Mirembrema zoti Wallenberg!

Mirembrema zoti Wallenberg!
Ekspozita “Raoul Wallenberg 1912-2012” që hapet më 19 shtator, ora 19.00 në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, është një homazh që i bëhet misionit human të një individi në shpëtimin e hebrenjve të Budapestit. Kur Raoul Wallenberg hyri në Budapest ishte 31 vjeç. Në qendrën më të madhe të hebrenjve që i kishte mbetur Evropës pa u asgjësuar, ai depërtoi më 9 qershor 1944, i pajisur me dy çanta shpine, një pallto dhe një revolver. Po vinte me mision kur zbatimi i politikës antisemite në vend, me pushtimin nazist të Hungarisë në mars 1944, po arrinte fazën finale.

Duke parë përshkallëzimin e holokaustit, qeveria amerikane, presidenti Ruzvelt dërgoi në Stokholm, Iver Olsen, përfaqësues i Bordit Amerikan të Refugjatëve të Luftës. Olsen kishte për detyrë të kërkonte një njeri që të hynte në futej në Budapest dhe të shpëtonte sa të mundte njerëz. Ai duhej të dinte gjuhët të dhe mos kishte nevojë për direktiva. Raoul Wallenberg ishte njeriu i duhur. Nëpërmjet Legatës Suedeze në Budapest Wallenberg krijoi një lloj pasaporte speciale, pasaportë mbrojtëse që i garantonte mbajtësit imunitet ndaj deportimit në kampet e vdekjes. Falë Schutzpass-it mendohet të jenë shpëtuar 20.000 jetë.

Me hyrjen e trupave sovjetike në qytet ai shpresonte të merrej vesh për rehabilitimin e njerëzve. Por kur ushtarët sovjetikë valëvitën flamurin në Sheshin Kalvin në Budapest në janar 1945, ndodhi diçka të cilës as sot e kësaj dite nuk i është dhënë një përgjigje e saktë: U shoqërua nga disa ushtarë rusë dhe nuk u kthye kurrë më as në Budapest dhe as në Stokholm.

Ambasada e Suedisë në Tiranë prezanton me fotografi një kronologji të jetës së Raoul Wallenberg-ut në vorbullën e historisë, me rastin e 100-vjetorit të lindjes. Ekspozita qëndron e hapur deri më 25 shtator. Një film dokumentar-artistik “Mirëmbrëma zoti Wallenberg” realizuar nga regjisori suedez Kjell Grede me protagonist aktorin e shquar Stellan Skarsgård, shfaqet në Akademinë e Filmit Marubi më 21 shtator.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama