Miratohen 1305 kuota per doktoraturat ndarja sipas degeve.

Miratohen 1305 kuota per doktoraturat, ndarja sipas degeve.
Miratohen kuotat e pranimit për studimet e Doktoraturës në vitin akademik 2012-2013. Sipas vendimit të miratuar në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, kuota totale e pranimeve për këtë vit do të jetë 1305. Kjo kuotë do të ndahet për kandidatët brenda territorit të vendit 1141; për kandidatët nga trojet jashtë kufijve të vendit 154; për shtetasit e huaj 10. Ministria e Arsimit ka zbardhur ndarjen e kuotave sipas 92 programeve që ofrojnë universitetet publike për studimet e ciklit të tretë. Pjesa më e madhe e kuotave shkon për Universitetin e Tiranës, që ka edhe numrin më të madh të programeve të Doktoraturës karshi universiteteve të tjera. Kështu, në 59 programet e Doktoratës që ofron ky Universitet, do të pranohen 757 kandidatë nga brenda vendit. Në Universitetin Politeknik numri i pranimeve për kandidatët nga vendi do të jetë 88, ndërsa në Universitetin Bujqësor 138. 

Në Qendrën e Studimeve Albanologjike do të pranohen 76 kandidatë nga vendi dhe 13 nga trojet. Ndërkohë që në universitetet e rretheve, si Durrësi, Elbasani, Vlora, Korça, Shkodra kuotat janë tepër të reduktuara, pasi studimet e Doktoratës ofrohen vetëm në një program studimi. Edhe në Universitetin e Sporteve të Tiranës do të ketë pak pranime në Doktoraturë. Tarifa e shkollimit për programet e studimeve të ciklit të tretë të Doktoratës do të jetë 216 320 lekë. Tarifa e shkollimit do të paguhet në këste, të përcaktuara nga institucioni publik i arsimit të lartë.

Me miratimin e këtij vendimi universitetet publike janë gati për pranimin e kandidatëve, pasi në pjesën më të madhe të tyre procesi i aplikimit ka nisur dhe tashmë pritet vetëm shpallja e fituesve. Në studimet e Doktoratës pranohen kandidatë që kanë fituar diplomë universitare “Master i shkencave” ose “Master i arteve të bukura”. Këto programe zgjasin të paktën 3 vite akademike dhe përfshijnë 60 kredite për studime të organizuara teorike. Institucionet e arsimit të lartë, në bazë të rezultateve të arritura në studimet e organizuara teorike vendosin kritere klasifikimi për kandidatët që kanë të drejtë të zhvillojnë projektin kërkimor dhe të përgatisin tezën e doktoratës.

Po kështu, institucionet e arsimit të lartë përcaktojnë standarde e kritere kualifikuese për njohjen e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare, si dhe metoda për vlerësimin e nivelit teorik të përgjithshëm të kandidatëve. Kandidatët që nuk arrijnë të përmbushin kriteret e vendosura, nuk klasifikohen për të vazhduar më tej studimet e Doktoratës dhe pajisen me një dëshmi, në të cilën jepen modulet e zhvilluara së bashku me kreditet e grumbulluara dhe vlerësimin e tyre. Në përfundim të programeve të studimeve të doktoratës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor” (Dr).

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama