Mireserdhet ne boten low cost!

Mireserdhet ne boten 'low cost'!
Turizmi low-cost, pasi ka revolucionarizuar sektorin ajror premton të ndryshojë edhe atë të hotelerisë. Një zinxhir malez, “Tune Hotel”, nga 30 gushti do të hapë hotelin  e parë low cost në Londër, në zonën Westminster. Aty mund të kesh një dhomë për vetëm 2 sterlina nata, rreth dy euro e gjysmë. Ashtu si për fluturimet me çmim të ulët, në çmimin prej dy sterlinash përfshihet minimumi, dhoma, banja, krevati me çarçafë, kondicioneri apo ngrohja dhe ashensori për të lëvizur.

Gjithçka tjetër mund të paguhet, duke nisur nga shërbimet thelbësore si pastrimi (shtatë sterlina e gjysmë në ditë), duke vazhduar më tej me peshqirët që nëse preferon mund t’i sjellësh me vete nga shtëpia, pasi aty kushton 1 sterlinë njëri, tharësja e flokëve (2 sterlina) apo shërbime nga të cilat mund të heqësh dorë siç është shërbimi i depozitimit të bagazheve (2 sterlina secili) dhe kasafortat. Dy sterlina për natë është çmimi minimal, por kompania maleze premton të mos aplikojë tarifa më të larta se 35 sterlina nata. Nëse iniciativa do të ketë sukses ka si qëllim inaugurimin e 15 hoteleve në qendër të Londrës brenda 2017 dhe më shumë se 100 struktura në të gjithë botën brenda 2015-s.

Duke marrë në konsideratë suksesin e madh me biletat e avionëve low-cost, kjo risi maleze duket e destinuar për të ndryshuar njëherë e përgjithmonë tregun. “Ishte vetëm çështje kohe. Ishte logjike që dikush të imitonte atë që kishte ndodhur me avionët dhe jo rastësisht një nga pronarët e Tune Hotel është edhe administratori i deleguar i “Air Malasya”. Mendoj se është vetëm fillimi. Për hotelet ky është një kërcënim dhe model së bashku, por tani që rruga është e hapur shumë do ta ndjekin këtë shembull, sidomos kompanitë e mëdha”, konfirmon Ton Hall, drejtor i “Lonley planet” në Britaninë e Madhe.

Nga pikëpamja ekonomike ato që i japin të drejtë janë rezultatet e fundit të bilancit të “Ryan Air’, që për korrikun që me shërbimin me pagesë të aksesorëve që ofronin gjatë fluturimeve arritën të mbulonin 25 për qind të të ardhurave të kompanisë. Një shifër jo e vogël kjo. Jemi vërtet të detyruar për të bërë zgjedhjen mes një hoteli me pesë yje, ku të kesh në dispozicionin tonë personelin, shampot dhe një dhomë spartane, ku një veprim shtesë çon në një faturë më të majme?

Si mund të pajtohet një shërbim transporti që mund të çojë vetëm disa kile bagazhe me hotele ku të përdoren telefonat dhe makinat elektrike të kafesë të sjella nga shtëpia? Për ekspertët e këtij sektori kjo lloj risie nuk është e destinuar të jetë e suksesshme. “Dhjetë vjet më parë u prezantua formula e hoteleve pa yje ku nuk ka recepsion dhe gjithçka është e automatizuar. Por në shumë vende të Europës nuk qenë të suksesshme duke qenë të preferuarit e një numri shumë të vogël udhëtarësh, mbi të gjitha të rinjsh.

Si kategori jemi shumë favoritë ndaj çdolloj risie në këtë fushë, por kemi pak dyshime se hotelet low-cost do të jenë të suksesshme”. Edhe Piero Marzot, një sipërmarrës dhe pronar i dy prej hoteleve më të bukura në Milano, ku pushojnë VIP-at është skeptik mbi këtë fakt: “Nëse njerëzit do të kërkonin hotelet low cost, atëherë si mund të shpjegohet se përse në sajtet e specializuara komentet i përkasin gjithmonë shërbimit. Ne jemi maniakë të pastërtisë dhe ekonomikisht kam vërtetuar se të kushton më pak të pastrosh mirë një dhomë çdo ditë sesa ta bësh me largimin e të ftuarit.

Pyes veten se çfarë kursimi përfshin pastërtinë atje ku nuk ka pasur shërbim për një javë megjithatë, hotelet janë të ndryshme nga mjetet e transportit. Njerëzit duan siguri dhe mbrojtje gjatë natës dhe një hotel i mirë është ai që njeh “psikologjinë e rizgjimit” dhe arrin të mos i bëjë të ndihen vetëm dhe të pambrojtur të ftuarit e tij”.

Ka edhe falas

Të jetosh pa para është e mundur edhe në qytetet më të shtrenjta të botës. Mjafton t‘u hedhësh një sy ofertave si "Paris 0 Euro", "NY Free", ku jepen disa këshilla të vlefshme se si mund të kalosh kohën mes muzeve, kopshteve zoologjike, teatrove, koncerteve, kafeve, kurseve të kayak-ut, të tangos, të cilat janë absolutisht falas. Perspektivat e së ardhmes duken shumë të mira. Sipas linjës ajrore më të mirë low cost "Ryan Air" brenda vitit 2010, 50 për qind e biletave të linjave me çmim të ulët do të jenë gratis falë shërbimeve të ndryshme, si p.sh., lejimi i pijeve të ndryshme në bord ose i lojërave kompjuterike. Sipas motorit të kërkimit "Google", është e mundur që të telefonojmë falas, pa paguar fare, sepse nëpërmjet telefonave pranon që të marrësh imazhe, tekste dhe video publicitare. Ndërkohë, për të jetuar me buxhetin zero, duhet të zbatohen disa kushte.

E para? Të shfrytëzosh publicitetin. Në Kanada, SHBA, Britani të Madhe dhe në Francë ka pak kohë që po përdoret dhurimi i makinave. Firma të ndryshme ua dhurojnë personave që kanë një patentë, por me një kusht: që ta përdorin makinën me emrin e sponsorëve të tyre. Skenaristët e rinj shkojnë më tej me metodën "tryvertising", një taktikë publicitare, e cila konsiston në dhurimin e produktit që të përdoret nga konsumatori. Mund të dhurohet një shampo, një lloj kafeje, një krem pas rroje pa paguar fare para. Interneti është vendi ku ne hasim më shpesh fjalët "gratis" dhe "free". Në një sondazh të realizuar nga motori i kërkimit "Google", fjalët që përdoren më tepër në internet janë pikërisht "gratis", "free" dhe "sex". Ekzistojnë me dhjetëra faqe në internet (si p.sh., "The Freesite", "FreeChannel", "Soldissimi.it"), të cilat janë të specializuara për atë që mund të ofrojë interneti pa harxhuar një qindarkë: konsulencë e personalizuar dhe informacion të pafund.

Me anë të një lap-topi mund të navigosh në internet për orë të tëra: faqja "Anchor Free" regjistron të gjitha spotet "Hot Wi-Fi" (zonat e lidhjes pa kabllo) në 86 vende. Edhe pushimet gratis nuk janë më një utopi: të flesh pa harxhuar asgjë në një udhëtim është tashmë gjëja më e lehtë. Për të ndihmuar ata, të cilët do të kalojnë natën në aeroport, është faqja e internetit "Sleeping in Airport", e cila është e specializuar për të mirëpritur të interesuarit. Kjo e fundit ofron 4564 aeroporte nga më "inferioret" në më të "shkëlqyeshmet" për komoditet, siguri dhe gjumë të qetë. Vendin më të mirë për këtë ofertë e mban Singapori: vaska me hidromasazh, karrige me alarm zgjimi, bar me karaoke, vizita nëpër qytet, ku gjithçka ofrohet falas.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama