Mishi i lopës, viçit, dhisë, buallit, qengjit, deles dhe i drerit bëjnë pjesë te mishi i kuq. Sipas mjekut gastroenterolog Altin Cekodhima , mishi i kuq pa dhjam nuk është i vetmi burim i mirë për proteina dhe energji, ndonëse ka përfitime në shmangien e sëmundjeve të zemrës. Sipas tij, konsumimi i yndyrnave shtazore duhet të reduktohet, në përgjithësi, jo vetëm te pacientët me patologji të ndryshme. Doktor Cekodhima shpjegon se mishi i kuq është një burim i mirë për proteina dhe energji. Furnizon përreth 30% të yndyrnave nga 100-130 gram yndyrna që përgjithësisht njerëzit mund të konsumojnë çdo ditë e gjithashtu ky lloj mishi përmban gati 40% edhe të energjisë që trupit i nevojitet.
Por në lidhje me debatin sa i shëndetshëm është mishi i kuq, dietologët mendojnë se për të shmangur një numër të madh sëmundjesh siç janë diabeti, obeziteti, disa lloje kanceresh dhe hipertensioni ne duhet të pakësojmë konsumimin e yndyrnave. Madje duke konsumuar më pak mish të kuq, ne mund edhe të ulim riskun e vdekjeve prej sëmundjeve të zemrës, si prej ateriosklerozes gjatë shumë viteve.
Çfarë kërkohet për këtë?
Eshtë e thjeshtë: duhet të ndjekim një dietë me pak yndyrna. Mos harroni që arterioskleroza mund të çojë në vdekje për shkak të bllokimit të enëve të gjakut të zemrës dhe rrahjeve të çrregullta të saj. Për këtë arsye duhet të shmanget konsumimi i yndyrnave shtazore, që janë të tepërta në mishin e kuq. Studimet kanë treguar se vaji bimor dhe vaji i peshkut mund të reduktojë risqet. Nga ana tjetër, studimet tregojnë se acidet yndyrore të thjeshta, të gjendura në vajrat shtazore janë të dobishëm në reduktimin e rrahjeve jo normale të zemrës. Këto lloj acidrash janë gjendur dhe tek mishi i kuq. Studimet kanë treguar gjithashtu se konsumimi i mishit të kuq pa dhjamë është efektiv në uljen e nivelit të kolesterolit. Nuk është mishi, por yndyrnat e dukshme që janë shkaktari i shqetësimit për konsumatorët.
Mishi pa dhjamë – konsumimi dhe prodhimi
Mishi i kuq pa dhjamë nuk është vetëm një burim i mirë per proteina dhe energji por gjithashtu edhe një mënyrë për shmangien e sëmundjeve të zemrës. Megjithatë konsumimi i yndyrnave duhet reduktuar. Kërkesa e publikut për konsumimin e tij në mënyrë të kufizuar paraqet një sfidë të vërtetë për fermerët dhe shkencëtarët të cilët duhet të gjejnë rrugët për prodhimin esencial në mënyrë efikase të tij. Ndonëse mishi i përpunuar me yndyrna të larta ose mjetet konservuese kanë treguar lidhje midis rritjes së riskut për kancer të zorrës së trashë, ky risk nuk shfaqet në përdorimin e mishit të kuq, sipas shumë studimeve të bëra.
30% në 100-130 gram yndyrna mund të vijnë çdo ditë vetëm nga mishi i kuq, nëse e konsumojmë çdo ditë. Kjo është një përqindje e lartë, pasi gjatë ditës ne do të jemi të detyruar të furnizohemi me shumë yndyrna të tjera.
25 % duhet të jetë reduktimi i yndyrnave për personat që vuajnë nga diabeti, obeziteti, sëmundjet kronike të veshkave, disa lloje kanceresh dhe hipertensioni
Mishi i bardhë, ja përse është i shëndetshëm
Mishi i bardhë i referohet çdo mishi lehtësisht i koloruar si peshku, frutat e detit dhe veçanërisht mishi i shpendëve. Këtë e pohon gastroenterologu Altin Cekodhima i cili shpjegon se “në një kuptim më të gjerë, mishi i bardhë përfshin çdo lloj mishi me më pak yndyrna në krahasim me mishin e kuq”. Termi mishi i bardhë është përdorur për shkak të mishit të pulës i cili është i bardhë. Shembuj të mishit të bardhë janë proteinat shtazore prej mishit të shpendëve (pulës, gjeli i detit, rosës) peshkut dhe zvarranikëve, mishi i amfibëve siç janë këmbët e bretkosave, krustacët (karavidhet, karkalecat, gaforrja), midhjet, etj.
Por lind pyetja: sa i shëndetshëm është mishi i bardhë?
“Mishi i bardhë është mish pa dhjam. Në këtë kontekst ky lloj mishi është ushqim i shëndetshëm”, thotë doktori.
Shumë studime rekomandojnë shmangien e mishit të kuq dhe shumë njerëz pyesin a është mishi i bardhë më i mirë. E rëndësishme, nuk është ngjyra apo lloji i mishit në vetvete. “Më e rëndësishme është shmangia e yndyrnave të ngopura të cilat çojnë në rritjen e nivelit të kolesterolit”, pohon Dr. Cekodhima.
Sipas tij mishi i bardhë është ndryshe nga mishi i kuq dhe gjithashtu konsiderohet mish më i lehtë.
“E veçanta e mishit të bardhë është se ka pak yndyrna në krahasim me mishin e kuq. Mishërat që tradicionalisht janë menduar si të bardhë si psh mishi viçit dhe i qengjit janë riklasifikuar si të kuq. Një tjetër arsye pse specialistët rekomandojnë konsumimin e mishit të bardhë, në krahasim me atë të kuq, ka të bëjë me faktin se mishi i bardhë ka më pak kalori”, shton Cekodhima. Në këtë kontekst mishi i bardhë është një produkt që u rekomandohet të gjithë pacientëve të cilëve u kërkohet të mbajnë një dietë rigoroze, me aq proteina sa kërkon trupi dhe jo më shumë. Sidomos pacientët me sëmundje kronike renale, janë ata që duhet të shmangin mishin e kuq e të përdorin më shumë mishin e bardhë.
Çfarë duhet të zgjedhim?
Në fund të fundit, nuk ka rëndësi cilin mish konsumoni. Ju mund të mbroni veten ndaj problemeve shëndetësore në qoftë se ju hani me kontroll. Eshtë e vërtetë se mishi i bardhë nuk ka lidhje me disa probleme shëndetësore që kanë, në fakt, lidhje me mishin e kuq. Ai nuk përmban yndyrna dhe ka të mira që ju mund t’i merrni prej tij në krahasim nga mishi i kuq, si për shembull vitaminat dhe mineralet. Koncepti “i kuq” i referohet ngjyrës që mishi ka para se të gatohet. Për këtë arsye duhet të keni parasysh se mishi i kuq përfshin të gjitha llojet e mishrave të kafshëve të mëdhaja por edhe disa lloje të shpendëve si për shembull rosa dhe pata.
Nga ana tjetër, mishi i kuq është burim i disa mineraleve, vitaminave, hekurit dhe proteinave. Gjithashtu është një burim i mirë i antioksidantëve, në veçanti i acidit alfa lipoik i cili gjendet në sasi të mëdha.
Risku i kancerit
Studime të shumta në numër për shumë vite kane zbuluar një lidhje midis konsumimit të shumtë të mishit të kuq dhe zhvillimin e disa lloje kanceresh si psh; kanceri i gjoksi, i stomakut, zorrës së trashë, prostatës, vezikës urinare dhe limoma.
Konsumimi i mishit të kuq i cili është gatuar, mundet vetëm të rrisë riskun për kancer, për shkak të zhvillimit të disa komponenteve kancerogjenikë (heterocyclic amines). Kërkimet e fundit të vitit 2009 nga Insituti Nacional i Kancerit kanë treguar lidhjen midis konsumimit të mishit të kuq në sasi të mëdha me vdekshmërinë prej dy sëmundjeve: të zemrës dhe kancerit.
Problemet me zemrën
Në qoftë se ju filloni të shfaqni probleme të zemrës pasi keni konsumuar për një kohë të gjatë mish të kuq do të thotë që keni konsumuar sasi të mëdha. Fillimi i sëmundjeve kardiovaskulare është gjendur gjithashtu në studimet që kanë kërkuar efektet e mishit të kuq në shëndet. Një arsye e mundshme për këtë lidhje midis mishit të kuq dhe problemeve kardiovaskulare mund të jenë sasitë e mëdha të yndyrnave të ngopura në të. Në 2010, në një studim të bërë ku u përfshinë 348,000 subjekte u kuptua se, kur yndyrnat e ngopura u zëvëndësuan me yndyrna të llojeve të tjera, të pangopura, kishte realisht reduktim të sëmundjeve kardiovaskulare. Për më tepër studimet shtesë kanë zbuluar lidhjen midis kancerit të prostatës dhe të gjirit dhe marrjes së yndyrnave të ngopura. Edhe njëherë prania e yndyrnave të ngopura e bëjnë mishin e kuq të rrezikshëm për shëndetin në qoftë se tejkalohet konsumimi i tij.
Tensioni i lartë
Hypertension, ose presioni i lartë i gjakut, është një tjetër arsye për të dyshuar që ju keni konsumuar në sasi të mëdha mishi të kuq. Në studimet e fundit në një spital në Boston, u arrit në përfundimin se risku për tension të lartë rritet me rritjen e konsumimit të mishit të kuq. Ky studim u fokusua te gratë mbi moshën 45 vjeç për një periudhë kohe 10 vjeçare. I njëjti studim u këshilloi grave të mos e heqin komplet mishin e kuq nga dieta e tyre por mos të konsumojnë sasi të mëdha mishi të kuq.