Vajza e Ziver Veizit, Ana, u bë fytyra simbol e jetimëve të 21 Janarit. Por katër vjet pas ngjarjes së rëndë, ajo thotë se është e zhgënjyer. Mazhoranca, e cila kishte premtuar drejtësi, ka dy vite në pushtet dhe sërish drejtësia nuk ka ardhur. Ana, duke folur për Ditën, thotë se është e zhgënjyer me këtë qeveri.
“Kanë kaluar katër vite tashmë dhe në këto katër vjet nuk kemi bërë gjë tjetër veç homazheve. 4 vjet kemi bërë veç një shëtitje në bulevard duke mos dalë e drejta. Nuk kam arsye pse t’i bashkohem përsëri asaj shëtitjeje, asaj xhiroje që bëhet aty, duke mos pasur arsye e duke mos qenë e lumtur që nuk është bërë drejtësi”.
“Këtë 21 Janar dua të jem vetëm në Gjirokastër, tek varri i babait,” thotë ajo. “Me kryeministrin kam pasur disa herë kontakte dhe gjithmonë më ka dhënë të njëjtin premtim: Drejtësia nuk do vonojë”. E pyetur nëse e ka besuar Ramën, ajo thotë: “Nuk e di, por besoj që jo”.