Modeli shqiptar ne sfilaten e Canali-t

Modeli shqiptar ne sfilaten e Canali-t
Me vështrim të mprehtë, të thellë, të sigurt, depërtues, joshës, fin. Cilësi që ndihmohen edhe nga tiparet sa burrërore, aq edhe të brishta, konturuar nga lëkurë delikate, flokë gjysmë të gjatë, të dendur, me onde e të derdhur. Pa llogaritur trupin me përmasa thuajse të përsosura për një model, 97 x 70 x 90cm gjerësi dhe 1.88m gjatësi. Qarkuar nga një sfond rrezatimi tej e tej gri e lehtë prej kostumit dhe shallit Canali që mbante veshur. “Gjendesha në Pekin prej tre muajsh, duke punuar për marka vendase. Në casting kishte mjaft modelë të huaj nga gjithë bota. Rastësisht rashë në sy dhe një nga të përzgjedhurit për sfilatën e markës së famshme italiane të modës, Canali, u bëra fatmirësisht edhe unë”, tregon shqiptari nga Tirana, 19-vjeçari Ledio Mehmeti, të cilit i takoi të sfilonte një mbrëmje me dy dalje gjithsej.

Për koleksionin vjeshtë-dimër 2012, i cili u paraqit edhe në Pekin, si një nga qendrat më të mëdha botërore sot për prodhimin e gjitha markave më të njohura të modës. Përveç modelëve të famshëm kinezë, në sfilatën e Canali-t kanë marrë pjesë edhe tre të huaj; një brazilian, një gjerman dhe shqiptari Ledio Mehmeti. I gjendur në Pekin për të dytën herë brenda një viti, në sprova drejt suksesit ndërkombëtar në botën e modës, pas suksesit të herës së parë, kur u bë i pari shqiptar që pozoi për faqet e revistës së njohur GQ në gjuhën kineze.

I gjetur, mbështetur dhe hedhur si me katapultë nga një agjenci gjithashtu kineze modelingu, e çelur prej mëse një viti në Tiranë, Bindi Model Management. “Nëse do të punosh e fitosh para, Kina është vendi i duhur. Aty prodhohen të gjitha markat e mëdha të botës”, thotë Ledio.

Specialistë të fushës së modës e vlerësonin si një imazh tipik mesdhetar, maksimumi me të ngjashëm deri në Europën Qendrore. Por iu thoshte të gjithëve që ishte shqiptar.

I sapokthyer nga sfilata për markën e famshme italiane të modës Canali, me të cilën nuk pati kohë të bisedonte për më shumë bashkëpunime, sepse menjëherë i binte të kthehej në Tiranë, Ledio tanimë po punon për sfidën më të madhe, ëndrrën e çdo modeli në të gjithë botën, Milanon. Aty ku mund të rigjejë sërish edhe Canali e jo vetëm Canali, por Armani, Dolce Gabbana, Versace, Gianfranco Ferre, Valentino etj.

Do të niset për atje tani afër. Do të pritet nga një agjenci përfaqësuese që do t’i mundësojë të gjitha kontaktet. Do të qëndrojë po tre muaj për të përgatitur albume fotosh, show room, e për të qenë gati për sfilatën e janarit, kohë kur gëlon moda mashkullore. Duke qenë për herë të parë i përgatitur në një agjenci profesionale modelimi në Shqipëri si Bindi Model Management ai ndjen transformimin që i duhej për gara të mëdha. “Në agjenci kam marrë më shumë përvojë. Tani kam vërtet pamjen e modelit profesionist, qoftë nga lëkura e trajtuar, dieta, palestra, ushqimi i kontrolluar dhe linjat e përsosura që kam krijuar”.

Është hera e parë që udhëton drejt Italisë së modës. Ka dëgjuar që ka shumë konkurrencë, por shpreson tek suksesi. “Ëndrra më e madhe është të sfiloj për Armanin. Pse jo.”

“Dua të bëhem aktor”

Kjo është ëndrra tjetër e madhe pas modelingut. Dhe talentin për këtë duket se e shfaq tek fotografimi. ‘Kur jam përpara aparatit më vijnë ide që nuk i kam kur nuk pozoj. Pyes fotografin se çfarë kërkon të shpreh dhe e jap me gjuhën e trupit”.

Jeta

19 vjeç,
Vendlindja: Kuçovë,
Vendbanimi: Tiranë

Arsimi: I mesëm. Model në Albania Fashion Week 2009, Coin Tiranë, China Fashion Week 2011 etj.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama