Marion Mitro, ish-punonjësi i INUV-it të Bashkisë së Vlorës, i arrestuar si një nga porositësit e atentatit ndaj Besnik Dervishit, i ka kërkuar një takim prefektit ditën që është arrestuar Julian Sinanaj me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Faktet kanë dalë në dritë ditët e fundit, pas ripyetjes së Dervishit në prokurori, i cili ka shpjeguar se nuk e njeh personalisht Mitron, si dhe të arrestuarit e tjerë, qoftë vrasësin me pagesë ashtu edhe sekserët Andon dhe Genis Mëhillaj. Por, para hetuesve të Krimeve të Rënda, prefekti i Vlorës, ka shpjeguar se nga Mitro ka marrë një mesazh, ditën që është arrestuar Julian Sinanaj, më 25 janar, i cili i kërkonte një takim për një problem. Këtë mesazh, Dervishi ua ka servirur hetuesve të çështjes, gjatë dëshmisë së dhënë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. “Vetëm pak orë pas arrestimit të Julian Sinanajt, Marion Mitro i ka shkruar një mesazh prefektit, duke i thënë se ‘dua të ju takoj për një problem’, dhe në fund të mesazhit ka vendosur emrin dhe mbiemrin e tij”, pohojnë burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Sipas saj, këtë sms, Dervishi ka pretenduar se nuk e ka parë ditën e nisjes, pra më 25 janar të këtij viti, por dy ditë më pas. Por, edhe në momentin që e ka parë, Dervishi thotë se nuk i ka kthyer asnjë përgjigje. Ndërkohë, disa ditë pas ndalimit të Sinanajt dhe “zbërthimit”, Mitro është arrestuar më datë 29 janar në Aeroportin e Rinasit, në përpjekje për t’u arratisur nga vendi dhe për të shkuar në drejtim të Italisë. Megjithatë, burimet nga akuza pohojnë se, pas dëshmive të Dervishit, hetuesit do të pyesin edhe të arrestuarin Marion Mitro, i cili në daljen para Gjykatës së Krimeve të Rënda, mohoi akuzën, duke pretenduar se Dervishin dhe Kollozin i ka miq.
Babai i të penduarit
Në lidhje me grupin e vrasësve me pagesë, ka folur për mediat edhe babai i të penduarit, Ndriçim Gjokona. Ramazani ka pohuar se djali i tij kishte disa shqetësime serioze, madje edhe kërcënime për jetën, ndërsa mohon se ka njohje personale me Julian Sinanajn. “Ndriçimi që në muajin janar më ka shprehur shqetësim, sepse nuk mund të rrinte dot në Vlorë, sepse kishte kontradikta me disa persona. Por personat me emra nuk m’i ka thënë. Më thoshte se shqetësimet i kishin ardhur pasi ai kishte bërë një punë dhe nuk ishte paguar”, ka pohuar Ramazani, gjatë një interviste për News 24.
“Më ka thënë, që ka shkuar te prefekti i Fierit, dhe i ka kërkuar ndihmë për punë, për veten e tij dhe gruan e tij. I ka shfaqur prefektit se ndihej i kërcënuar. Dhe ai e ka dërguar në Durrës, te disa shokë të tij. Dhe djali ka ikur dhe ka shkuar në Durrës me gjithë familjen”, ka vijuar Ramazani, teksa ka shtuar se Ndriçimi punonte në ndërtim, ndërsa mohon se i biri ka qenë komisioner i Partisë Socialiste. “Ndriçimi nuk ka as shkollë të mesme, as shkollë të lartë që të dijë ato”, ka shtuar babai i të penduarit, teksa shton se e vetmja gjë që kërkon është drejtësia. “Në rast se djali im pohon me gojën e tij, unë jam pro dënimit që do i japë shteti ynë, drejtësia jonë, por nëse djali im nuk e ka pranuar, por kërkojnë ta modifikojnë unë do tentoj ta ndihmoj, do kërkoj dhe unë të drejtën time. Unë kërkoj vetëm drejtësi”, ka përfunduar intervistën babai i të penduarit.
Somario
Dervishi ka pretenduar se nuk e ka parë ditën e nisjes, pra më 25 janar të këtij viti, por dy ditë më pas
Babai i të penduarit
“Ndriçimi që në muajin janar më ka shprehur shqetësim, sepse nuk mund të rrinte dot në Vlorë, sepse kishte kontradikta me disa persona. Më thoshte se shqetësimet i kishin ardhur pasi ai kishte bërë një punë dhe nuk ishte paguar”