TIRANË, 3 Nëntor/ATSH/.- Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi të martën ratifikimin e marrëveshjes me qeverinë maqedonase, "Për mbrojtjen shoqërore". Sipas ekspertëve të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, marrëveshja konsiston në ofrimin e përfitimeve në sigurimet shoqërore dhe bazohet në parimin e trajtimit të barabartë të punëtorëve në punësim, trajtimin me përfitime dhe të ardhura.
Marrëveshja zbatohet për skemën e sigurimeve shoqërore dhe konkretisht, për përfitime në të holla, për sëmundje, për personat e punësuar; barrëlindje, për personat e punësuar, të vetëpunësuar dhe punëdhënësit; aksidente në punë dhe sëmundjet profesionale, etj.
Gjithashtu, marrëveshja zbatohet edhe për përfitime nga skema e detyrueshme e sigurimeve shëndetësore, të cilat jepen në formën e përfitimeve në natyrë, për subjektet përfituese të siguruara.
Sipas të dhënave, numri i shqiptarëve me qëndrim të përkohshëm në Maqedoni është 1468 persona. Duke patur parasysh se këta emigrantë që kanë periudha sigurimi, janë relativisht të rinj, dhe duan të paktën 6-10 vjet për të dalë në pension, efektet financiare do të fillojnë pas kësaj periudhe. /a.s//m.m/