Moda eshte ceshtje gustoje jo parash

Moda eshte ceshtje gustoje, jo parash
Carine Roitfeld ka dhënë dorëheqjen nga revista “Vogue” e Francës të cilën e drejtoi për dhjetë vjet. Në një intervistë ajo rrëfen për modën në ditët e sotme dhe biznesin që po ia merr frymën kreativitetit. Ju keni qenë kryeredaktore e edicionit francez të revistës së famshme të modës “Vogue” për dhjetë vjet. Para kësaj detyre keni punuar dhjetë vjet pranë “Gucci”, së bashku me drejtorin shumë kreativ Tom Ford. A mundet ta quajë veten normal dikush që gjatë 20 viteve të fundit ka qenë i përfshirë në këtë mënyrë në industrinë e modës?

Droga ime e vetme është një gotë vodka në darkë. Por kam qenë me shumë fat, sepse, ndryshe nga pjesa më e madhe e atyre që janë të përfshirë në botën e modës, unë kam pasur dhe kam një familje çka përbën diçka shumë të rrallë në këtë biznes. Dhe mbi të gjitha, kam qenë e martuar me të njëjtin njeri, që është edhe babai i dy fëmijëve të mi për 30 vjet. Dhe kjo më ka ndihmuar që të jem relativisht normale.

Si një ish-kryeredaktore e “Vogue”, ju dukeni gjithashtu shumë normale...

Kjo është pjesë e lirisë sime të sapozbuluar. Gjithmonë kam veshur funde të ngushtë, sepse në revistën ku punoja një fund i tillë përbënte uniformën.

Mund të na thoni se çfarë keni veshur sot?

Një “t-shirt” të blerë në Los Anxhelos, një palë xhinse “Current Elliott” dhe një palë këpucë mëndafshi. Pra glamuri është i kufizuar vetëm te këmbët e mia.

A është korruptuese kjo botë plot kotësi e modës, ku shpenzohen shuma jashtëzakonisht të mëdha parash për gjëra të kota?

Industria e modës sigurisht që ka edhe anët e saj të errëta. Për shembull kostoja e një palltoje mund të jetë stratosferike. Një vlerë të çmendur mund të kenë dhe fotot e bëra nga fotografë profesionistë, me modele profesioniste. Por po të shohësh të gjithë procesin e realizimit të një fotoje që del e bukur, apo të një palltoje për të cilën punojnë shumë njerëz, atëherë e kupton vlerën e tyre të madhe. Sigurisht që nuk është si të punosh në një spital. Ne nuk shpëtojmë jetë njerëzish çdo ditë. Thjesht marrim vendime në lidhje me gjatësinë e fundeve dhe fustaneve të radhës, apo të takave të stinës që është në prag. Kjo është e gjitha.

A ju është dukur ndonjëherë moda diçka e kotë dhe e paqëllimshme?

Për dhjetë vjet ka qenë një zbavitje e jashtëzakonshme, por aty nga fundi, për fat të keq nuk m’u duk diçka shumë zbavitëse. Dikur kishte më shumë variacione, ndërsa tani gjithçka bëhet për paratë, gjithçka sillet rreth fitimeve dhe është bërë shumë serioze, si çdo biznes tjetër në fund të fundit. Atmosfera nuk është elektrizuese, siç ka qenë dikur dhe të shkosh në një sfilatë mund të jetë si të shkosh në një konferencë mjekësore për nga serioziteti dhe mërzia që provohet.

Nëse do ta konsideronim modën si diçka që na flet për kohët në të cilat është krijuar një model i caktuar, duke u nisur nga moda, si do ta përkufizonit kohën në të cilën po jetojmë?

Moda e sotme nuk i jep mundësinë njerëzve që të ëndërrojnë siç kanë bërë dikur. Njëzet vjet më parë, moda ishte një premtim – diçka që ishte pjesë e jetës dhe e pasuronte atë me detaje të këndshme, diçka që reflektonte një epokë të veçantë. Nëse do të shohësh reklamat që shihen kudo, sot ajo që të bie në sy është se konsumatorët nuk blejnë më ëndrra, por objekte.

Kjo është arsyeja që ju bëri të linit “Vogue” në muajin janar?

Dhjetë vjet janë një jetë e tërë dhe veçanërisht në një vend të tillë ku kam punuar. Kanë qenë vite të mrekullueshme, por herët apo vonë, zogjtë kanë nevojë për liri sërish.

Në atë kohë, botuesi juaj francez tha se koha e provokacioneve në modë kishte marrë fund.

Unë do të thosha se në fakt, moda ka nevojë për provokime, për thyerje tabush.

Ishte i juaji vendimi për t’u larguar?

Absolutisht dhe ishte një vendim i marrë në një moment të përsosur. Botuesi francez i “Vogue” nuk ka qenë kurrë më i suksesshëm dhe nuk ka pasur kurrë më shumë reklama se gjatë kohës që kam qenë unë në krye të revistës. Kurrë nuk i ka bërë kaq shumë para. Për dhjetë vjet, botuesi im amerikan më la që të bëja atë që desha, atë që kisha ëndërr dhe frymëzim, edhe në rastet kur bëhej fjalë për gjëra të çmendura. Por nuk mund të kishte vazhduar gjatë.

A mund të thoni se ky është fundi i një epoke?

Kreativiteti ka nevojë për hapësirë dhe për vullnetin e ndërmarrjes së rreziqeve, por biznesmenët nuk e pëlqejnë rrezikun. Për më tepër, stilistët janë nën një presion gjithnjë e më të madh. Sot, një fustan nuk duhet që t’i pëlqejë vetëm një gruaje në Paris, por edhe atyre në Tokio, Moskë, Pekin dhe Nju Jork.

