b) modeli i grindjeve cirkulare
c) modeli i grindjeve komunikuese dhe
e) modeli i grindjeve lineare.
Modeli i grindjeve sistemore
Grindjet e ndryshme që paraqiten në jetën martesore nuk janë rezultat i mospajtimit ndërmjet bashkëshortëve dhe marrëdhënieve të tyre, por ato janë rezultat i funksionit të dobët të dinamikës së martesës si tërësi gjegjësisht sistem. "Grindjen martesore mund të kuptojmë si strategji të ballafaqimit të bashkëshortëve me situatën bashkëshortor, tërësinë, sistemin, e me qëllim të përshtatjes kontekstin bashkëshortor dhe përjetimit, zhvillimit brendapërbrenda tij. Ajo në njëfarë mënyre shërben për ruajtjen e atij sistemi pa marrë parasysh se a është kjo mënyrë funksionale a jofunksionale, e suksesshme a e pasuksesshme".
Çdo grindje që lajmërohet në jetën martesore duhet të shikohet në një mënyrë sistem bashkëshortor. Izolimi i shkaqeve të ndryshme të grindjeve si pjesë, sekuencë a një ngjarjeje të gjatë a të shkurtër, apo pasojë a grindjeve nga ana e vetëm një bashkëshorti nga bashkësia martesore, paraqitet si model i pazgjidhur. Analiza e grindjes martesore do të jep rezultate pozitive nëse ajo shikohet në tërësinë e sistemit të marrëdhënieve martesore. Grindja sistemore në marrëdhëniet martesore duhet të paraqitet sipas modelit "PSE" dhe "SI" duhet të grinden bashkëshortët në marrëdhëniet e tyre. Ky model nuk do të jetë efikas nëse përdoret vetëm për bashkëshortët në raportet interpersonale. Nëse "PSE" dhe "SI" përdoret në nivel të bashkësisë martesore si tërësi e sistemit martesor, atëherë edhe grindjet do të jenë të dobishme dhe frytdhënëse. Prandaj, grindjet martesore nuk duhet shikuar vetëm nga aspekti i raporteve interpersonale të çifteve bashkëshortore, por ato duhet kërkuar në bashkësinë martesore si tërësi, sistem.
Modeli i grindjeve cirkulare
Shumica e grindjeve bashkëshortore nuk janë vetëm grindje mes bashkëshortëve dhe për bashkëshortë, por ato janë sintetizim i shumë faktorëve shkaktues të cilët paraqiten brenda përbrenda marrëdhënieve martesore në mënyrë qarkore. Parimi qenësor i këtij modeli është që çdo grindje që paraqitet kalon në mënyrë qarkore në marrëdhëniet interpersonale të bashkëshortëve. Në këtë mënyrë ai përjashton analizën lineare, vërtetimin, argumentimin se kush është e kush nuk është fajtor, kush është viktimë e kush ngadhënjyes. Modeli i grindjeve cirkulare nuk ka për qëllim të përcaktojë aktorin kryesor për paraqitjen e grindjeve, por të analizojë në mënyrë qarkore procesin e grindjes në martesë, mospajtimet dhe konfliktet bashkëshortore me qëllim të ndërrimit të atij procesi e jo të ndërrimit të bashkëshortëve brenda përbrenda atij procesi.
Pra, siç shihet, poenta kryesore e këtij modeli është ndërrimi i principit dhe metodës e jo arsyetimi i njërit apo fajësimi i tjetrit bashkëshort. Duhet ditur se çdo problem bashkëshortor nuk është problem "i tij apo i saj", por problemi i paraqitur është problem i përgjithshëm që kërkon zgjidhje të përbashkët. Prandaj dinamika e grindjeve martesore gjithnjë është cirkulare dhe reciproke, prandaj edhe zgjidhja e problemit bëhet në mënyrë cirkulare. Dr.Pavao Brajsha thotë se "Partnerët bashkëshortorë nuk grinden njëri me tjetrin, por njëri dhe tjetri brenda përbrenda situatës së përbashkët konfliktore martesore".
Shkaqet e grindjeve martesore në të shumtën e rasteve janë si pasojë e zgjedhjes së mënyrës lineare të konflikteve të mëparshme nga ana e njërit prej bashkëshortëve. Në këtë mënyrë mund të flitet edhe për partnerin konfliktor dhe atë tolerant, për mospajtim të mendimeve, karakterin dhe temperamentin, për nevojat dhe interesimet e ndryshme etj. Mospajtimet dhe nduarnduarshmëria në marrëdhëniet bashkëshortore paraqesin pikënisjet e para për shfaqjen e grindjeve në martesë. Mendohet se sakrificat dhe shmangiet nga animi i njëanshëm është parakusht për harmoni dhe ekzistimin e pajtueshmërisë midis bashkëshortëve. Grindja e lajmëruar në këtë mënyrë është cirkulare, por lineare prandaj edhe nuk përgjigjet cirkularitet të bashkëshortëve. Një harmoni dhe pajtueshmëri e tillë është joadekuate dhe joreale. Në këtë mënyrë grindja analizohet dhe zgjidhet në mënyrë artificiale dhe të përkohshme.
Grindja martesore është e komplikuar dhe për hir të kompleksitetit duhet të ketë zgjidhje cirkulare e assesi lineare.
Në këtë mënyrë çdo partner problemin e vet e gjen në rrethin bashkëshortor dhe po në atë rreth e zgjidh problemin e vet. Prandaj bashkëshortët në këtë model janë të lidhur mes veti në mënyrë qarkore.
Modelet e grindjeve në martesë II
Modeli i grindjeve ndërmjet raporteve bashkëshortore
Konfliktet e ndryshme ndërmjet bashkëshortëve mund të jenë të natyrës objektive dhe subjektive apo të drejtpërdrejta dhe të afërme. Pakënaqësitë e shumta bashkëshortore në të shumtën e rasteve mund të ngatërrojë harmoninë në jetën bashkëshortore. Se si janë marrëdhëniet ndërmjet bashkëshortëve mund të flitet për qëndrueshmërinë, klimën, stabilitetit dhe harmoninë e marrëdhënieve bashkëshortore ose përfillja e marrëdhënieve të harmonizuara ndërmjet bashkëshortëve mund të çrregullojnë raportet Unë - Ti në jetën bashkëshortore. Përderisa në jetën paramartesore ende ekzistojnë raportet Unë - Ti, me hyrjen në martesë raportet Unë - Ti duhet të shndërrohen në Ne. Tani bashkëshortët përbëjnë një celulë të pluralitetit ku interesimet, nevojat dhe planet personale shndërrohen në ato të përbashkëta.
Mirëpo, në të shumtën e rasteve kur raportet e bashkëshortëve nuk përfillen njëri për tjetrin, gjegjësisht kur njëri prej tyre bashkëshortësinë e përjeton si objekt i bashkëshortësisë, grindjet në bashkëshortësi janë të paevitueshme. Në këto marrëdhënie Unë - Ti shndërrohen në raportin Unë - Ai. Dr. Pavao Brajsha thotë: "... Me kohë njëri prej tyre a të dytë fillojnë të ndihen si objekt, mjet i partnerit tjetër. Ndjejnë se më tepër çmohet funksioni i tyre i caktuar në martesë, aftësitë e tyre të caktuara, se sa ata vet si personalitete komplete. Hetojnë se raporti i tyre Unë - Ti shndërrohet në raport Unë - Ai. Bëhen të vetëdijshëm se njëri tjetrit nuk i nevojiten më si persona të dashur, por si objekte të shfrytëzuara. Në të folurit e përditshëm thuhet se në këtë martesë ka gjithnjë e më pak dashuri".
Shumë bashkëshortë shkaqet e mospajtimit të tyre i gjejnë në marrëdhëniet e tyre të kaluara duke i mbivlerësuar ato gjegjësisht duke nënçmuar marrëdhëniet e tanishme. Gabimi edhe më i madh bëhet kur bashkëshortët në vend që haptas dhe lirisht të bisedojnë për të kaluarën e tyre, ato edhe më tepër ngarrohen me lidhjet e ndryshme të së kaluarës duke dëshiruar që tinëzisht të mbajnë lidhjet e kaluara.
Jeta martesore do të bëhet monotone nëse në jetën bashkëshortore nuk ekziston rehatia bashkëshortore. Rehatia bashkëshortore nënkupton edhe të qenit pranë gjegjësisht larg njëri tjetrit. Nënkuptohet se largësia dhe afërsia ndërmjet bashkëshortëve duhet të jetë për një kohë të shkurtër. Nëse bashkëshortët jetën e tyre e kalojnë gjithnjë bashkë, pa e hetuar ndarjen fizike të shkurtër, pra largësinë, atëherë bashkëshortët në marrëdhëniet e tyre më tepër do të kenë mospajtime, monotoni dhe konflikte. Mosekzistimi e rahatisë bashkëshortore është si pasojë i aktivitetit të tepruar apo të pasivitetit total.
Monotonia dhe grindjet e ndryshme lajmërohen edhe nëse bashkëshortët në jetën e tyre luajnë rolet e njëjta, pa tentim ndryshimi të kohëpaskohshëm të roleve. Duke e marrë parasysh se bashkëshortët qojnë një jetë të tillë ku mënyra e jetesës, pozita në shtratin bashkëshortor, puna e njëjtë në shtëpi dhe forma e njëjtë e shoqërimit në jetën shoqërore si dhe shumë gjëra tjera të njëjta, kërkojnë nga bashkëshortët të bëjnë freski të ndryshme në jetën e tyre bashkëshortore.
Modeli i grindjeve komunikuese
Duke u nisur nga fakti se në jetën e përditshme ekzistojnë komunikimet verbale dhe joverbale, çdo problem i paraqitur në marrëdhëniet bashkëshortore mund të komunikohet në mënyrë verbale dhe joverbale . Bashkëshortët të cilët nuk janë në gjendje që në momentin e caktuar dhe në mënyrë drejtë të komunikojnë mes veti nuk janë në gjendje të mbajnë martesën e tyre. Mirëmbajtja e marrëdhënieve bashkëshortore është parakusht themelor për paraqitjen e grindjeve martesore. Dëshirat, nevojat interesimet, mospajtimet dhe problemet e shumta që paraqiten në jetën bashkëshortore, nëse për to nuk bisedohet lirisht dhe haptas, nuk mund të ketë jetë të lumtur bashkëshortore. Çdo largim apo mbajtje e fshehtësisë mundëson grumbullimin e problemeve ku si të tilla në çdo situatë tjetër mund të nxit paraqitjen e grindjes. Pengimi i paraqitjes së grindjes në këto situata është përdorimi i fjalës së vërtet në momentin e caktuar që njëherazi e shpreh edhe dashurinë ndaj bashkëshortësisë.
Bashkëshortët në marrëdhëniet e tyre gjithherë nuk mund të shprehin mendimin apo dëshirën me fjalë, por atë e bëjnë me punën dhe sjelljet e tyre. Në këto raste kemi të bëjmë me komunikimin joverbal në marrëdhëniet bashkëshortore. Kjo formë e modelit të grindjes komunikuese duhet sa më pak të jetë prezente në jetën bashkëshortore.
Duke cekur se ky model i grindjes mund të jetë komunikimi i njëanshëm dhe inkongruent ndërmjet bashkëshortëve. Nëse në raportet bashkëshortëve komunikimi bëhet nga ana e vetëm njërit prej bashkëshortëve, atëherë mendimi, dëshira, nevoja, interesimi dhe problemet e bashkëshortit tjetër nuk mund të vijnë në shprehje. Prandaj, edhe rruga për paraqitjen e grindjes është e paevitueshme. Në të njëjtën kohë, nëse komunikimi është jo i sigurt, i paharmonizuar, inkongruent, mospajtimi i bashkëshortëve bëhet jo tolerues duke e mundësuar paraqitjen e grindjeve bashkëshortore.
Modeli i grindjeve lineare
Derisa në modelin e grindjeve cirkulare shkohet nga ajo që çdo problem a grindje të zgjidhet në mënyrë qarkore duke mos fajësuar asnjërin prej bashkëshortëve, modeli i grindjeve lineare në jetën martesore kërkon gjetjen e viktimës dhe ngadhënjyesit, gjegjësisht fajësimin dhe shfrytëzimin e njërit prej bashkëshortëve. Në këtë mënyrë ekzistojnë dy qëllime kryesore të këtij modeli, të vërtetohet se kush është fajtorë e kush është viktimë dhe kush ka të drejtë e kush nuk ka të drejtë ndërmjet bashkëshortëve.
Në këtë mënyrë bashkëshortët përdorin dy metoda klasike të grindjes lineare e këto janë: argumentimi linear dhe gjykimi linear. Në këtë mënyrë në një model të tillë dëshirohet të gjendet fajtori dhe sipas mundësive të dënohet si dhe të vërtetohet se kush është viktimë e sipas mundësive edhe të gjykohet veprimi i tij apo i saj, përndryshe, çdonjëri prej bashkëshortëve në çdo pikëpamje lufton, sepse asnjëri prej tyre nuk e fajëson veten e çdo njëri prej tyre mundohet të arsyetohet si viktimë i grindjes.
Kjo formë e lajmërimit ka dy dobësi të mëdha. Njëra është se asnjëri prej tyre nuk dëshiron të pranoj fajin e vet dhe çdo njëri prej tyre mundohet të nxirret si viktimë e grindjes. Dhe dobësia e dytë është se kjo formë nuk u mundëson bashkëshortëve bashkëpunim dhe marrëveshje reciproke për zgjidhjen e situatës konfliktore.