Ne po ikim miq, ashtu si kujtimet
drejt heshtjes së vjetër, asaj heshtjes së butë
që jetojmë qysh prej lindjes... Koha po shprishet
si një flok i shkulur prej dhimbjes.
Tash në vend të ajrit thithim mall
dhe mes fjalëve të fundit, në çantat e rënda
fshehëm lotët.
-Jetofshi miq, se toka e huaj është gjithmonë e njëjta;
-Jetofshi miq, fatin tuaj
që në një puthje të vogël nganjëherë lindi dhe vdiq i paparë;
-Jetofshi miq, aq mirë sa ua paça zili;
Se s' paska asgjë më të madhe në botë
se zemra, asgjë më të rëndë se malli
vetë prej lëkurës sonë.
Në trena të kundërt do të hipim, mbi dy sirena
duart do t' i ngulim e më vonë të uritur
lotët do gëlltisim me lodhje si bukën e ngelur.
E tash, jetofshi miq
aq mirë
sa ua paça zili!