Misteret e Muzgut (dialog)


(Muzg. Në fillim janë dy. I treti vjen dhe ikën disa herë me radhë)

“A nuk ju duket se e shfaq të plotë harmoninë ky muzg?”
“Gabohesh, miku im. Harmonia e fshehur është më e fortë se ajo që shfaqet”.
“Mister, atëherë. Të kujton një femër...”
“Për femrat mund të mësosh sa je i ri. Më vonë gjithçka është keqkuptim”.
“Iku edhe kjo ditë: u harxhua si jetë poeti...”
“Jeta e një poeti është plagjiaturë e veprës së tij”.
“Poeti është veçse një viktimë naive dashurishë...” “Përralla! Dashuria për maskën është një tipar i poetit të vërtetë”. “Poeti. Poezia. Pesoa. Pushkini. Një shampanjë ruse...” “Poezia lind nga grindja e brendshme”.
“Ndoshta. Veçse Artisti vuan për arsye banale dhe idiote.
“Nuk falet gjithë kjo siguri në moshën tonë”.
“4O vjeç i ke mësuar dhe bërë të gjitha, më pas vegjeton…” “Nuk ka më artistë, miku im. Ka sharlatanë. Faji është i kohës”. “Nderim arsyes. Njeriu që mendon, fiton gjithmonë...”
“Sot gatuhen fitore të vogla e të çastit, jo fitore të mëdha e të përjetshme”. “Pushtimi i një femre nuk është fitore e vogël...”
“Femra është si muzgu, miku im: çel vetëm në duart e një burri. Kurse burri vyshket në duart e gruas”.
“Shikoji si puthen e dashurohen: pa kurrfarë fshehtësie e misteri”.
“Po rritet një brez i ri, i cili, ndonëse në dukje tregohet shumë pragmatik, në të vërtetë kërkon një mit të ri”.
“Ikin si hijet. Thua se kanë humbur gjithçka...”
“Është mirë të rrini larg nga njerëzit, të cilët nuk kanë asgjë për të humbur”. “Kurse ju nuk bëni mirë që ua ktheni shpinën realiteteve...”
“Jam i detyruar të krijoj realitete të rinj, ngase jetoj në një realitet banal e vulgar”.
“E ndien si dihat ky muzg? Si të ishte njeri i gjallë...”
“Njeri, thatë? Vjen një ditë dhe Njeriu në ty mbarohet”. “E sheh si bredh e vetmuar ajo vajzë?...” “Një vajzë që sot ndihet e vetmuar, është një nënë e ardhshme”.
“Oh, sa mirë me qenë poet!”
“Ballkani i vlerëson poetët vetëm të therur”.
“Sonte mos fol për vdekjen, të lutem...”
“Mos mendo për vdekjen dhe mos harro se je i vdekshëm”.
“Sonte jam unë. Unë dhe vetëm unë. Edhe ky muzg. Gjithçka tjetër është hipotezë...”
“Mos moho, se do të të mohojnë”.
“Asgjë nuk duket e vërtetë sonte... gjithçka si e ëndërrt...”
“Njerëzit me intelekt të fuqishëm nuk janë kurrë të sigurt nëse gjithçka që na rrethon nuk është vallë ëndërr”. “Shiko si harbon ai burrë! Dhe e ndot këtë muzg...”
“Gabohesh, miku im: një burrë pa grua nuk është një krijesë njerëzore”.
“Femra në muzg dhe muzgu brenda femrës... kafshohen e puthen...” “Femra nuk duhet puthur, duhet pështyrë”.
“Mos, mik! Më pas vjen Kuptimi. KUPTIMI e KRIJIMI. Bëheni TRE”. “Trinia, më shumë se e shenjtë, është problematike”.
“Kështu thonë përvojat tuaja, miku im. Jeta jote”. “Fatkeqësisht, jeta i ngjet lojës së shahut: mjafton një lëvizje e gabuar dhe ke humbur lojën...”
“...prandaj dhe shpikëm dashurinë...”
“...përrallën...”
“Një njeri që dyshon në dashurinë e tij, dyshon edhe në gjithçka tjetër”.
“Nuk është gjithmonë e lehtë të thuash të vërtetën, sidomos kur ajo duhet formuluar shkurt...”
“Sidomos në muzg!”
“Kur femra kërkon angazhim të plotë. Ndjesor dhe seksUUUal”.
“Vetëm në pak persona të zgjedhur bashkëjetojnë ndjenja dhe seksualiteti”.
“NJËRI jam UNË!”
“Në jetë, miku im, asgjë nuk kushton më shumë se sëmundja dhe... budallëlleku”.

