Ministri i Energjetikës ka pohuar se skema ku shteti merr rolin e një rregullatori që të blejë energji dhe ta shesë, është mirëfilli socialiste. Sipas tij, ky model ka dështuar, tregu duhet të liberalizohet. Në vigjilje të një reforme për tregun e energjisë elektrike që synon të zhveshë kompanitë e shtetit nga përgjegjësia për të furnizuar 35 % të konsumit vendas, ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri ka pohuar se skema ku shteti merr rolin e një rregullatori që do blejë energji dhe do shesë, është mirëfilli socialiste.
“Ekonomitë socialiste e kanë treguar veten që nuk ecën për një kohë të gjatë. Planifikimet gjithmonë kanë çaluar, por mbi të gjitha çalojnë në investim dhe këto investime vazhdimisht mbeten jo të qëndrueshme.Prandaj mendojmë që liberalizmi do të jetë në drejtimin e duhur”, – tha Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, në prezantimin e reformës së re të energjisë që shkon totalisht djathtas.
Qeveria po finalizon projektligjin për liberalizimin e tregut të energjisë. Reforma e re e sektorit të energjisë elektrike po kryhet me mbështetjen e Bankës Botërore në etapa të caktuara. Përmes ligjit të ri do mund të vihet në jetë liberalizimi i tregut, duke e filluar deri në fund të këtij viti me klientët e lidhur deri në 35 kilovolt dhe duke vazhduar deri në vitin 2018, kur pjesa e tensionit 10, 20, deri në 35 të ketë dalë nga tarifat e rregulluara.
Kjo do të thotë se të gjitha bizneset e mëdha duhet të gjejnë vetë furnitorin e energjisë pa ndërmjetësin e shtetit. Operatori i Shpërndarjes të përmirësojë rrjetin që është më shumë tek pjesa e popullatës në nivelet e ulëta të konsumit, të cilët kanë edhe për disa kohë nevojë të jenë pjesë e tarifave të rregulluara. Ministri tha se qeverisë dhe kompanive të saj iu mbetet angazhimi në investimet në infrastrukturën bazë, pra që janë lidhjet e Shqipërisë me rajonin.
Po kështu ai theksoi se Europa Juglindore ka nevojë për energji, por patjetër Shqipëria duhet të ketë lidhje me të. “Investime po bëjmë për lidhjen me Kosovën dhe gjej rastin të falenderoj KfV-në, e cila ka dhënë një mbështetje shumë të madhe. Më vonë lidhjen me Maqedoninë dhe lidhjet aktuale e bëjnë Shqipërinë plotësisht të ndërlidhur.
Duke qenë e ndërlidhur, ajo bëhet pjesë e një tregu rajonal, rriten mundësitë për tregtimin e energjisë, shkëmbimin e energjisë, çmime më të qëndrueshme. Të gjitha këto janë investime që normalisht duhet t’i bëjë shteti, sepse janë investime të karakterit infrastrukturor, por këto krijojnë premisat e mira për çdo investim privat për tregun në të ardhmen.
Ministri tha se ligji fillon dhe i trajton kompanitë ashtu siç duhet të jenë, korporata, dhe jo më si segmente zgjatimesh shtetërore që vazhdimisht është luajtur politikisht. Zbatimit i këtij ligji do të pasohet më vonë me ligjin për gazin dhe ligjin për energjitë e rinovueshme, i cili mbeti në një ngërç për shkak të problemeve që kishte sektori energjetik në përgjithësi. Pa kaluar ligjin për energjinë elektrike nuk mund të bënim operacionet e nevojshme dhe në pjesën e energjive të rinovueshme.