Asnjë gjurmë nga paratë e vjedhura në Thesarin e Bankës. Grupi hetimor ka marrë përgjigje negative nga bankat e nivelit të dytë, për transferta bankare nga Ardian Bitraj, nëntë të arrestuarit e tjerë apo familjarët e tyre. Njësia Mbikëqyrëse e Lojërave të Fatit: Nga kazinotë nuk është raportuar një xhiro e tillë e madhe
Destinacioni i parave të vjedhura nga Banka e Shqipërisë sipas hetuesve mbetet një prej çështjeve më prioritare të hetimit. Krahas përgjegjësive të zyrtarëve të arrestuar dhe personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë supervjedhje, grupi hetimor është fokusuar në gjetjen e 7 milionë dollarëve, të cilat sipas Ardian Bitrajt janë lënë prej tij në kazino. Një version i tillë është pak i besueshëm për grupin hetimor, i cili ka nisur bashkëpunimin me të gjitha institucionet e sigurisë në vend për të siguruar informacione mbi vendndodhjen e parave.
Kur po mbushet rreth një muaj nga supervjedhja në Bankën e Shqipërisë, hetuesit nuk kanë ende informacione se ku përfundoi shuma e konsiderueshme e parave të vjedhura nga Ardian Bitraj dhe disa prej personave të tjerë të arrestuar për këtë ngjarje. Shpresa e hetuesve se të dyshuarit mund të kishin kryer transferta bankare është zbehur nga përgjigjet e bankave të nivelit të dytë. Sipas burimeve të prokurorisë mësohet se në përgjigje të kërkesës së prokurorisë, të gjitha bankat që operojnë në Shqipëri kanë dhënë informacion se asnjë prej të dyshuarve apo familjarëve të tyre të afërt nuk kanë kryer transferta bankare në shuma të konsiderueshme, duke shuar kështu dyshimet se paratë e vjedhura mund të kenë qarkulluar nëpërmjet sistemit bankar.
Përgjigja e bankave ka mbërritur në prokurori pak ditë më parë, pasi më herët organi i akuzës kishte kërkuar informacion mbi transaksionet bankare që kishin kryer 10 të arrestuar dhe familjarët e tyre të afërt. Paralelisht me këtë kërkesë, prokuroria i është drejtuar edhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive për të evidentuar të gjitha pronat që disponojnë zyrtarët e arrestuar dhe familjarët e tyre, por për këtë kërkesë nuk ka ende një përgjigje. “Përveç bankave kemi kërkuar informacion edhe nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive mbi pronat që disponojnë të arrestuarit dhe personat e tyre të afërt, por ende nuk kemi një përgjigje”, thanë burime të rezervuara pranë prokurorisë. Në pritje të përgjigjes së Hipotekës, organi i akuzës ka kërkuar informacion edhe nga dy struktura që mbajnë nën mbikëqyrje lojërat e fatit dhe transfertat e dyshimta. Burime të prokurorisë thonë se mbahen kontakte të vazhdueshme me njësinë e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit në Ministrinë e Financave dhe Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave, struktura këto që pritet të sigurojnë informacion mbi qarkullimin e mundshëm të shumës prej 7 milionë dollarësh të vjedhur nga Banka e Shqipërisë.
Deri në këtë fazë të hetimit prokuroria ka marrë informacion nga Njësia e Lojërave të Fatit, e cila pas verifikimeve të kryera ka arritur në përfundimin se kazinotë dhe pikat e basteve ku Bitraj thotë se ka lënë gjithë shumën e parave të vjedhura nuk ka patur një xhiro të tillë të deklaruar. Për këtë arsye, prokuroria dyshon se paratë e vjedhura nuk janë lënë në lojërat e fatit, por mund të jenë transferuar jashtë Shqipërisë, edhe pse nuk ka ende prova për të konfirmuar një dyshim të tillë. Sipas burimeve mësohet se duke nisur nga kjo javë, grupi hetimor pritet të marrë në pyetje zyrtarët e arrestuar, të cilët pas dëshmive paraprake të dhëna menjëherë pas ndalimit nuk iu është marrë ende një dëshmi e plotë mbi atë që ka ndodhur në Godinën e Emisionit të Monedhës, ku për katër vite me radhë punonjësi i Bankës, Ardian Bitraj ka mundur të vjedhë 713 milionë lekë të reja.