Mo Yan Jam i gezuar dhe i frikesuar
- Botuar: 13 vite më parë
- Shkruar nga:
Çmimin Nobel për Letërsinë e fiton Mo Yan “i cili bashkon me realizëm haluçinant rrëfenjat popullore, historinë dhe bashkëkohoren”. Nga motivacionet e shkurtra që ka dhënë vitet e fundit Akademia Suedeze për Nobelin në letërsi, e që shprehet vetëm për veprën letrare të fituesit.
Kur organizatorët u lidhën në telefon me zotin Mo Yan i cili jeton më të atin 90-vjeçar, “ai tha se ishte i gëzuar dhe i frikësuar”, siç pohoi dje për mediat Peter Englund, sekretari i Akademisë Suedeze.
Mo Yan (emri i vërtetë i tij është Guan Moye) u lind më 1955 dhe u rrit në Gaomi, Shandong, provincë në veri-lindje të Kinës. Prindërit e tij ishin fermerë. Ishte 12 vjeç kur ndodhi Revolucioni Kulturor dhe e la shkollën për të punuar, si fillim në bujqësi, më vonë në fabrikë. Në vitin 1976 hyn në Ushtrinë Çlirimtare të Popullit dhe gjatë kësaj kohe fillon të studiojë letërsi dhe të shkruajë. Tregimi i tij i parë u botua në një gazetë letrare në vitin 1981. Por vepra e tij më e rëndësishme deri atëherë ishte romani Touming de hong luobo (1986, botuar në frëngjisht me titullin Le radis de kristal, 1993).
Shkrimet e Mo Yan-it përshkruajnë përvojat e rinisë në mjediset e vendlindjes së tij. Kjo është e dukshme në romanin Hong gaoliang jiazu (1987, ang. Red sorghum (Melekuqja) 1993). Janë pesë histori që shpalosen dhe ndërthuren në disa dekada të trazuara të shek.20, me përshkrimet e kulturës së gangsterëve, pushtimit japonez dhe kushteve të rënda të bujqve të varfër. Romani u bë dhe një ekranizim i suksesshëm në vitin 1987, nga regjisori Zhang Yimou.
Romani Tiantang suantai zhi ge (1988, ang. The garlic ballads, 1995) dhe Jiuguo (1992, ang. The Republic of wine, 2000) janë cilësuar armiqësore për shkak të kritikave të mprehta që i bëjnë shoqërisë bashkëkohore kineze.
Fengru feitun (1996, ang. Big breasts and wide hips 2004) është një afresk i gjerë që portretizon Kinën e shek.20 nëpërmjet universit të vogël të një familjeje të vetme. Romani Shengsi pilao (2006, ang. Life and death are wearing me out, 2008) me një humor të zi përshkruan përditshmërinë dhe shndërrimin e dhunshëm e të rinjve në Republikën Popullore, ndërsa Tanxiangxing (2004, që botohet në gjuhën angleze më 2013 me titullin Sandalwood Death) është histori e mizorisë njerëzore në një perandori që po shkërmoqet. Romani i fundit i Mo Yan-it që titullohet Wa (2009, frëngj. Grenouilles 2011) hedh dritë te pasojat e imponimit të politikës kineze për planifikimin e lindjeve, politika e një fëmijë të vetëm.
“Përmes përzierjes së fantazisë me realitetin, perspektivave historike dhe sociale, Mo Yan ka krijuar një botë që për nga kompleksiteti i përngjan shkrimeve të William Faulkner-it dhe Gabriel García Márquez-it, e duke gjetur në të njëjtën kohë një pikënisje në letërsinë e vjetër kineze dhe në traditën gojore” thuhet në vlerësimin e Akademisë Suedeze. Përveç romaneve, Mo Yan ka botuar tregime dhe ese për çështje të ndryshme, dhe pavarësisht kritikave të tij sociale, në atdhe ai konsiderohet një nga autorë kryesorë të letërsisë bashkëkohore.
Në suedisht ky autor ka vetëm tri vepra të përkthyera, por gjerësisht i përkthyer është në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht.
Shtypi botëror nuk linte pa prekur dje në profilin e shkrimtarit hijet në biografinë e tij si shkrimtar i establishmentit të sistemit komunist. Mo Yan nuk e konsideron veten autor politik, ndërsa shkrimtarët disidentë kinezë, po.
Mo Yan ka shërbyer si nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve Kinezë. Megjithatë kur shkrimtari në mërgim Gao Xingjian fitoi Nobelin në vitin 2000 dhe u kritikua pse hoqi dorë nga nënshtetësia kineze, Mo Yan e mbrojti publikisht atë.
Ai është i dyti qytetar kinez që fiton Nobelin. I pari ishte disidenti i burgosur Liu Xiaobo që dy vjet përpara fitoi Nobelin e Paqes.
Shkrimtarët e rinj, sidomos ata jashtë establishmentit, e kanë kritikuar Mo Yan për pjesëmarrjen në Panairin e Frankfurtit më 2009 kur Pekini pengoi një sërë shkrimtarësh disidentë. Aty ai është shprehur: “Një shkrimtar mund ta shprehë kritikën dhe indinjatën për anën e errët të shoqërisë dhe shëmtinë e natyrës njerëzore, por jo duke përdorur një shprehje uniforme. Disa mund të kenë dëshirë të bërtasin në rrugë, por duhet të jemi bujarë me ata që fshihen në dhomat e tyre dhe përdorin letërsinë për t’iu dhënë zë mendimeve të tyre.”
Mo Yan është pjesë e brezit të post-revolucionit kulturor që nisi të ketë një vështrim të ri jo partiak të shoqërisë kineze sidomos në fshat, duke dhënë kësisoj një vështrim tjetër nga letërsia e realizmit socialist. E përtej këtyre shtrëngesave që i bëhej letërsisë nga ideologjia, Mo Yan përshkruan mjedisin fshatar “si një vend magjik ku ndodhin gjëra të mrekullueshme që dukeshin sikur dilnin nga mitologjia dhe përrallat”.
Në perëndim është vlerësuar shumë romani i tij Life and death are wearing me out një vepër ambicioze ku rrëfimi bëhet nga pesë kafshë një pas të një te të cilat është rimishëruar një njeri i poseduar nga Yama, zot i botës së nëndheshme. Profesori i letërsisë kineze Howard Goldblatt, i cili ka përkthyer shumë vepra të Mo Yan-it në anglisht e quan këtë roman “një fabul të tendosur brilante”. Goldblatt e krahason letërsinë e tij me të Dikensit duke thënë se që të dy shkruajnë “vepra të mëdha e të guximshme me një gjuhë të fuqishme të sofistikuar dhe metaforike dhe me një thelb të fortë moral. Veçanërisht “Republika e verës” mund të jetë romani me teknikën më novatore e më të sofistikuar që kam lexuar nga letërsia kineze, ndërsa Sandalwood Death, siç pretendon dhe vetë autori është muzika vetë me bukurinë e saj”.
Nobeli për Letërsinë është akorduar 104 herë ndërmjet viteve 1901-2011. Shkrimtarët e fundit të laureuar janë Tomas Tranströmer, Mario Vargas Llosa, Herta Müller, Jean-Marie Gustave Le Clézio, Doris Lessing.
Mos fol
Emri i tij i vërtetë Guan Moye që do të thotë “mos fol”, reflekton në fakt, siç është shprehur vetë Mo Yan, kohën kur ka jetuar, një kohë kur mund të ishte shkatërruese t’i kritikoje ata në pushtet. “Atëkohë nuk ishte e zakonshme jeta në Kinë prandaj im atë dhe ime më kanë thënë të mos shprehem përjashtë”, ka thënë Mo Yan gjatë një forumi kulturor në Universitetin e Berklit në Kaliforni më 2011. “Po të shprehesh dhe të thuash çfarë mendon, do të kesh telashe. Ua vura veshin dhe nuk kam folur.”
Testamenti i Alfred Nobelit
“Pjesa e lartpërmendur do të ndahet në pesë pjesë të barabarta si vijon: /- - -/ një pjesë për atë individ që do të ketë krijuar në fushën e letërsisë veprën më të shquar në kuptimin ideal...” Kështu thuhet në testamentin e Alfred Nobelit.
Alfred Nobel kishte interesa të gjera kulturore, veçanërisht për letërsinë, interes që ai e ruajti gjatë gjithë jetës. Biblioteka e tij është mjaft e pasur me vepra letrare në gjuhë të ndryshme. Në vitet e fundit të jetës ai filloi të shkruajë sërish letërsi artistike. Letërsia është fusha e katërt që Nobeli përmend për çmim në testamentin e tij.
Çmimi i parë Nobel për Letërsinë u dha më 1901 poetit francez dhe filozofit Sully Prudhomme. Ky çmim jepet nga Akademia Suedeze në Stokholm dhe vlera e tij financiare është 930.000 euro.
Përgatiti: “Shekulli”