Mjeket dhe infermieret Gati padia per paligjshmerine e testimit

Mjeket dhe infermieret: Gati padia per paligjshmerine e testimit

Bluzat e bardha kanë nisur të përgatisin një padi në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë për pezullimin e testimit, që sipas tyre është i paligjshëm. Por, sipas tyre, padia do të dërgohet në Gjykatën Administrative, vetëm pasi të dalë vendimi me shkrim i Ministrisë së Shëndetësisë, që detyron mjekët dhe infermierët të zhvillojnë provimin. Procesi i testimit të mjekëve dhe infermierëve që do nisë në fund të muajit shkurt po ngjall debate, nga njëra anë kundërshtimi i bluzave të bardha dhe nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë, e cila nuk tërhiqet në asnjë lloj mënyre nga provimi. Pas debateve të shumta në lidhje me pyetjet e hartuara, Alma Pula, njëra prej anëtareve të komisionit, shprehet se për përpilimin e tyre është përdorur një literaturë ndërkombëtare.

 

Madje, sipas saj, hartuesit janë infermierë që janë trajtuar jashtë shtetit. “Është përdorur literaturë ndërkombëtare me teste të standardizuara për infermierinë. Në rast se ata nuk i njohin testet, ky është problemi i tyre, jo problem i testit. Dhe në rast se ata nuk janë mësuar me këtë lloj vlerësimi, përsëri nuk është problem i testit. Testet janë të standardizuara dhe ne jemi përpjekur t’i përshtatim, madje edhe t’i thjeshtojmë sa më shumë që të jetë e mundur”, tha anëtarja e komisionit të hartimit të pyetjeve. Ndërsa Mimoza Kalaja, një tjetër anëtare e komisionit të hartimit të pyetjeve, ka deklaruar se ato janë baza e infermierisë dhe se personat që janë marrë me formulimin e tyre kanë një përgatitje mjaft të mirë. “Në qoftë se ka njerëz që nuk i kanë hapur kurrë librat, sigurisht që nuk e kuptojnë dot as formulimin e këtyre pyetjeve. Është baza e infermierisë e hartuar nga tre pedagoge të infermierisë, që janë shqiptare, por të trajnuara nëpër vende të ndryshme të Europës. Është përfolur që kanë ardhur me diploma false, përflitet se kanë ardhur pa shkuar asnjë ditë në shkollë, apo që nuk dinë fare se nga i kanë bërë këto shkolla. Megjithatë nuk është ky qëllimi, këto janë”, shprehet Mimoza Kalaja, anëtare e komisionit të hartimit të pyetjeve.

 

Mirëpo, presidenti i Urdhrit të Infermierit i ka cilësuar pyetje joprofesionale dhe që nuk kanë aspak lidhje me qëllimin e vërtetë të testimit. Veç kësaj, ai ka nënvizuar se i ka dërguar një kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë për të riparë pyetjet. Edhe në rrjetet sociale ka nisur një ironi e mjekëve dhe infermierëve në lidhje me pyetjet e testimit. Këta të fundit kanë ironizuar hartuesit e tyre dhe institucionin përkatës. Madje, në mënyrë ironike, është theksuar se pyetjet janë një mënyrë e mirë për të kaluar kohën, por që nuk lidhen aspak me profesionin, pasi janë kollaj të zgjidhshme edhe nga njerëz që nuk kanë lidhje me mjekësinë. Nga ana e saj, Ministria e Shëndetësisë, në një reagim zyrtar, ka theksuar se presidenti i Urdhrit të Infermierit ka qenë pjesë e procesit të konsultimit për hartimin e testit, prandaj edhe është habitur nga qëndrimi i tij kundër.

 

Më tej, në deklaratën e tyre për mediat pohohet se të gjitha sugjerimet e z. Skënderi dhe UISH-së janë tashmë pjesë integrale e rregullores për vlerësimin e njohurive dhe aftësive të personelit infermieror të kujdesit shëndetësor në respekt të plotë të frymës kolegjiale për shtyrjen përpara të kësaj nisme. Por, ka mjaftuar kjo deklaratë, që të kundër-reagojë presidenti i Urdhrit të Infermierit, i cili mohoi që të ketë marrë pjesë në organizimin e testimit, përkundrazi pohoi se është thirrur, por nuk ka pranuar, për shkak se që prej fillimit ka qenë kundër zhvillimit të provimit. Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, testi do të zhvillohet me dy faza, në fund të shkurtit e para, që mbulon pjesën bazë. Ndërsa pas 30 ditëve, nis faza e dytë e testimit të infermierëve.

 

“Në datën 1 mars, do të kryhet testimi për infermierët e Spitalit të Traumës, Sanatoriumit dhe dy materniteteve. Në datën 6 mars do të vijojë testimi për infermierët e spitaleve rajonale. Mirëpo, për infermierët e Qendrave Shëndetësore do të ketë një pyetësor ndryshe nga infermierët e spitaleve”, – sqarojnë burime zyrtare në MSH.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama