Siç shihet motivacioni i titullit të lartë njeh vetëm kontributin e Dhimitër Paskos shkrimtar, dhe harron ekonomistin dhe atdhetarin. Pandeli Pasko, në emër të familjarëve dhe të afërmve të Dhimitër Paskos, falënderoi për nderimin që bëri institucioni i lartë i shtetit i cili me titullin "Nderi i Kombit", "i dha fund odisesë së dekorimit të Kutelit, çfarë është dëshiruar shumë nga populli dhe sidomos nga intelektualët e Pogradecit, të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë".
Pasko tha: "Me gjithë pluhurin e madh që le pas koha (jemi në 103 vjetorin e lindjes dhe në 43 vjetorin e vdekjes) - na vjen mirë që në këtë sallë ka shumë njerëz të cilët e kanë njohur drejtpërdrejt Kutelin, i kanë dëgjuar fjalën, i kanë njohur vuajtjet e brejtjet. Dhe brejtja më e madhe nuk ishte vetja e tij, por Shqipëria. Shqipëri për Kutelin ishte edhe Kosova dhe tërë trojet shqiptare. Se i pat thënë vetes Izedin Jashar dhe pat lëshuar klithmën 'Jam kosovar, pra jam shqiptar...'. Me gjithë 'fjetjen e fjalëve të pathëna në savanin e harrimit' që gjëma e nëma e diktaturës i hodhi në shpinë në burgje e në kënetë Maliqi, Kuteli arriti të mbijetojë jo vetëm fizikisht, por edhe me artin e tij, qëndroi, nuk thuri lavde për regjimin, por fjalë të ëmbël shqipe."
Në intervistën e shkurtër për "Shekullin", Atalanta Pasko e cila vazhdon të kujdeset për botimin e veprës së të atit, mbështet opinionin e Pandeli Paskos me pak argumente.
Zonja Pasko, në fjalën përshëndetëse të familjes Pasko, u përmend një "Odise e titullit". Çfarë ka ndodhur?
Medalja "Nderi i Kombit" përmban dy fjalë shumë të rëndësishme "nder" dhe "komb" dhe si e tillë është një vlerësim i lartë për njeriun të cilit i jepet. Në rastin e Kutelit, me sa dimë ne si familje është kërkuar edhe një herë tjetër nga Ministria e Kulturës, por Presidenti i atëhershëm Alfred Moisiu i ka akorduar "Mjeshtër i Madh i Punës".
Sipas fjalëve të thëna jo zyrtarisht, është rasti i vetëm që nuk u pranua një propozim i tillë nga një president i Shqipërisë. Shkaku?
S'mund ta them, mbase një mungesë informacioni, ose edhe një keqinformim nga njerëz të interesuar për të keqinformuar. Motivacioni: "Personalitet i shquar në lëvrimin e artit poetik dhe modernitetin e prozës shqipe, mjeshtër i përkthimit të kryeveprave të letërsisë botërore në gjuhën shqipe, kritik me stil dhe këndvështrim origjinal në trajtimin e shumë dukurive letrare."
Mjafton?
Si të afërm të Kutelit ne as mund të kërkojmë e aq më pak të caktojmë vlerësimet që mund t'i jepen nga institucionet e vendit, pavarësisht nga mendimi ynë i patrazuar nga modesti false. Por vlerësimi maksimal i bërë sot nga Presidenti Bamir Topi në një ceremoni të thjeshtë e dinjitoze, siç i shkon vetë figurës së Kutelit, na gëzon e na nderon. Na gëzojnë po ashtu dhe urimet e shumta të miqve të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë, sepse kjo përsërit dhe një herë që Dhimitër Paskua, edhe si Mitrush Kuteli i takon gjithë kombit shqiptar.
Sa për motivacionin, ai përfshin vetëm veprimtarinë si letrar dhe lë në heshtje veprimtarinë në fushën ekonomike dhe financiare, madje dhe dashurinë për vendin. Pse-në e kësaj nuk e di, mbase është një mungesë koordinimi mes institucionesh, mbase edhe mosnjohje sa duhet e kësaj ane të veprimtarisë së Dhimitër Paskos, veprimtari ku ngërthehen momente shumë të rëndësishme të financave të Rumanisë e Shqipërisë dhe të vetë jetës së Kutelit.
"Nderi i Kombit" dhe tituj të tjerë që jep Presidenti, janë kthyer në vlerësime rutinë për figura të padiskutueshme e të diskutueshme në kontributet për kombin. Juve ju bën përshtypje kjo uniformë titujsh?
Ajo që më bën të ndjehem mirë nga kjo ngjarje në jetën e pasvdekjes së Babait - më vjen mirë ta përmend një herë edhe kështu - është se institucionet tona politike vlerësojnë një njeri që ka bërë politikën e Kombit, edhe si ekonomist, edhe si letrar, duke ndenjur përherë larg politikanëve. Për më tepër, kur nuk ka qenë dakord me politikën, e ka kundërshtuar atë, si në Rumani, edhe në Shqipëri dhe ka dhënë dorëheqjen nga posti i lartë drejtues (në Bankën e Shtetit Shqiptar, më 1946), duke mos përfillur "të mirat" që sillte ky post dhe duke u ndeshur me ndëshkimet që do të shoqëronin dorëheqjen. Ndonëse kjo fushë e jetës nuk përfshihej në motivacionin e medaljes, mbase vetë medalja do bëhet shtysë për ta njohur më gjerë e më thellë figurën e Dhimitër Paskos, në art Mitrush Kuteli.
Shënime biografike
Mitrush Kuteli u lind në Pogradec, më 13 shtator 1907. Pas shkollës fillore në Pogradec shkon në Selanik, i ati i siguroi një bursë për shkollën tregtare dhe prej andej në Bukuresht në vitin 1931 ku u diplomua në shkencat ekonomike dhe në vitin 1934 merr dekoratën e shkencave ekonomike. Në 1932, si Kryetar i Studentëve Shqiptarë në Rumani mbledh ndihma për të botuar poezitë e bashkëqytetarit të tij Lasgush Poradeci, librin e tij të parë "Vallja e Yjeve", më 1932.
Autori i "Hanet e karvanet", "Vjeshta e Xheladin Beut", "I pasuri që ish i varfër fort", "Dashuria e barbarit Artan për të bukurën Galatea", "E madhe është gjëma e mëkatit" dhe bankieri i talentuar, krejt papritur arrestohet më 16 maj 1947. Pas 7 muaj hetuesi u dënua për agjitacion e propagandë me 5 vjet heqje lirie, ndërkohë që i humbet gjatë kësaj kohe vepra që kishte në shtyp përmbledhja me tregime "Dashuria e barbarit Artan", "Zbulesa e dytë e Pjetër Kulirës nga Liqerasi", një roman për burgun e Prishtinës, drama "Ura", "Rrëfime me të gjall e me të vdekur" dhe "Shënime ekonomike".
Pas daljes nga burgu, strehë Kuteli pati përkthimin.
Një përkthyes i përsosur i Gogolit, Turgenjevit, Pushkinit, Gorkit, Tolstoit, Fadajevit, Shollohovit, poezi të Elyarit dhe Nerudës ...Vitet që do të vijnë Kuteli i kthehet letërsisë deri më 4 maj 1967 kur ndahet nga jeta.