Misteret qe fshihen brenda nesh

Misteret qe fshihen brenda nesh
Shkencëtarët kanë copëzuar atomin, kanë çuar njeriun në Hënë dhe madje kanë gjetur edhe sekretet përbërëse të ADN-së. Kjo sa për të përmendur disa nga zbulimet më të mëdha, ndërkohë që shumë të tjera mbeten mister. Ndër këto mistere renditen edhe 8 sekrete të sjelljes dhe tipareve njerëzore që nuk janë zbërthyer ende plotësisht

Revista “New Scientist” ka hartuar një listë të disa prej sjelljeve dhe reagimeve të përditshme njerëzore, të cilat vazhdojnë të mbeten një mister për shkencëtarët, pavarësisht tentativave të tyre të vazhdueshme për t’i zbërthyer. Në këtë kategori mund të fusim arsyet që na bëjnë të puthim, të skuqemi nga turpi, apo të kapim hundën e veshin kur jemi në siklet. Bëhet fjalë për sjellje shumë njerëzore, të përditshme dhe krejt normale, por që kanë mbetur një mister. Ajo çka është interesante, është fakti se të tilla veprime e reagime janë të shumta dhe enigmatike njëherazi. Këto gjeste, edhe pse mund të duken shumë të thjeshta, janë të vështira për sa i përket gjetjes së shkaqeve e rrënjëve të tyre. Ja disa prej teorive që mundohen të japin një shpjegim i cili mbetet i hapur për diskutim, për sugjerim dhe ndryshim.

Skuqja nga turpi

Charls Darvin u përpoq që të shpjegonte se përse për shkak të evolucionit ne përjetojmë një skuqje të beftë të fytyrës kur jemi duke thënë gënjeshtra, çka është një shenjë paralajmëruese edhe për bashkëfolësin. Megjithatë, disa janë të mendimit se një reagim i tillë i organizmit ka të bëjë me uljen e tensionit apo krijimin e një situate intime përmes shfaqjes së një shenje që përfaqëson dobësi.

E qeshura

Kur ne qeshim, gjëndra të posaçme lëshojnë hormonin e endorfinës, që përmirëson dukshëm humorin, çka na bën të mendojmë se sa e rëndësishme është e qeshura për mirëqenien tonë. Por sipas një studimi të fundit, njerëzit qeshin më shumë nga fjalët apo situatat banale, sesa nga humori inteligjent apo barsoletat.

Puthja

Shpjegimi për puthjen nuk ka gjasa që të niset nga fusha gjenetike, sepse jo të gjitha shoqëritë njerëzore e njohin dhe e përdorin këtë akt. Sipas disa teorive, puthja ka të bëjë nga kujtimet e hershme që kemi nga të ushqyerit me gji. Sipas disa fakteve historike, njerëzit e lashtë i ushqenin fëmijët e vegjël me ushqimin që fillimisht e përtypnin me gojën e tyre dhe pastaj ua kalonin të vegjëlve. Kjo e forconte shumë lidhjen prind-fëmijë.

Ëndërrimi

Sipas teorisë së Frojdit për shpjegimin e prejardhjes dhe domethënies së ëndrrave, këto të fundit janë shprehje e nënndërgjegjes sonë, dëshirave të fshehta e të shtypura. Por kjo teori së fundmi është hedhur pjesërisht poshtë. Sipas disa teorive të tjera, ëndrrat na ndihmojnë që të përpunojmë emocionet, por ndërkohë ka mbetur e pashpjegueshme arsyeja se përse shohim ëndrra me vizione e pamje të çuditshme.

Kruajtja e hundës

Është një zakon aspak i mirë, por shumë i përhapur, fatkeqësisht. Sipas statistikave, shumica e njerëzve e bën këtë veprim më shumë se katër herë në ditë. Për këtë veprim nuk ka asnjë shpjegim, por sipas disave ai mund të ndihmojë në nxitjen e sistemit imunitar.

Adoleshenca

Asnjë qenie tjetër, përveç njeriut, nuk e ka periudhën e adoleshencës: ato vitet e vështira e me shumë shpërthime të papritura që ndajnë fëmijërinë nga rinia. Sipas një shpjegimi, kjo periudhë disavjeçare i jep mundësi trurit që të riorganizohet për të funksionuar ndryshe nga sa ka funksionuar në fëmijëri, ose sipas një tjetër shpjegimi, ajo është një periudhë eksperimentale për shumë gjeste e veprime, para kalimit në moshën më të sigurt e të ekuilibruar të rinisë së hershme.

Altruizmi

Dhënia e gjërave pa pasur ndonjë qëllim fitimprurës është një veprim shumë i pakuptimtë nga pikëpamja evolutive. Por është një nga gjërat më të bukura e vlerat më të mëdha të qenies njerëzore që i jep më shumë kënaqësi atij që dhuron, sesa atij që përfiton prej dhuratës.

Qimet e trupit

Kafshët i kanë në sasi shumë më të mëdha. Për sa u përket njerëzve, ato deri tani dihet se kanë funksion mbrojtjen, mbajtjen ngrohtë dhe ruajtjen e disa organeve të brishta.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama