Fotot dhe historia e Connie Culp, kanë qenë dje në gjithë gazetat e botës. Kur pesë vjet më parë buri i saj i qëlloi me pistoletë në fytyrë, Connie Culp, një grua nga Ohio, shpëtoi nga vdekja, por jo nga shpërfytyrimi. 80% e fytyrës së saj "shpërtheu", duke lënë një vrimë atje ku më parë ishin hunda, qiellzat, mollëzat dhe një sy. Pas 30 operacioneve dhe rifitimit të ngadaltë të disa funksioneve, 46-vjeçarja mbijetoi e gjymtuar, pa arritur të shijonte ushqimet, të merrte frymë në mënyrë natyrale, të ndjente parfumet dhe të shihte dy fëmijët e saj. E mbyllur në shtëpi, për faktin se njerëzit kishin frikë nga pamja e saj monstruoze, kalonte ditë të tëra, derisa 5 muaj më parë mori fytyrën e një gruaje të vdekur dhe arriti një rekord: transplantimin e parë komplet të fytyrës që është bërë ndonjëherë nga mjekësia.
Operacioni, që u mbyll në dhjetorin e kaluar, u krye nga një ekip prej 11 kirurgësh në klinikën Cleveland Clinic, në Ohio dhe ka zgjatur plot 22 orë, ndërsa kostoja ka qenë 300 mijë dollarë. Kirurgët kanë rivendosur kocka, muskuj, nerva, kapilarë gjaku dhe lëkurë për 80% të fytyrës së saj, përveç qepallave, ballit, buzës së poshtme dhe mjekrës.
"Është transplantimi më i kompletuar që është arritur të bëhet deri tani, - ka komentuar Maria Siemionow, shefja e skuadrës së kirurgëve, - dhe jemi shumë të kënaqur sepse menduam që kjo lodhje e jona mund të ndryshonte tërësisht jetën e Connie. Ka qenë gjithnjë një grua e fortë dhe pozitive, por nuk arrinte të jetonte normalisht, sepse njerëzit e largonin. Tani nuk do të jetë perfekte, apo e lezetshme, por të paktën do të mundë të marrë frymë pa tub, do të mundë të qeshë dhe ka arritur të realizojë dëshirën më të madhe: të mos fyhet në rrugë, të vëzhgohet dhe të mos trembë të tjerët".
Connie, e cila me shumë vështirësi ka arritur të flasë, ka falënderuar familjen e dhurueses dhe me një batutë u ka bërë komplimente mjekëve që "i kanë rikthyer hundën e saj", gjënë që kishte më shumë merak. Burri i Culp, pasi i qëlloi gruas, tentoi të vetëvritej, por nuk ia arriti qëllimit. U dënua me 7 vjet burg dhe me sa duket Connie e ka falur dhe pret ta takojë menjëherë sapo ai të përfundojë kryerjen e dënimit.
Rreziqet dhe sukseset e teknikës së re - Transplantimet e fytyrave janë ende në faza eksperimentale dhe të dyshimta, pasi kanë shumë rreziqe të mëvonshme dhe nuk sigurojnë përmirësim të aspektit të pacientit. Transplantimi i parë në botë, në fytyrë, është kryer në 2005-ën, në Amiens, në Francë, tek një 36-vjeçare, Isabelle Dinoire, e cila ishte shpërfytyruar nga kafshimet e qenit të saj. Asaj iu ribënë hunda dhe goja.
Gazeta Shekulli