Instituti i Mjekësisë Ligjore në Tiranë e ka të vështirë që të japë një konkluzion përfundimtar lidhur me ngjashmërinë e ADN-së së indeve të marra nga trupi i Ilia Karelit (Kudret Kumes) me ato të zemrës, që Mjekësia Ligjore vuri në dispozicion të hetuesve shqiptarë, me pretendimin se ajo i përkiste 42-vjeçarit nga fshati Zhupan i Rrethit të Fierit.
Nga burime pranë këtij institucioni, është mësuar se nga krahasimi i ADN-ve të indeve të zemrës së marrë në Greqi me atë të indeve të marra prej trupit të tij në morgun e spitalit të Fierit, nuk mund të jepet një konkluzion përfundimtar, nëse organi që u mbajt për një muaj prej mjekoligjorëve grekë i përket ose jo Karelit. Burimet sqarojnë se mbajtja për një kohë të gjatë e zemrës prej Mjekësisë Ligjore greke dhe ndërhyrjet e shumta që janë ushtruar në të, e kanë bërë të vështirë që të konkludohet nëse organi në fjalë i përket trupit të Karelit. “Edhe diagnostikimi i organit, nëse ka pasur apo jo sëmundje të hershme, ka qenë i vështirë, si pasojë e dëmtimeve dhe mbajtjes për një kohë të gjatë në ambientet frigoriferike, çfarë ka sjellë tjetërsimin e gjendjes së zemrës”, pohojnë burimet. Burimet e sipërcituara pohojnë se, në këto kushte, Instituti i Mjekësisë Ligjore në Tiranë i ka këshilluar Prokurorisë së Fierit që të kërkojë krahasimin e ADN-në të indeve të zemrës me ato të trupit të Karelit në një laborator më të specializuar, që disponon pajisje më të avancuara. Nisur nga ky konkluzion paraprak i Mjekësisë Ligjore, Prokuroria e Fierit pritet që të kërkojë ekspertimin nga ndonjë institut i huaj i Mjekësisë Ligjore, me qëllim që të kenë një provë që do të vërtetojë nëse Kareli vuante apo jo vërtet nga sëmundje të zemrës para se të dhunohej barbarisht nga gardianët grekë.
Ndërkohë, familjarët ende nuk do ta kenë mundësinë që ta vendosin zemrën e Ilia Karelit të prehet pranë trupit të tij. Rreth një muaj e gjysmë më parë. Hetues të prokurorisë shqiptare u nisën drejt Greqisë, ku tërhoqën dosjen hetimore në ngarkim të autorëve të masakrimit deri në vdekje të Karelit, së bashku me zemrën dhe indet e lëkurës që ishin marrë prej homologëve grekë. Ekspertët helenë të Mjekësisë Ligjore konkluduan se 42-vjeçari vuante prej kohësh nga një sëmundje në zemër. Sipas mjekëve ligjorë grekë, Kareli kishte probleme me yndyrat e këqija në gjak, të cilat i kishin dëmtuar një prej tri koronareve. Në konkluzionet e tyre të bëra publike nga mediat greke, mjekët ligjorë helenë i mëshonin faktit se kjo sëmundje e hershme në zemrën e Ilias kishte ndikuar në vdekjen e tij pas dhunës së ushtruar. Me këtë përfundim, ata kanë lënë mundësinë e aludimit se nëse Ilia Kareli nuk do të vuante nga zemra, nuk mund të kishte ndërruar jetë, si pasojë e dhunës që i është ushtruar nga gardianët e burgut grek.
Por, ndryshe nga ekspertët helenë, nga Mjekësia Ligjore shqiptare është konkluduar se Kudret Kumes i është ushtruar një torturë çnjerëzore. Sipas ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë, Karelit i është thyer kafazi i kraharorit në anën e majtë, duke shkaktuar kështu hemorragji të brendshme. Gjithashtu, është konstatuar edhe thyerje e kockës së kafkës. Dëmtime të tjera janë konstatuar në shputat e këmbëve, në pëllëmbët e duarve, në syrin e majtë dhe në mjaft pjesë të tjera të trupit. Sipas ekspertëve shqiptarë, viktimës i janë shkaktuar edhe thyerje të tjera të kockave, si pasojë e dhunës së ushtruar. Ndërkohë, nga këqyrja e kufomës së Karelit është konstatuar edhe fakti se gardianët e burgut të Nigritas i kanë dëmtuar edhe organet gjenitale. Por, mungesa e një konkluzioni përfundimtar të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë e ka bërë ende të pamundur verifikimin e vërtetësisë së raportit të mbajtur prej Mjekësisë Ligjore greke.