Nurçe, e cila ka qenë e para stiliste që ka realizuar një sfilatë mode në Shqipëri, në fillim të viteve ’90-të, rrëfen në këtë intervistë për revistën MAPO se me sa probleme u duhet të përballen njerëzit si ajo në Shqipëri, nëse duan që të punojnë e të kenë sukses.
“Imagjinoni”, tregon ajo, “se si mundet që një stiliste të krijojë në Shqipëri, kur nuk ka mundësi qoftë dhe të lëvizë lirisht, të marrë pjesë në sezonet e modës, të marrë pjesë në takimet ndërkombëtare ku përcaktohen tendencat kryesore, për shkak se nuk ka një vizë në pasaportë…?!”.
Njëherë në pesë vjet, industria e modës ekspozon për të gjithë stilistët mostrat e copave dhe tendencat kryesore, në mënyrë që pastaj kushdo që ka një ide të mund ta konkretizojë atë e të mund të paraqitet me krijimet e veta përgjatë javëve të modës në Paris apo Milano.
“Mirëpo po ju tregoj një shembull fare të thjeshtë, në mënyrë që ta kuptoni se sa absurde është situata në Shqipëri”, vazhdon më tej stilistja shqiptare: “Nëse unë kthehem në Tiranë me një valixhe të mbushur me këto mostra copash që ekspozohen njëherë në 5 vjet, më duhet të kaloj peripeci të pafund në doganë”.
Ajo mendon se nuk mund të taksohet dikush në fazat e para të investimit kur ende nuk ka filluar të prodhojë diçka. Nëse ky biznes do të mund të rregullohej përmes stimulimeve të ndryshme, atëherë ky do të ishte një investim që padiskutim do të zhvillonte ekonominë e vendit, do të hapte vende të reja pune, e pastaj sigurisht do të rriste edhe buxhetin e shtetit përmes taksave që do të duhet të paguheshin në momentin e duhur.
Nëse sot në Shqipëri organizohen sfilata të shumta mode, kjo nuk do të thotë fare se këtu kemi të bëjmë me një industri të mirëfilltë mode. “Eshtë e gjitha një fasadë, një gënjeshtër me bisht që s’ka asnjë lidhje me modën e vërtetë apo me industrinë e saj sot në botë”.
“Si mund ta quash veten stiliste sot në Shqipëri, kur organizimi i një sfilate nuk të çon asgjëkundi, maksimumi mund të shesësh disa veshje, po absolutisht nuk arrin me këto pseudo-sfilata që organizohen këtu, që të futesh në tregun e mirëfilltë të modës e të bëhesh pjesë e gjithë kësaj industrie”, shprehet Nurçe.
Sipas saj, pjesë e kësaj fasade dhe e këtij mashtrimi, bëhen edhe gazetarët, edhe media e cila i “shet” këto evente me bujë të madhe, ndërkohë që ato nuk tregojnë asgjë!
“Maksimumi që mund të arrijnë stilistët në Shqipëri, është që të paguhen e të trajtohen thjesht si rrobaqepës të talentuar!”.
Ndaj, Nurçe, ka të paktën 3 vjet që nuk kërkon as t’i përmendet emri në media, e nuk jep intervista duke u përpjekur kështu të mos jetë pjesë e kësaj fasade që vetëm industri mode nuk mund të quhet, ndërkohë që bën të pamundurën për të krijuar kontakte me botën e vërtetë të modës dhe të krijojë. Në Shqipëri ajo e ka të lehtë vetëm të qepë me duart e saj veshjet e të huajve, e atyre që ia dinë dhe ia vlerësojnë vlerën punës së dorës.
“Në Shqipëri ka njerëz shumë të talentuar, ka stilistë me ide që mund të eksportojnë në botë një emër të mirë për Shqipërinë, por këtu shteti ende nuk e konsideron modën si një biznes dhe si një investim që duhet inkurajuar dhe stimuluar”, thotë ajo.
Nga ana tjetër, mendon Nurçe, vetë stilistët shqiptarë akoma nuk e kanë kuptuar se duhet të organizohen, e duhet që bashkarisht të mund të kërkojnë të drejtat e tyre e të mund të lobojnë për krijimin e një klime që do ta favorizonte krijimtarinë e tyre.
“Në fund të fundit, kjo situatë nuk është e tillë vetëm për modën dhe për stilistët: këtu heronj janë të gjithë njerëzit e aftë dhe të pambrojtur, apo dhe biznesmenët e vërtetë që tentojnë të ecin përpara me talentin dhe me punën e tyre”.
“Mos e shkruaj se ndoshta nuk i intereson njeriu”, përfundon ajo, “por unë mendoj sinqerisht se nuk ia vlen të jetosh në këtë vend fasadash e mediokritetesh”…
Shkruan : Kristi Pinderi
Revista Mapo