Mitrovica 60 mije euro per kopjen e Isa Boletinit

Mitrovica, 60 mije euro per 'kopjen' e Isa Boletinit
Pas vendosjes në Deçan, monumenti i Isa Boletinit do të vendoset edhe në Mitrovicë. Siti kosovar “Koha.net” shkruan se skulptori durrsak, Idriz Balani, do të realizojë një kopje të monumentit vetëm pak ditë pas inaugurimit të shtatores së heroit në fshatin e tij të lindjes, Isniq të Deçanit. Për këtë punë, Komuna e Mitrovicës do të paguajë gjashtëdhjetë mijë euro. Për veprën origjinale të tij, të inauguruar javën që shkoi, Komuna e Deçanit kishte paguar 87 mijë e 700 euro.

Skulptori nga Durrësi ishte përzgjedhur të realizojë shtatoren me tenderin e parë të Komunës së Mitrovicës, “Punimi dhe vendosja e shtatores së Isa Boletinit”. Por tenderi ku Balani kishte konkurruar me kompaninë PMN në korrik ishte anuluar pas ankesës së kompanisë konkurruese “Kos-ing” të skulptorit Luan Mulliqi. Në ankesën e kësaj kompanie, ishte thënë se është bërë shkelja e nenit 28 të Ligjit të Prokurimit Publik, meqë autoriteti kontraktues nuk ka parashtruar specifikimet e detyrueshme teknike në dosjen e tenderit. “Në dokumentacionin e tenderit nuk ceket lartësia e shtatores, kualiteti, si edhe materiali (bronz apo gur). Mungojnë edhe specifikimet që shtatorja duhet të jetë ide origjinale e jo kopje e ndonjë skulpture, e cila është punuar dhe vendosur në ndonjë qytet tjetër”, ka qenë një nga pikat e ankesës.

Në ftesën e dytë për tender që u realizua në shtator të këtij viti, Kuvendi Komunal i Mitrovicës i kishte bashkangjitur në dosje specifikimet e detyrueshme. Por edhe pas tenderit të dytë, komisioni i formuar nga Komuna e Mitrovicës kishte shpallur fitues të njëjtën kompani. Skulptori Idriz Balani nuk e ka mohuar faktin që shtatorja e Isa Boletinit është e njëjta me atë që është vendosur në Isniq të Deçanit. “Shtatorja e Isa Boletini, që do të vendoset në Mitrovicë, është e njëjtë me atë që u inaugurua në Isniq, pra është kopje e asaj të parës. Do të jetë në bronz, identike me të parën”, ka thënë ai. Sipas Balanit, kjo ka qenë zgjedhje e Komunës së Mitrovicës.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama