuk shuhen kurrë. Të kesh një mike të vërtetë është njësoj si të zotërosh një thesar që nuk e sheh, por e ke. Vetëm jeta mund të tregojë se kush janë miqtë e vërtetë, nëse miqësia është iluzion apo ekziston me të vërtetë. Vlerat e vërteta të miqësisë janë besimi dhe ndershmëria. Kur një person, pa hezituar, të sheh në sy dhe të thotë "Po, kam besim te ti!", atëherë ajo është një miqësi e vërtetë. "Mendoj se mike është ajo që di të të kuptojë, nëse ke një problem është e gatshme të të ndihmojë, që beson te ti dhe ajo që bën. Miqësia është diçka e përjetshme, që as nuk lind e as nuk vdes, por jeton pafundësisht te çdonjëri prej nesh. Është një nga eksperiencat më të bukura që të ofron jeta. Të gjithëve na pëlqen t‘i ndajmë gëzimet dhe hidhërimet me personat që i njohim mirë dhe i konsiderojmë miq të vërtetë", thotë një psikologe.

Shumë persona e ngatërrojnë kuptimin e vërtetë të miqësisë dhe mendojnë se edhe një njeri i thjeshtë që të përshëndet e të buzëqesh, është një mik i vërtetë. Personalisht nuk besoj shumë te miqësia, sepse shpesh njerëzit nuk janë të ndershëm për të qenë të sinqertë me të tjerët. Miqësi e vërtetë është ajo që lind nga zemra dhe nuk ndjen asnjë zili për të tjerët. Kjo është arsyeja pse shumë persona nuk besojnë te miqësitë, sepse asnjëra nuk është e ndershme. Të gjithëve do të na pëlqente të kishin një "mik të vërtetë", por ai ose ajo ekziston vetëm në ëndërr. Ja përse shumë prej nesh preferojnë të zgjedhin ditarin si mikun më besnik, t‘u besojnë mendimet dhe të mos ia hapin zemrën një personi.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama