Miss Globe ne Sarande Mbi 100 jahte nga Korfuzi do te rrethojne skenen mbi det
- Botuar: 15 vite më parë
- Shkruar nga:
Mbi 100 jahte nga Korfuzi do të rrethojnë skenën mbi det të spektaklit të bukurisë Miss Globe, që do të kurorëzojë më të bukurën e globit në detin e mrekullueshëm të Sarandës, në 25 shtator.
Ky është premtimi që ka dhënë producenti Petri Bozo, i cili paralajmëron një spektakël që nuk është parë ndonjëherë, pikërisht për edicionin e 37 të "Miss Globe International".
Burime nga stafi organizator thanë për agjencinë NOA se tashmë po vijnë konfirmimet për pjesëmarrje në këtë konkurs botëror bukurie nga drejtorët nacionalë të këtij evenimenti nga të gjitha vendet e botës.
Mësohet se producenti i spektaklit Petri Bozo ka nisur udhëtimet nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë, ku do të drejtohet turi i vajzave e mbi të gjitha në qytetin bregdetar të Sarandës, ku do të zhvendoset sivjet skena e spektaklit, i treti në radhën e konkurseve për nga rëndësia në botë.
Për të shtatin vit si organizator, por edhe si mbajtës i patentës ndërkombëtare edhe për pesë vite të tjera, Petri Bozo duket se për këtë vit ka menduar një shfaqje të veçantë.
Sipas stafit të organizatorëve thuhet se këtë herë spektakli do të dalë nga kufijtë tradicionalë të një konkursi ndërkombëtar, pasi skena e cila do të hyjë deri në det, është menduar të ngrihet përballë hotel "Grand" në Sarandë.
Por, këtu duket se nisin edhe detajet e pasarelës mbi të cilën do të parakalojnë vajzat.
Duket se tashmë janë kryer të gjitha marrëveshjet e nevojshme, që në darkën e 25 shtatorit, mbi 100 jahte të ardhura nga Korfuzi do të rrethojnë skenën, jo vetëm për të shijuar spektaklin, por edhe për ti dhënë një tjetër shije, darkës finale të Miss Globe.
Ndërkaq, producenti Bozo, ka nisur rrugëtimet e tij si producent dhe regjisor i spektaklit, nga Tirana drejt Sarandës, Delvinës dhe Konispolit, për të plotësuar tërë dekorin e nevojshëm organizativ për pritjen e bukurosheve nga mbarë bota, të cilat do të shëtisin nëpër disa qytete të vendit.
Mbërritja e të gjitha vajzave konkurente në Shqipëri pritet nga data 12 deri më 14 shtator.
Ndërsa në 15 shtator, vajzat do të nisen drejt jugut për të shkelur pëllëmbë më pëllëmbë rivierën shqiptare, plazhet e mrekullueshme të bregut të Jugut, deri në Sarandë.
Ndërkaq qytetet e Delvinës dhe Konispolit do të jenë pjesë e hartës, por mbi të gjitha pjesë e rëndësishme e minispektakleve "Miss Talent", një nga programet traditë, por edhe të rëndësishëm të këtij konkursi bukurie.
Ambasadoret e bukurisë nga të gjitha vendet e botës në këtë tur konkurimi do të shijojnë jo vetëm natyrën shqiptare, por do të vizitojnë nga afër edhe disa nga kryeqendrat historike si kalanë e Porto Palermos, Parkun e Butrintit, qendrën kaonike epiriote të Delvinës, ku do të mbahet edhe nata e parë e minispektaklit "Miss Talent" show etj.
Do të jetë fituesja e vitit të kaluar, algjeriania Samah Gahfaz, e cila do ti dorëzojë kurorën e bukurisë më 25 shtator një tjetër fitueseje, këtë herë mbi Jon.