(Qeshin me zë të tre. Prapë muzg)

“Duke qeshur mund të thuash gjithçka, bile edhe të vërtetën”.
“Nuk ka dyshim: ne jemi të paracaktuar për një të hënë të madhe!”
“Dakord, por e diela nuk po mbaron kurrë...”
“Ke filluar të merresh me veten, miku im?”
“Përderisa s’më vëzhgon askush, duhet të vëzhgoj vetveten”.
“Edhe njerëzit kanë ikur. Thua se i trëmben muzgut...”
“Më lehtë gjendet Zoti në qiell se Njeriu mes rrëmujës së sotme”.
“Shikoje, shikoje njërin! Sa shumë të ngjason, o Zot!”
“Mos i beso kurrë atij që të shëmbëllen”.
“Po bën letërsi, më duket?”
“Letërsia jep simbole. Ajo është një mineral i çmuar, i nxjerrë nga jeta”.
“Po flet për poezinë, më duket?”
“Oh, sa mirë me qenë narrator!”
“Gjithçka që është e përsosur në gjininë e saj, e kapërcen këtë gjini, për t’u shëndërruar në diçka tjetër, të pakrahasueshme e të pakualifikueshme”.
“Në djall Arti! Bëhet edhe pa të”.
“Nëse hiqet arti, atëherë dashuria do të jetë vetëm një nevojë biologjike”.
“Sa i rëndomtë ky perëndim dielli...”
“Për bretkun simbol i bukurisë është bretkosa”.
“Merrini gjërat më thjeshtë, miku im”.
“Urrej më shumë se gjithçka thjeshtësinë”.
“Më shumë se gjithçka çmoj thjeshtësinë”.

(Dy rrihen. Muzg. I treti vjen dhe bën pajtimin)

“Në çastin që nisni të flisni për diçka, ajo ju shket nga duart”.
“... si ngjala...”
“... si gënjeshtra...”
“Në një roman, e vërteta dhe gënjeshtra duhet t’i këmbejnë vendet pa pushim”.
“Kam humbur shijen e femrës... Fat apo mallkim?”
“Mrekullitë nuk ndodhin çdo ditë”. “Ndërsa vitet ikin, shumohen gjykatësit që të ndëshkojnë”.
“Kjo nuk ndodh me mua: jeta ime është e tillë, sikur të isha i sigurtë për një jetë të dytë”.
“Sepse?...”
“I kam bërë, provuar e shkruar të gjitha dhe jeta tashmë më rëndon mbi shpatulla”.
“Artikulimi i vuajtjes është e vetmja mënyrë për të shmangur vetvrasjen”.
“Ky muzg është ishulli im dhe unë Robinsoni i tij...”
“Nderim atyre që u rrekën të gjenin Ishullin e Robinson Kruzosë!”
“Nuk ka më të rrezikshme sesa ta gjesh jetën tënde të ngjajshme me atë të dikujt tjetër. Nuk ka dy jetë të ngjajshme. As dy fate të tillë”.
“Mea culpa”.
“Work in progress”.
“Tashmë edhe ironia, edhe cinizmi janë të vjetëruar, të dalë mode. Ushqim për të gjithë”.
“Panem et circenses”.
“Public relations man”.
“Seneka predikonte virtytin dhe thjeshtësinë, por vetë qe ndër patricët më të pasur të Romës. Bile, lëshonte para me fajde...”
“Në djall Seneka! Edhe fajdet. Vetëm poezia mbetet”.
“Domethënë emocioni... shprehja e TIJ... personaliteti... shprehja e TIJ...”
“Poezia nuk është çlirim i emocionit, por një arratisje nga emocioni; ajo nuk është shprehje e personalitetit, por një arratisje nga personaliteti. Por, natyrisht, vetëm ata që kanë personalitet dhe emocione e dinë se çfarë do të thotë të arratisesh nga këto gjëra”.
“Pra, ju e besoni se ALFRED PRUFROKU është emri i një fabrike?”
“Pa dyshim. Ashtu siç besoj se përjetësia fitohet përmes kujtesës së të tjerëve”.
“Përjetësia është iluzion. Liria jo”.
“Të jesh i lirë, gjithnjë do të thotë të mbijetosh në kurriz të një tjetri”. “Jo! Liria është thjesht inteligjencë”.
“Vetëm urrejtja mund t’i bëjë njerëzit inteligjentë”.
“Jo! Dashuria”.
“... urrejtja...”
“Nuk mund të të urrej, sepse s’je i lumtur”.
“... sepse jam i ditur...”
“Sa më i ditur të jetë njeriu, aq më të vështirë e ka t’i japë përgjigje pyetjeve të një të budallai”.

(Prapë rrihen dy. I treti sodit. Muzgu trashet)

“Burrat rrihen, sepse gjërat s’janë siç duhej të ishin”. “Sa e vështirë dhe sa e hidhur është të bëhesh njeri!”
“Nëse nuk je, nuk bëhesh”.
“Ju nuk më kuptoni. Këtu askush, përveç Sibilës, nuk mund të kuptojë gjë”.
“Edhe ti, o ***?!”
“Kujdes etikën, ju lutem! Vlera e letërsisë nuk mund të kushtëzohet vetëm nga standartet letrare, duhen edhe ato etike e teologjike...”
“Po më neveriteni, miku im”.
“Ankthi tregohet më i fortë se neveria”.
“A nuk mund t’i kënaqeni këtij Muzgu të Mrekullueshëm? Edhe faktit që jeni?”
“Kënaqësia duhet kërkuar në të shkruar dhe jo në jetë”.
“Amen!”
“Tashti më duhet t’ju lë. Po më thërrasin”.
“Mos shko ku të thërrasin. Shko ku të duan”. “Amen!”
“Ti shkon pajadá drejt vetes tënde. Sepse vetëm atë çmon”.
“Oh, sa e ndyrë do të jetë kjo botë, kur të mos jem unë!”
“Kështu foli Neroni. Të kujton poetët modernë: djeg Romën për hir të këngës së tij”.
“Jo, miku im: kujto gjithnjë se individët njerëzorë janë qëllime dhe mos i përdor ata thjesht si mjete për të arritur qëllimet e tua”.
“Nuk besoj! I mënçuri duhet të udhëheqë e të sundojë, kurse i padituri duhet t’i shkojë pas”. “Kjo nuk duhet të ndodhë mes miqsh...”
“Nuk ka miq njeriu që s’ka provuar armiqtë”.
“Ut ameris, amabilisesto!”
“Nuk vlen për shkrimtarët - kjo racë primitive hakmarrësish!” “Marrija asht nana e tana të zezave”.
“Amen!”
“Muzg i mrekullueshëm! Asnjë kritikë nuk vlen për të...”
“Kritika fal korbat dhe persekuton pëllumbat”.
“Kritikët janë si gratë: na duan për defektet tona”.
“Duaj dhe bëj atë që dëshiron!”
“Amen!”
“Gjithçka që bëhet për hir të dashurisë, është gjithmonë përtej së mirës dhe së keqes”.
“Oh, sa mirë me qenë i dashuruar!”
“Sot, më datë 31 janar 2004, ora 10 fillova të lexoj “Uliksin” e Xhojsit. Me shumë përtesë e mungesë vëmendjeje: jashtë është një ditë e bukur me diell dhe pas xhamave të zyrës sime Kakarisin Katër studente simpatike”.
“Oh, sa mirë me qenë i madh!”
“Madhështinë nga marrëzia një hap i ndan”.
“Si mundesh me qenë i madh me një Atdhe të vogël?” “Nuk e ndërrojmë dot Atdheun, miku im. Më mirë ta ndërrojmë bisedën”.
“1 prill 2004, pasdreke. Sapo mbarova “Uliksin” e Xhojsit. Jam i mrekulluar! Një libër që duhej lexuar, të paktën, 10 vjet më parë. Tashti pena në dorën time peshon shumë më tepër…”
“Jo. Miku im. Nuk je i sinqertë. Kur Përmend Penën. Sepse. Vetëm i bie me dorë. Tastierës së kompjuterit. Ka 10 vjet. Të paktën”.
“Kush nuk ndërron është ose më i urti ndër të zgjedhurit, ose më budallai ndër injorantët”.
“Unë mendoj ndryshe. Njeriu, të paktën njëherë në jetën e tij, duhet të harrojë atë që kanë bërë të tjerët”.
“Të tjerët janë të tjerët. Kurse unë jam dikush”.
“Sa e trishtë me qenë dikush!”
“... ush... ush.... ush...”

(Njëri bën të fyerin dhe rreket të ikë. Dy të tjerët e mbajnë. Ende muzg)

“Duhet një mund i madh për të parë çfarë ka nën hundën tënde”.
“Po më bëni të vuaj, miqtë e mi...”
“Një mendje e vogël vuan për shkak të problemeve të vogla”.
“Nuk desha të fyej askënd. Ligjërova thjesht për hir të ligjërimit...”
“Nuk ka ligjërim të virgjër!”
“Amen!”
“Postmodern!”
“Veprat e artit postmodern i drejtohen në mënyrë simultante një publiku minoritar elitist, duke përdorur kodet “e larta”, si dhe një publiku masiv, duke përdorur kodet popullore”.
“Oh, sa mirë me qenë...”
“... postmodern!”
“Si ky muzg...” “Si këto yje...”
“Si kjo natë...”

* * *

“Natën!”
“Natën!!”
“Natën!!!”

(Ikin të tre. Në drejtime të ndryshme. Bashkë me ta edhe muzgu)

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama