U desh një vepër nga gjiri i akademikëve që këta të pohojnë "po, është koha për një histori të re, të plotë, të letërsisë shqiptare". Ky libër që akoma nuk ka zënë vend mirë në librari, ka që tani meritën që ua shkuli më në fund institucioneve përgjegjëse për detyra shkencore si këto, të shprehen publikisht.
Duhet të jetë hera e parë apo që kur s'mbahet mend, që sheh një unitet tek kjo kërkesë që i bashkohen studiues të rinj po edhe ata të një brezi, që dje, u binte në sy një ton i dyshimtë tek angazhimi i zërave në kor. Sa herë është folur në shtyp për rishkrimin e historisë së letërsisë shqipe, institucionet tona shkencore nuk kanë reaguar.
Kurse "Sfida teorike të historiografisë letrare" i Floresha Dados, (botuar nga Bota Shqiptare) i prezantuar dje në sallën e konferencave të Akademisë së Shkencave, provokoi këto pohime publike.
Tek e njëjta sallë, dhjetorin e shkuar, studiuesi nga Kosova Sabri Hamiti tha se Historia e letërsisë shqipe, nuk mund të shkruhet si një doracak pedagogjik por si një tekst akademik. "
Ju e dini çfarë ka ndodhur. Historitë e letërsisë, kryesisht, janë ndërtuar si nevoja për të mësuar fëmijët, për të mësuar letërsinë. Ky është thjesht libër me efekt përdorues. Unë insistoj që të krijohet historia e letërsisë pa e pasur parasysh funksionin e saj në klasë ose në fakultet.
Tekstet pedagogjike janë tekste që kryejnë një shërbim në edukim, unë kërkoj një tekst i cili vlerëson por nuk ka parasysh qysh do të përdoret."
Nuk dimë sa përputhet kjo pikë nisjeje e Hamitit me atë të studiuesve të letërsisë në Shqipëri për hartimin e një teksti akademik. Sepse dje u tha "duhet", por jo si dhe nga duhet filluar.
Qoftë dhe për kaq, akademikja Dado, duhet t'ia ketë arritur qëllimit. "Ka 15 vjet që thuhet të shkruhet një histori e letërsisë", tha ajo, "ka debate interesante, ama nuk na lejohet që të mbetemi në sferën e diskutimeve.
Vendosa ta shkruaja këtë libër, në një kohë rekord, sepse pata një lloj inati: kështu do të vazhdojmë ne? Histori letërsie mund të shkruajë kushdo, por kur flitet për një monument kulture, duhet një organizim akademik. Së fundi, nuk mjafton dëshira e mirë, por duhet një bazë serioze teorike."
Vepra e saj u prit dje si një ngjarje shkencore.
Shaban Sinani e cilësoi "vepra më e arrirë në mendimin tonë teorik letrar"; Kristaq Jorgo i njohu vlerat e një vepre që "po mundëson frymëzimin e një tradite në fushë të historishkrimit të letërsisë shqipe."
Një ngjarje shkencore së paku për dy arsye: për prurjen e një mendimi teorik mbi historinë e letërsisë, që, siç pohoi pedagogu Bashkim Kuçuku, nga gjithë disiplinat e letërsisë, ka qenë më pak e përpunuara dhe mund të thuhet që nuk ekziston.
Ja ku ne na vjen në Shqipëri një tekst i tillë me shumë të dhëna, nga një shkencë që, si disiplinë e re shkencore, është në përpunim e sipër edhe në vendet e tjera evropiane.
Së dyti në 16 kapituj, prof. dr. Floresha Dado, ofron metodën për një histori të pritshme të letërsisë shqipe.
Në ç'mënyrë?
Ajo u tërheq vëmendjen atyre që do të merren me hartimin e tekstit, drejt çështjeve të kritereve të hartimit, të periodizimit, të metodave të studimit, të kuptimit të raportit të letërsisë me historinë, të historiografisë letrare me historinë, të historianit të sotëm me trashëgiminë letrare, të raportit midis kuptimit historik dhe evolucionit të strukturave formale të letërsisë.
Studiuese dhe kritike letrare, themeluese dhe specialiste e lëndës "Teoria e letërsisë" në degën e gjuhës dhe të letërsisë të Universitetit të Tiranës, Dado ka dyzet vjet që trajton probleme të ndryshme teorike, të letërsisë shqiptare të traditës dhe të sotme.
Prej kësaj përvoje ajo përcjell në fund të studimit "Sfida teorike të historiografisë letrare", "11 këshilla" që do t'i shërbenin historianit të letërsisë për punën përgatitore.
Ajo mendon se një Histori e letërsisë shqipe që do të rrokte zhvillimin historik të një letërsie pesëshekullore, si një projekt i madh ndërakademik, do kishte nevojë edhe për ndihmën e studiuesve nga Kosova dhe arbëreshë të Italisë.
Elsa Demo : Gazeta Shekulli