A mos vallë globalizmi është duke e bërë modën më të mërzitshme?

Unë mendoj se globalizmi është duke kërkuar shumë kompromise, por ai nuk është i vetmi faktor. Stilistët e sotëm nuk duhet që të krijojnë vetëm koleksionin e vitit, ata duhet që të krijojnë katër koleksione të ndryshme për secilën stinë. Dhe disa shtëpi mode e nxjerrin modën e lartë për dy herë në vit. Kush mundet që ta menaxhojë gjithë këtë ngarkesë? Stilistët e mirë janë artistë dhe janë njerëz të brishtë, të cilët nuk mund t’i mbash nën presion të vazhdueshëm.

Dy nga yjet më të shndritshëm të botës së modës pariziene, britanikët Alexander McQueen dhe John Galliano janë larguar nga pasarelat në mënyrë shumë dramatike. McQueen kreu vetëvrasje një vit më parë dhe Galliano, stilisti i “Dior” doli disa javë më parë, pas shpalli në mënyrë publike dashurinë e tij për Hitlerin.

Krijimet artistike të McQueen kishin gjithmonë anën e tyre të errët, por vdekja e tij është gjithsesi tronditëse. Dhe ai nuk ishte i vetëm. Kishte një skuadër të madhe që e rrethonte dhe që, për fat të keq, nuk ishte e zonja që ta mbronte.

Po për Galliano-n?

Nuk e kisha menduar më parë se sa i palumtur ishte ai njeri. Duhet të jesh shumë i vetmuar që të pëlqesh Hitlerin në publik, ndërkohë që je nën një gjendje të piri. Për mua është e papranueshme që ai, në gjendje të piri, ulëriti në publik: “Unë e dua Hitletin” dhe “Hebrenj të ndryrë”. Por nuk mendoj se ai e beson atë që tha, thjesht ka qenë i pirë.

A është droga pjesë e jetës së përditshme në industrinë e modës?

Në të njëjtin nivel, si edhe në arte të tjera. Yves Saint Laurent ishte personi i parë që e pranoi se ishte i varur nga droga. Duke qenë se unë personalisht nuk e kam prekur drogën me dorë, e kam të vështirë që të flas për të tjerët, por sigurisht që ka nga ata që drogohen. Kjo ndoshta edhe sepse industria është bërë shumë e shpejtë dhe njerëzit janë gjatë gjithë kohës në fluturime, aeroporte dhe hotele.

Tani që Galliano dhe McQueen nuk janë më, a është Lagerfeld i vetmi që ka mbetur nga më të mëdhenjtë?

Po. Karl-i i mirë. Po është gjithashtu edhe Nicolas Ghesquiere te “Balenciaga”, Riccardo Tisci te “Givenchy”, Minucia Prada dhe sigurisht edhe Tom Ford. Dhe ka talente të reja plot. Në njëfarë mënyre ne kemi parë gjithçka tashmë. Çfarë mund të shpresojmë nga “shpikësit e modës?

Sot, veshjet e shtrenjta janë duke i blerë me shumicë rusët dhe kinezët e pasur. Shumë njerëz që punojnë në dyqanet e Berlinit flasin rusisht.

Kjo është e vërtetë. Fiksimi me stilistë të caktuar është diçka që unë e quaj të çuditshëm. Mendoj se eleganca është diçka e lindur dhe se nuk mund të mësohet. Mund të mësosh ndërkohë se si të mos bësh gabime dhe t’i shmangësh ato. Eleganca nuk ka të bëjë vetëm me fustanet dhe veshjet. Ka të bëjë edhe me mënyrën se si ecën, nuk ka të bëjë me etiketën apo firmën e shtrenjtë.

Ju jeni 56 vjeçe. Sa e vështirë është për një grua në moshë që të bëjë pjesë në industrinë e modës?

Duhet ta dini se edhe ato fotot e vajzave 18-vjeçare, para se të dalin nëpër kopertina apo faqet e revistave, retushohen shumë. Unë jam e kënaqur me veten kur shihem në pasqyrë, sepse jam brenda vetes e re dhe njerëzit në përgjithësi duhet që të gjejnë një mënyrë për të qenë të lumtur me veten, sido që të jenë. Në të kundërt, jeta të bëhet shumë e vështirë.

Çfarë do të bënit në jetën tuaj të re?

Kam shumë projekte ndërkohë: një libër me Karl Lagerfeld, një tjetër për punën time dhe një fushatë publicitare për “Chanel” dhe disa konsulta për firmat e modës në Nju Jork.

A keni parime mode?

Unë nuk e ndryshoj çantën e dorës çdo stinë.

Ju vishni gjithnjë taka të larta...

Po, sepse të japin pushtet dhe të detyrojnë që të lëvizësh me më shumë elegancë dhe madje, edhe të flasësh ndryshe.

Pra ju nuk vishni shpesh këpucë të sheshta?

Nuk eci shumë dhe këpucët e sheshta i vesh kur jam me pushime, por udhëtoj me taka të larta.

Mund të na jepni ndonjë këshillë mode?

Nëse nuk doni që të bëni gabime, blini veshje të zeza. Ato janë gjithmonë të duhurat dhe nga mosha 50 vjeç e më tej mund të shtoni gradualisht ngjyrën bezhë. Çdo pesë vjet duhet ta shihni gardërobën tuaj me sy kritik dhe nëse është e nevojshme të ndryshoni kostumin e banjës me dy pjesë, në një kostum me trup.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama