Mjeshteri i ironise se imazhit

Mjeshteri i ironise se imazhit
Ka fituar çmime pa fund, por kjo se ka penguar të punojë pa reshtur. Arben Meksi ka vendosur që të mos ndalet. Grafisti i njohur ka në arkivin e tij me qindra karikatura, që e rendisin në karikaturistin më prodhimtar, por edhe më cilësorin në dekadat e fundit...

Kur pak kohë më parë meritoi çmimin special “Nastradin Hoxha” nga Turqia me “Përplasje e Qytetërimeve”, shumë syresh u kujtuan se karikatura ka mbetur e vetmja gjini, e cila sot e kësaj dite në Shqipëri mbetet për t’u parë dhe mbi të gjitha që ia vlen. E ushtrojnë aq pak vetë, saqë njëri prej tyre, z.Meksi që është nga më të vjetrit sot në këtë gjini, do të shprehej jo pa ironi: kemi mbetur një syresh në një milion!

Në fakt, Arben Meksi, më shumë se një nga të pakët karikaturistë shqiptarë aktivë, mbahet mënd sepse vazhdon të punojë dhe të angazhohet njësoj si 30 vjet më parë, kur e filloi punën në këtë gjini. Në konkursin botëror te karikaturës,  i cili u mbajt ne Stamboll më datat 6-11 shtator të vitit të shkuar, karikaturisti Arben Meksi fitoi çmimin special me karikaturën “ Përplasja e qytetërimeve ”, me një gjetje të veçantë që u komentua shumë nga kritika, por edhe që ishte një apogje për artin e tij. E të mos harrojmë ishin plot 2476 karikaturistë nga gati 69 vende të botës.

Arkitekti i njohur, të kujtojmë profesioni i tij primar është arkitekt, e ka përdorur fillimisht për pasionin dhe në ditët tona për t’u shprehur në art, nga ku ka dhënë mesazhe të jashtëzakonshme, që lidhen me dinjitetin, të mirën, qytetërimin, problemet me të cilat përballemi etj. Gjuha ku abstragon Meksi është shumë interesante dhe lidhet me një sens të jashtëzakonshëm ndjeshmërie në art, që pak e lëvrojnë dot. Nuk përdor shumë elementë, por ajo që mbetet interesante në punën e tij, është pa asnjë dyshim kompozimi dhe përkthimi i idesë, ku çdo gjë bëhet shumë e qartë me pak detaje. E kjo tregon veç një aftësie perceptimi të lart në art edhe një periudhë meditimi jo të vogël para procesit të punës.

Të mjafton vetëm të shikosh korpusin e punëve të tij dhe të bindesh se interesat kulturore të këtij njeriu s’janë të zakonshme. Më interesant akoma është se ky njeri bën çmos të qëndrojë në korrent me zhvillimet më të mira të kohëve, duke na dhënë perceptime të vërteta bashkëkohore. Pikërisht këtu, arti i sotëm i duhet t’i jetë mirënjohës këtij artisti.
Sa e përcjellin në Shqipëri? Për ironi të fatit, pothuaj fare pak, sepse edhe njohuritë për këtë lloj gjinie janë shumë të rezervuara.

Megjithëse, z.Meksi është vazhdimisht i pranishëm në media, duhet thënë se në shumicën e rasteve, redaktorët e kanë përdorur jo rrallë për ilustrim sesa në fushëbotën e vet, ku e meriton të qëndrojë një gjini e tillë. Dhe, kjo nuk lidhet me faktin se  e kuptojnë fare pak, por me sa duket me arsyen se karikatura s’i qëndron karakterit të personazhit të fryrë shqiptar, që antropologjikisht e mendon veten se është një qenie elitare?! “Është si një shfryrje e stresit dhe mendimit për të bërë një gjë të bukur, si dhe dëshirës së komunikimit me një gjuhë tjetër me njerëzit”, pohonte dikur.

Meksi e filloi punën e tij në studion e plejadës së njerëzve të shquar të karikaturës shqiptare, pikërisht në revistën “Hosteni”, organit të drejtuar nga mjeshtra si Niko Nikolla, që u bë një shkollë e vërtetë e zhvillimit të gjinisë që ai lëvron. Mbase, kur kujton këto fillime, atëherë bindesh për fjalët që dikur ai thoshte për median:”Është dëshpërimi, që i jep krah këtij arti dhe me sa duket që trishtimi i asaj kohe, i dha fuqi të mbinatyrshme këtij arti”. Ky dëshpërim artistik, atij i dha mundësinë që tu ngjitet titanëve të këtij arti: Shtjefën Palushi, Zef Bumçi, Agim Sula, Ilir Pojani, Enriko Veizi e pak të tjerë me të cilët tashmë ndan shqetësimin e tij intelektual.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama