Mishngrenes VS Vegjetariane te jesh apo te mos jesh

Mishngrenes VS Vegjetariane, te jesh apo te mos jesh
Ndonëse ata mbeten pakicë në tendencën e tyre sërish ekzistojnë dhe janë shumë të vendosur për të qenë vegjetarianë. Madje ata përdorin të gjitha argumentet se pse janë kundër mishit dhe produkteve shtazore. Në fakt në vendin tonë asnjë institucion shtetëror nuk ka bërë qoftë edhe një studim të vetëm në lidhej me këtë kategori njerëzish edhe pse ata janë prezent ashtu si edhe në vendet e tjera. Në lidhje me njerëzit vegjetarianë flasin vetë njerëz të kësaj rryme, dietologia klinike, Blerina Bombaj dhe psikologë. Duhet apo nuk duhet të jesh vegjetarian dhe a duhet të ketë ndikim mënyra e kësaj ushqyerje edhe tek fëmijët…?

Dikur hante mish si gjithë të tjerët por sot nuk ulet në një tavolinë që ka mish. Që në vitin ’97 ka vendosur të mos konsumojë mish, por të jetë vegjetarian. Ky vendim i Genci Muçollarit erdhi në mënyrë graduale kur informacioni që kishte marrë në lidhje me të këqijat që të vijnë nga konsumi i mishit ishte i bollshëm për t’i thënë “stop” mishit dhe për tu bërë vegjetarian. Në fakt Genci pohon se ushtron edhe joga. Por lind pyetja a ka ndikuar ai në familjen e tij për të qenë edhe pjesëtarët e familjes vegjetarianë. “Unë kam bashkëshorten dhe vajzën time të vogël Ëmbla. Unë nuk kam ndikuar që ato të jenë vegjetariane si unë, por për shkak të informacionit që ka marrë bashkëshortja kemi vendosur të jemi të gjithë vegjetarianë. Duhet të dini se ky vendim është për faktin se konsumi i mishit sjell shumë pasoja negative për shëndetin sepse mishngrënësit kanë më shumë sëmundje dhe vdesin më shpejt dhe kjo sipas të dhënave shkencore”,- pohon Genci Muçollari.

Dietologia klinike, Blerina Bombaj thotë se të jesh vegjetarian ka edhe pasoja negative, madje ajo është kundër faktit se fëmijët duhet të jenë vegjetarianë. “Duhet të theksoj se për fëmijët e vegjël është jo vetëm e pakëshillueshme të jenë vegjetarianë aq më tepër veganet (ata që nuk përdorin as vezën, qumështin dhe nënproduktet e tij), por është thuajse e pamundur. Fëmijët të cilët janë mbi 1 vjeç sipas saj duhet të fillohet tu jepet mishi i kuq në të kundërt ata bëhen anemikë”, pohon Blerina Bombaj. Sipas saj të jesh vegjetarian është një zgjedhje personale dhe fëmijët para se të bëhen të rritur nuk duhet t’iu thuhet nëse duan apo jo të jenë vegjetarianë, sepse është zgjedhje personale e njerëzve. Më tej ajo shpjegon se vegjetarianët janë një pakicë edhe në botë kurrë nuk kanë mundur të kthehen në tendencë. Njerëzit kanë nevojë të ushqehen me mish edhe nga pikëpamja tipologjike e tyre. Sipas dietologes sigurisht që studimet tregojnë se të jesh vegjetarian ka edhe anë pozitive si fakti që kjo kategori bën më pak sëmundje kardiovaskulare apo tumorale, por kurrsesi nuk duhet të thuhet se mishi duhet mënjanuar. Kjo sipas dietologes sepse produktet shtazore janë superiore sa i takon vlerave ushqyese krahasur me produktet bimore. Vetëm soja mund të llogaritet me vlera të krahasueshme me ato shtazoret. Duhet të theksojmë se asnjë fe nuk e ka si rregull moskonsumin e mishit madje as budistët këta të fundit e konsumojnë, por thjesht nuk i therin vetë. “Mendoj se edhe me disa të meta që kanë produktet shtazore ato mbeten me vlera të larta kuptohet kur ato janë natyrale”, pohon Blerina Bombaj.

Psikologia: Të qenurit vegjetarian ka lidhje me psikologjinë e personit

Edukimi i fëmijëve për të ngrënë në mënyrë të shëndetshme është padyshim i rëndësishëm, por shmangia krejtësisht e një ushqimi si mishi, mund të ngadalësojë mirërritjen dhe përfitimin e proteinave të nevojshme për trupin e tyre. Por të qenit vegjetarian ose jo ka lidhje të drejtpërdrejtë edhe me efektet psikologjike të personave sidomos të fëmijëve. “Nëse një fëmijë do të shikonte ndonjë kafshë duke u therur dhe pasi të gatuhej ti thuhej se ai është mishi i viçit që u ther zor se do ta hante. Pra kjo ka edhe efekt psikologjik”, pohon psikologia Ilisa Polena. Sipas saj numri i familjeve vegjetariane nuk është shumë i lartë në Shqipëri, por  ajo beson se do të rritet pasi në vend ka hyrë një kulturë e re e të ushqyerit. Ajo pohon se studimet e fundit tregojnë se si fëmijët e nënave vegjetariane, të privuar nga proteinat shtazore, lindin më të vegjël dhe rriten më ngadalë, një efekt që mund të kthehet në problem të vazhdueshëm për jetën e tyre të mëvonshme. Në rast se mjekëve u duhet t’i kthejnë këta fëmijë me një organizëm normal, atyre u duhet që për dy vjet, të hanë një sasi të kufizuar mishi në ditë, që të kthehen në njerëz më energjikë dhe aktivë. Ushqimet me origjinë shtazore përmbajnë disa substanca ushqyese që nuk gjenden tek asnjë produkt tjetër ushqimor.

ISHP: Nuk kemi asnjë studim për vegjetarianët

 Ndonëse ata përbëjnë një kategori njerëzish dhe gjenden në vendin tonë askush nuk është marrë me ata. Nuk dihet fare se sa për qind e popullsisë janë vegjetariane në Shqipëri dhe aq më tepër të ketë studime për ta. “Më vjen keq, por nuk mund të them asgjë në lidhje me vegjetarianët, sepse nuk kemi asnjë të dhënë dhe aq më tepër të flasim nëse është mirë apo keq të jesh vegjetarian”, pohon specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Danjela Nika. Ndërsa kreu i këtij dikasteri, Enver Roshi mungesën totale të studimeve në lidhje me vegjetarianët e shpjegon me faktin se institucioni që drejton është marrë më gjëra më të rëndësishme dhe ende nuk i ka ardhur radha vegjetarianëve.

Historia e dietës vegjetariane

Që nga fillimet e historisë së shkruar, gjejmë se dieta vegjetariane konsiderohej si dieta natyrore për njerëzimin. Grekët e hershëm, Egjiptianët, dhe hebrejtë i përshkruanin qeniet njerëzore si frutëngrënës. Priftërinjtë e mençur të Egjiptit nuk hanin kurrë mish. Shumë filozofë të mëdhenj Grekë-duke përfshirë Platonin, Sokratin, dhe Pitagorën- ishin mbrojtës të fuqishëm të dietës vegjetariane. Qytetërimi i madh i Indianëve Inkas bazohej në një dietë vegjetariane. Në Indi, Buda i nxiti dishepujt e tij që të mos hanin mish. Shenjtorët Taoistë ishin vegjetarianë. Edhe krishterët dhe hebrejtë e hershëm ishin gjithashtu vegjetarianë. Bibla e shpreh qartë: “Dhe Perëndia tha, ‘Dëgjoni, unë ju kam dhënë çdo farë që lëshon bimë, e cila gjendet mbi sipërfaqen e tokës dhe çdo pemë, në të cilat ka fruta; për ju, ato do të jenë si mishi.’ (Zanafilla 1 : 29).” Dhe më tej Bibla e ndalon ngrënien e mishit; “Por mishin e gjallë dhe gjakun, ju nuk duhet t’i hani. (Zanafilla 9 : 4). Pali, një nga dishepujt më të mëdhenj të Jezusit, shkroi në letrën e tij për Romakët, “Është mirë të mos hani mish… (Romakët 14 : 21).” Kohët e fundit historianët kanë zbuluar tekste të hershme të ngjashme me Dhiatën e Re që përshkruajnë jetën dhe ligjëratat e Jezusit. Në një nga këto shkrime Jezusi thotë: “Dhe mishi i kafshës së therur në trupin e njeriut, do të bëhet varri i tij. Sepse unë me të vërtetë ju them, ai që vret, vret vetveten, dhe kushdo që ha mishin e kafshëve të therura, ha trupin e vdekjes. (Essenë e Ungjillit të Paqes).”Hindutë e hershëm në Indi gjithmonë e ndalonin ngrënien e mishit. Manu, ligj-vënësi i parë Hindu, shkruante, “Mishi asnjëherë nuk mund të përdoret pa shkaktuar dëm tek krijesat e gjalla, dhe nëse njeriu dëmton qeniet e vetëdijshme, ai nuk mund të fitojë lumturinë qiellore. Pra, si rrjedhim, largojuni mishit.” Libri i shenjtë i Islamit, Kur’ani, ndalon ngrënien e “kafshëve të ngordhura, gjakut dhe mishit. . .” Një nga dishepujt e parë dhe më të shquar të Muhamedit, nipi i tij, i këshilloi dishepujt më të lartë, “Mos e bëni stomakun tuaj varr për kafshët.” Kështu, pra shohim që gjatë gjithë historisë, shumë njerëz të urtë dhe të njohur kanë përshtatur dietën vegjetariane, dhe i kanë nxitur të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë.

Disa Vegjetarianë të Famshëm

Platoni, Sokrati, Ovidi, Seneka, Klementi i Aleksandrisë, Plutarku, Pitagora, Leonardo da Vinçi,  Papa Aleksandër, Sir Isak Njuton, Jean Jacque Rousseau, Volteri, Xhon Milton, Çarls Darvini, Persi Bishi Shelli, Ralf Waldo Emerson, Henri David Thoreau, Richard Wagner, Benjamin Franklin, Leon Tolstoi, Louisa May Alcott, H. G. Wells, Mahatma Gandhi, Rabindranath Tagore, Xhorxh Bernard Shou, Albert Schëeitzer, Dalai Lama i Tibetit, Albert Ajnshtajn etj.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama