Niseni me një dozë të vogël mirënjohjeje
Ky është një term që e përdor shumë një profesor psikologjie në Shtetet e Bashkuara, që ka bërë një eksperiment të tillë me njerëzit. Ai u tha disa njerëzve që të rendisnin 5 gjërat për të cilat ata ndiheshin mirënjohës që i kishin në jetën e tyre, të tilla si miqtë, gjërat që kishin mësuar apo qoftë edhe shijimin e një perëndimi dielli. Këtë gjë ai ua kërkoi personave në fjalë që ta bënin një herë në javë, çdo ditë të hënë, në fillim të punës dhe për muaj të tërë. Në fakt, nuk kaluan veçse dy muaj nga efekti i parë i një zakoni të tillë. Krahasuar me një grup tjetër personash që nuk e bënin një ritual të tillë çdo javë, grupi i “mirënjohësve” ishte më optimistë dhe kishte një ndjenjë më të madhe lumturie në vetvete. Ata shfaqnin edhe më pak probleme psikologjike dhe ishin më rezultativë dhe të efektshëm në punë. Ajo çka ishte interesante, ishte edhe fakti se partnerët apo bashkëshortët e grupit të “mirënjohësve” e kishin vënë re ndryshimin tek njerëzit e afërt të tyre dhe ndiheshin më mirë. Një këshillë që jep psikologu amerikan që ka kryer këtë eksperiment është: nëse dëshiron që të kesh gjumë të qetë e çlodhës, numëro të mirat që ke në jetën tënde dhe jo yjet”.
Mos e ngatërroni ndjenjën e mirënjohjes me atë të borxhit
Sigurisht që në jetë mund të ndiejmë se, kur dikush na bën një të mirë apo na jep diçka me vlerë do të duhet në një mënyrë apo në një tjetër t’ia kthejmë me të njëjtën monedhë. Por në këtë rast nuk kemi, në fakt, të bëjmë me një ndjenjë mirënjohjeje të vërtetë. Të paktën në këtë mënyrë e përcaktojnë psikologët. Kjo ndjenjë quhet borxh dhe është një ndjenjë që nuk përmban pozitivitetin e një ndjenje mirënjohjeje, sepse të shtrëngon dhe të krijon kufizime. Në një eksperiment të bërë në Northeastern University, dy psikologë i prishën kompjuterët e disa studentëve dhe i thanë një studenti tjetër që t’i ndreqte ato. Ky, pasi i ndreqi, i tha se i kishte bërë me shumë dëshirë shërbimet dhe se studentët e tjerë nuk duhet që të ndiheshin në borxh. Kjo ishte e mjaftueshme që ata të ndiheshin mirë dhe t’i bënte që në po këtë mënyrë, pra pa asnjë interes dhe kërkesë shpërblimi, të ndihmonin edhe të tjerët. Në këtë rast kemi të bëjmë me një mirënjohje të pastër dhe kur kjo ndodh mes të huajve, mendoni se sa lehtë mund të ndodhë mes njerëzve që njihen apo edhe bashkëfamiljarëve. Si pasojë, është një ndjenjë që duhet të përdoret më shpesh, sepse edhe rezultatet në marrëdhëniet njerëzore do të jenë më të mira.
Përpiquni që ta aplikoni mirënjohjen në familje tuaj
Edhe pse familja juaj mund të ketë shumë probleme në marrëdhëniet njerëzore, mirënjohja, nëse do të aplikohej shpesh, mund të bënte me të vërtetë mrekulli. Sipas një psikologeje, të paktën gjatë ditëve të festave, kur njerëzit e një familjeje zakonisht janë të gjithë së bashku, duhet bërë nga të gjithë një veprim i vogël në drejtim të tjetrit, që ai të ndiejë mirënjohje dhe mbi të gjitha duhet që të përdoren më shpesh fjalët “faleminderit” apo të bëhen veprime të mira dhe të mbara. Duhet shprehur konsiderata apo edhe admirimi për talentet apo aftësitë e njerëzve që kemi pranë. Këto veprime që nuk i kushtojnë askujt asgjë, sjellin një ndjenjë mirënjohjeje e mirëqenieje shpirtërore edhe në ambiente familjare të tensionuara. Provojeni, dhe rezultati do t’ju duket gati si magjik.
Mos kundërsulmoni
Nëse jeni tip nevrik dhe përgjigjeni flakë për flakë ndaj çdo ngacmimi apo sulmi që ju bëhet, bëni këtë sprovë të paktën një herë të vetme. Sapo t’ju vijë në majë të gjuhës sharja apo kundërpërgjigjja, ju mos reagoni, ose merrni një copë letër dhe shkruani në të gjithçka që keni në majë të gjuhës. Në të përfunduar, merreni letrën, bëjeni shuk dhe hidheni në koshin e plehrave. Më pas, sa herë që t’ju vijë të kundërpërgjigjeni me fjalë të rënda, silleni ndër mend këtë veprim dhe do ta shihni që pas pak kohe do të jeni më të matur kur të doni që të bërtisni apo t’i përgjigjeni sherrit me sherr.