Pak ditë na ndajnë nga mbledhja e parë e Parlamentit të ri të cilin do ta kryesojë Ilir Meta. Në 140 karriget e Kuvendit do të ulen një sërë deputetësh, një pjesë e mirë e të cilëve kanë pak ose aspak lidhje me politikën. Flasim për trendin më i fundit, braktisjen e profesionit për t’ju përkushtuar totalisht politikës. Deputetët e ardhshëm vijnë nga fusha të ndryshme të artit, gazetarisë, sportit apo edhe nga radha e bluzave të bardha. Kështu, në mbledhjen e parë të Kuvendit më 9 shtator do të ulen në karrige një sërë deputetesh që si profesion të parë kanë atë të mjekut, paçka se ka nga ata që nuk e kanë ushtruar asnjëherë këtë profesion apo të tjerë që e kanë braktisur prej vitesh. Arsyet dihen. Po ashtu, ka edhe nga ata që e kanë për herë të parë pjesëmarrjen në Kuvend. Cilët janë ata, çfarë specialiteti kanë dhe si kanë kaluar nga një fushë në tjetrën?
Ka një numër të konsiderueshëm mjekësh që janë bërë deputetë apo ministra. Në parlamentin e ardhshëm do të ulen për herë të parë disa deputetë që më parë kanë qenë mjekë si Halim Kosova, Ylli Zeçishti, Klodiana Spahiu, Flamur Noka, Vangjel Tavo dhe Petrit Vasili. Pa dyshim që ndër të parët që ka bërë hapin galopant të kalimit nga mjekësia në politikë është Sali Berisha, i cili ndër vite ka gëzuar po thuajse të gjitha postet më të larta të shtetit. Tani ai vjen si një ish-mjek që do të përfaqësojë një pjesë të popullsisë në Tiranë në Kuvendin 2013-2017. Kryeministri Sali Berisha ose siç njihet nga të gjithë me emrin “doktori” ka përfunduar studimet për kardiologji. Në vitin 1962 Berisha përfundoi politeknikumin mjekësor, e cila ishte një shkollë e mesme e cila nxirrte ndihmës mjekë, pasi nevoja për mjekë në Shqipërinë e pasluftës ishte shumë e madhe. Në vitin 1967 përfundoi studimet për mjekësi në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Pas 23 vitesh punë si mjek kardiolog Berisha zgjodhi t’i futej politikës si iniciues i opozitës anti-komuniste në fillim të ‘90. Sali Berisha njihet gjithashtu edhe si presidenti i parë i Shqipërisë pluraliste. Ajo që e bën rastin në fjalë interesant është se pas 8 vitesh kryeministër, Berisha do të ulet në parlamentin e ri si deputet opozitar. Prej 20 vitesh Berisha është pjesë e parlamentit duke u zgjedhur si deputet në çdo legjislaturë.Një tjetër mjek, ish-shef i urgjencës kirurgjikale, Ylli Zeçishti pritet të ulet në Kuvend. Pas një karriere të gjatë, mjeku i njohur kirurg ka vendosur të merret me politikë.
Zgjedhjet e fundit i kanë dhënë mjekut Zeçishti një mandat në Qarkun e Korçës. Herë pas here ai ka ngritur zërin ndaj realizimit të reformave në fushën e shëndetësisë, çka premton jo vetëm një përfaqësim të denjë të zgjedhësve korçarë, por edhe një zë të fortë mbështetës të një sistemi të mirë shëndetësor në vend. E vetmja femër mjeke në parlamentin 2013-2017, e zgjedhur për të dytën herë është Klodiana Spahiu. Klodiana Spahiu është diplomuar në mjekësi në Universitetin e Tiranës dhe për kardiologji në Qendrën Universitare Nënë Tereza. Ajo ka punuar si pedagoge në Universitetin e Tiranës, si kardiologe në Spitalin e Durrësit dhe ka kryer disa specializime në këtë drejtim. Klodiana Spahiu është docente pranë Universitetit Zonja e Këshillit të Mirë, Tiranë, gjithashtu edhe anëtare e Komisionit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë në Kuvendin e Shqipërisë. Nuk kanë qenë të pakta reagimet e Znj. Spahiu lidhur me përmirësimin e sistemit shëndetësor në vend. Edhe pse pak e dinë, ministri i Brendshëm në fuqi, Flamur Noka, gëzon profesionin e mjekut onkolog, paçka se nuk e ka ushtruar profesionin e tij as edhe për një ditë të vetme. Zgjedhjet e 23 qershorit i kanë dhënë Nokës mundësinë të ushtrojë një tjetër mandat si përfaqësues i Partisë Demokratike në qytetin e Kukësit.
Tre mjekë deputetë, ish-ministra
Halim Kosova
Një mjek, edhe për pak ditë ministër Shëndetësie që do t’i bashkohet opozitës parlamentare të ardhshme është Halim Kosova. Kosova ka punuar për vite me radhë si mjek obstetër-gjinekolog. Zgjedhjet e 23 qershorit i dhanë atij të parin mandat si deputet i Partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës. Pas shumë vitesh punë në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” Kosova u bë ministër i Shëndetësisë, post të cilin do ta mbajë edhe për pak ditë deri sa të mblidhet qeveria e re. Megjithëse ka pasur një karrierë të gjatë dhe të pasur si mjek, Kosova duket se ka hequr dorë përfundimisht nga profesioni duke ju kushtuar totalisht politikës.
Vangjel Tavo
Prej shumë vitesh ai është një prej politikanëve më në zë të vendit tonë. E kemi parë në sipërmarrje të rëndësishme, ndërsa ka mundur të sigurojë jo pak, por pesë mandate të njëpasnjëshme në Kuvendin e Shqipërisë. Vangjel Tavo, ish-ministri i Shëndetësisë ka arritur të sigurojë një tjetër mandat deputeti, në Qarkun e Gjirokastrës. Megjithëse ka vite që e ka braktisur profesionin e mjekut, nuk mund të lihej jashtë listës së mjekëve, tashmë deputetë.
Petrit Vasili
Ish ministër i Shëndetësisë në vitin 2009 dhe zv.ministër nga viti 2001-2003. Petrit Vasili do të jetë pjesë e parlamentit të ardhshëm nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ka mbaruar fakultetin e mjekësisë dhe ka kryer disa specializime në fundin e viteve ’80.