Mjeket pergjegjes per vdekjen e gruas se portierit te Partizanit

Mjeket, pergjegjes per vdekjen e gruas se portierit te Partizanit

Përfundojnë hetimet për vdekjen e bashkëshortes së portierit të skuadrës së “Partizanit” Alban Hoxha, e cila u nda vitin e shkuar, 16 ditë pasi solli në jetë një djalë, më 18 nëntor 2014. Sipas organit të akuzës, përgjegjës për vdekjen e nënës së re kanë qenë dy mjekë, të cilët kanë konsumuar veprën penale “mjekim i pakujdesshëm”. Dorjana  Haka u bë për herë të parë nënë më 2 nëntor të vitit të kaluar, përmes një operacioni në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë.

Tri ditë më vonë ajo ndjeu shqetësimet e para dhe dhimbje koke dhe pas 16 ditësh ndwrroi jetë si pasojë e trompozës. Disa ditë pas humbjes së bashkëshortes, Alban Hoxha u shpreh se kushtet në këtë maternitet nuk ishin të mira pasi edhe ambulancën për të transportuar bashkëshorten e siguroi ekipi i Partizanit.  “Sado që u munduam nga njëri spital te tjetri, ishte e pamundur. Zoti zgjodhi ta merrte. Kanë qenë 16 ditët më të gjata të jetës time. Shkoja çdo mëngjes në spital me shpresë se do të bëhej më mirë. Të rralla ishin përmirësimet. Deri në ditën kur hyra në dhomë dhe doktori me një të lëkundur koke më dha të kuptoj se ishte drejt fundit. Aty, ato duar dhe këmbë filluan të ftohen...”, shprehej ai.

I vetmi që nuk u mposht nga dhimbja ka qenë i ati i Dorjana Hakës, i cili që në momentet e para të ikjes së saj aludoi për mjekim të pakujdesshëm. Enver Haka, babai i të ndjerës Dorjana Haka, paditi nw 18 mars 2015 në gjykatë Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni”. Pwrmes padisw civile Enver Haka kërkoi dëmshpërblim financiar nga ky spital. Në objektin e padisë thuhet: “Detyrimin e palës së paditur të shpërblejë dëmin e shkaktuar nga humbja e jetës së vajzës sime Dorjana Haka”.

Pas hetimeve disa mujore të organit të akuzës rezultoi se shkaktarë për vdekjen e Dorjanës, pas lindjes së djalit, janë bërë dy mjekët e maternitetit dhe organi i akuzës çoi në gjyq gjinekologun Petrit Rexhepi dhe anestezisten Elona Burba. Prokuroria shprehet se mjekimi gjatë dhe pas operacionit për lindjen e fëmijës, ka qenë i mangët. Nga hetimet prokuroria ka faktuar se gjatë shtatzënisë e ndjera nuk ka pasur asnjë problem shëndetësor dhe se ndërlikimet kanë nisur pas lindjes.

Nga dëshmitë e familjarëve të bashkëshortit të saj Alban Hoxha rezulton se 30 minuta pasi e reja ka hyrë në sallën e lindjes, infermierja ka dalë duke i njoftuar se operacioni mbaroi me sukses dhe fëmija ishte shumë mirë me peshë 3 kilogram e 900 gram. Më pas Dorjana është vizituar nga pjesëtarët e familjes dhe doktori ka komunikuar me Albanin duke i treguar se ka qenë një lindje shumë e mirë dhe pa probleme.

Nga hetimet e akuzës për këtë rast, ka rezultuar se pas operacionit Dorjana Haka ka pasur kontroll të pamjaftueshëm mjekësor nga ana e mjekëve. Shkak i përkeqësimit të menjëhershëm të gjendjes shëndetësore, sipas prokurorisë, ka qenë tromboza totale e sinuseve kavernoze (enwve tw gjakut nw kokw) të trupit. Për këto arsye prokuroria e Tiranës shprehet se rezulton e provuar se të pandehurit Petrit Rexhepi dhe Elona Burba kanë konsumuar elementët e veprës penale të mjekimit të pakujdesshëm.

Ngjarja

Pas lindjes normale dhe pa komplikacione mjekët kanë komunikuar me familjarët e çiftit dhe kanë thënë se Dorjana do të dilte një ditë pas operacionit pasi çdo gjë ka shkuar mirë dhe gjendja e saj ishte normale. Përkeqësimi ka ndodhur ditën e tretë të lindjes ku në orën 15:30 Dorjana pati dhimbje koke. Këtë shqetësim ajo e ndau me familjarët që kujdeseshin për të në spital, por edhe me mjekët.  Pas këtij komplikacioni Dorjana Haka është transferuar nga spitali “Koço Gliozheni” për në spitalin numër 2 në Tiranë me një autoambulancë të siguruar nga ekipi i futbollit “Partizani”, pasi spitali nuk kishte autoambulancë. Në spitalin nr. 2 është marrë në dorëzim nga mjeku Mentor Petrela, dhe në ditën e 16-tw pas lindjes ajo ka humbur jetën.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama