Mjediset e reja Ministria e Kultures merr Lidhjen e Shkrimtareve

Mjediset e reja, Ministria e Kulturës
Të paktën këtë pohon ministri i Kulturës, Ylli Pango, ndërsa bëhet e ditur se sonte do të përurohen ambientet e reja të Ministrisë së Turizmit,Kulturës,Rinisë dhe Sporteve, që zhvendosen në ish-godinën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë. Kryeministri Berisha dhe ministri Pango do të presin shiritin e inaugurimit të godinës së re të MTKRS-së. "Nën kujdesin dhe angazhimin e veçantë të ministrit Pango, brenda një afati kohor rekord, këto ambiente do t’i kthehen publikut shqiptar", shkruhet në deklaratën për media të MTKRS-së, ndërsa bëhet e ditur se gjithë kjo është një investim i MTKRS-së, me fond të buxhetit të shtetit. Sipas tyre, "Lidhja e Shkrimtarëve e kishte humbur prej kohësh funksionin e saj gjithëpërfshirës, kështu që me vendim të Këshillit të Ministrave iu bë kalimi në përgjegjësi administrimi MTKRS-së për ushtrimin e veprimtarisë së këtij institucioni".

Inaugurimi i mjediseve të reja të MTKRS-së pason atë të ambienteve të IMK-së dhe të shkollës së restaurimit. Shumë shpejt pritet të inaugurohen edhe disa institucione të reja kulturore, si: Teatri i Kolonadave, biblioteka e librit të huaj dhe godina e vjetër e Bibliotekës Kombëtare.

Restaurimi brenda 100 ditësh

Tenderi për restaurimin e Lidhjes së Shkrimtarëve u shpall me urdhër të ministrit Pango, me një fond limit 60 milionë lekë të reja (me TVSH). Si në të gjitha projektet e restauruara nga kjo ministri, me këtë godinë të re "u synua rikthimi i entuziazmit të vlerave të harruara të godinës", me të cilën ministria nënkupton përshtatje të ish-Lidhjes, sipas funksioneve që ajo vetë kërkon. Duke e cilësuar sfidë kthimin e këtij objekti pa destinacion, brenda 100 ditësh, duke filluar që nga muaji shtator, u kryen të gjitha punimet për restaurimin e kësaj godine.

Fillojmë edhe me Pendën...

Krahas përurimit të godinës së re të MTKRS-së, në të njëjtën kohë do të jepen edhe çmimet kombëtare të letërsisë, “Penda e Artë" dhe "Penda e Argjendtë”. Këto çmime vijnë "të pagëzuara" me emrat e disa prej personaliteteve më të shquara të kulturës së shkruar shqipe. Ndryshe nga edicionet e mëparshme, këtë herë librat nuk do të dorëzohen pranë MTKRS-së, por juria e ngritur për vlerësimin dhe dhënien e këtyre çmimeve do të monitorojë përgjatë gjithë këtyre muajve tregun e librit dhe do të hulumtojë në fondin që disponon Biblioteka Kombëtare me botime të vitit 2006.

Kështu do të ndahen çmimet: "Gjergj Fishta" për esenë më të mirë; "Faik Konica” për studimin ose kritikën; çmimi "Fan Noli” për përkthyesin shqiptar dhe të huaj, që ka sjellë në nivele të larta në gjuhën shqipe vepra të rëndësishme nga letërsia botërore; çmimi "Mitrush Kuteli” për prozën e shkurtër shqipe; "Petro Marko” për romanin; “Migjeni” për autorin debutues, i cili me krijimtarinë e tij të botuar përgjatë një viti, ka mundur të përcjellë te lexuesi shqiptar modele të reja dhe një nivel të spikatur letrar; "Lasgush Poradeci” për veprën poetike; “Jusuf Vrioni” për përkthimin; “At Donat Kurti” për shkrimtarin që ka sjellë veprën më të mirë për fëmijë.
 
B.Goce : Gazeta Albania

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama