Kërkesa – Shefat e shërbimit të zgjidhen nga stafi mjekësor, me një mandat 4-vjeçar dhe të drejtë rizgjedhje vetëm një herë
Testimi – Pritet që infermierët t’i nënshtrohen testimit më 28 shkurt siç është bërë publike nga Ministria e Shëndetësisë
Paralajmërimi – Mjekët kanë paralajmëruar vazhdim të protestave 1-orëshe çdo të hënë, derisa ministri Beqaj të marrë parasysh kërkesat e tyre
Propozimi – Një tjetër kërkesë e bluzave të bardha është dyfishimi i pagave për të gjithë mjekët që ofrojnë shërbim 24 orë
Ndërsa mjekët vijojnë grevën 1-orëshe, duke kërkuar kundërshtimin e testimit, që pritet të zhvillohet nga Ministria e Shëndetësisë, kjo e fundit bën publike fondin e pyetjeve, ku do të bazohen infermierët, që do të marrin pjesë në provim më 28 shkurt. Edhe dje, mjekët e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” kanë vijuar me protestat, duke bërë të qarta kërkesat e tyre, të cilat këtë herë vijnë më të qarta se kurrë më parë. Një prej tyre është edhe e drejta e zgjedhjes së shefave të shërbimit nga vetë stafi mjekësor. Madje, sipas tyre, shefat e shërbimeve duhet të kenë mandat 4-vjeçar dhe me të drejtë rizgjedhje vetëm një herë. Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me mosfunksionimin siç duhet të Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim. Mjekët kanë kërkuar që të përmirësohet sistemi i funksionimit të tij, si dhe të mbulohet nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë procesi i marrjes së krediteve. “Shefat e Shërbimeve në Mjekësi në rang vendi të zgjidhen nga vetë bluzat e bardha me votë direkte e të fshehtë, me mandate të mirëpërcaktuara 4-vjeçare, si dhe me të drejtë rizgjedhje vetëm një herë, bazuar në meritat e kryerjes së detyrave të tyre funksionale.
Edukimi në Vazhdim të jetë gurë themeli për vijimësinë e kualifikimit të stafit mjekësor profesional, duke e përmirësuar sistemin e funksionimit të QKEV-së dhe duke rifutur në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë fondet e nevojshme për aktivitete, konferenca etj.”, kanë deklaruar mjekët, këtë herë me zërin e Unionit të Profesionistëve të Shqipërisë. Ky i fundit është formuar me pëlqimin e vetë mjekëve. Një tjetër kërkesë e bluzave të bardha është ajo e dyfishimit të pagave për të gjithë mjekët, të cilët ofrojnë shërbim 24 orë apo siç njihet ndryshe, mjek roje. Pritet që infermierët t’i nënshtrohen testimit më 28 shkurt siç është bërë publike nga Ministria e Shëndetësisë, por pavarësisht, kësaj ata deklarojnë se ende nuk kanë një shkresë zyrtare për provimin. “Flitet që më datë 28, ne infermierët do të testohemi, infermierët e QSUT-së, pra ngelen edhe pak ditë dhe akoma nuk ka një letër zyrtare për të”, është shprehur një infermiere. Kjo është e hëna e tretë, ku stafi mjekësor ka protestuar për të kërkuar të drejtat e tyre. Testimi i Ministrisë së Shëndetësisë duket se ishte nxitja kryesore, por jo e vetmja. Mjekët kanë paralajmëruar vazhdim të protestave 1-orëshe çdo të hënë, derisa ministri Beqaj të marrë parasysh kërkesat e tyre.
Në mbështetje të bluzave të bardha dje kanë qenë edhe përfaqësues të shoqërisë civile. Sipas këtyre të fundit, mjekët janë në të drejtën e tyre legjitime për të protestuar dhe për të kërkuar përmirësim të kushteve të punës. Ata shtojnë se testimi duhet të jetë gjëja e fundit për të cilën duhet të mendojë ministri, pasi spitalet kanë probleme mjaft të theksuara. Greva janë zhvilluar edhe në qytete të tjera të vendit si në Lushnjë, Korçë, Shkodër, Lezhë. Moszhvillimi i testimit, përmirësimi i kushteve në spitale, si dhe mbrojtja e mjekëve nga dhuna që jo rrallëherë ushtrojnë pacientët, janë kërkesat e tyre në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë. Gjatë protestave të zhvilluara mjekët kanë kërkuar jo vetëm rritje të pagave me 15%, por edhe t’i thuhet stop njëherë e mirë presionit psikologjik që po u bëjnë drejtuesit e shëndetësisë. Provimi do të nisë më 28 shkurt me infermierët e QSUT-së, për të vijuar në mars me infermierët e rretheve, pas tyre do testohen mjekët e familjeve dhe në fund ata të qendrës spitalore “Nënë Tereza”. Deri më tani, Ministria e Shëndetësisë nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar në lidhje me protestat e mjekëve dhe nuk dihet edhe për sa kohë do të vijojnë grevat.