Aktiviteti që pret sot në mbrëmje Muzeu Historik Kombëtar është nisma që ka marrë ky institucion për paraqitjen e disa nga kostumet më në “modë” të viteve 1878 dhe mbas tij, të vlerësuara nga specialistët e kësaj fushe mjaft të rralla dhe origjinale.
Në ambientet e muzeut janë ekspozuar disa nga koleksionet e kostumeve të përdorura në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e më tej. Ekspozita përmban 10 fotografi, si dhe 10 vitrina mbi të cilat janë vendosur modelet e veshjeve të paraqitura në këto foto. Fotot tregojnë disa nga jelekët dhe materialet e përdorura për ndërtimin e veshjeve. Në disa stenda të përgatitura posaçërisht për burrat shqiptarë janë vendosur dy kostume ai i burrit katolik shkodran dhe një kostum tjetër i burrit lab. Në stenda janë paraqitur disa nga stolitë që mbanin në ato kohë burrat si: brezore, mbajtëse cigaresh, varëse, rripa dhe pipa.
Ndërsa në një stendë tjetër kushtuar gruas, janë paraqitur disa rripa bronzi me gurë të çmuar dhe me forma nga më të ndryshme, çanta të punuara me fije argjendi si dhe aksesorë të ndryshëm si varëse dhe byzylykë, të gjitha të punuara me mjeshtëri nga modelistët e asaj kohe.
Në 8 vitrinat e tjera vihen re disa nga veshjet si dhe kostume të grave të Malësisë së Madhe, të Lumës dhe asaj Gjirokastrite, të Drenicës, të grave Çame, atyre të Leskovikut dhe të Zadrimës dhe të Lunxherisë, të cilat spikasin jo vetëm për origjinalitetin kombëtar, por dhe për rëndësinë që u jepnin në të kohë veshjeve gratë dhe vajzat shqiptare, për të cilat edhe burrat shpenzonin jo pak, fakt që e tregojnë edhe vlerat e larta në çmime të këtyre kostumeve edhe sot kur është e përhapur gjerësisht moda e Armanit dhe Versaçes.
Nga : Gazeta Standard