Por, jeta e saj mori kthesë në mars të 2008-s. Fillimisht Katie u rrah dhe u dhunua nga Daniel Lynch, i fejuari i saj tepër xheloz dhe i tërbuar pas arteve marciale. Më pas, ky i fundit angazhoi kriminelin Stefan Sylvestre që t‘ia digjte me acid sulfurik fytyrën ish-modeles, ndërsa ajo po ecte në "Golders Green High Street" në Londër. "Po bëja pazar dhe kur dola nga dyqani, një djalosh me kapuç vrapoi drejt meje. Gjërat ndodhën shumë shpejt: djali më derdhi një lëng në fytyrë dhe lëkura filloi të më digjej", ka thënë Katie. "Por ai nuk u kënaq me kaq. Fillimisht vodhi dinjitetin tim, më pas fytyrën prej kukulle. Donte që këto shenja të ishin një kujtim i përjetshëm i së keqes së tij. Unë dua t‘i tregoj botës që ia dola mbanë".
Vajza u verbua nga njëri sy, nuk ishte në gjendje të hante me gojë dhe ndërkohë iu nënshtrua 30 operacioneve për të riparuar dëmet. Sulmuesit e saj janë dënuar me burgim të përjetshëm dhe tani Piper, pavarësisht ndërhyrjeve, i tregon ende shenjat e masakrës që pësoi, ndërsa ka vendosur të shfaqet në televizor.
Ndërhyrja e parë
Gjatë operacionit të parë kirurgët e spitalit "Chelsea and Westminster Hospital", të udhëhequr nga doktor Mohammad Jawad, e hoqën të gjithë lëkurën që kishte rënë në kontakt me acidin. Pastaj përdorën një teknikë të avancuar për t‘i rimodeluar fytyrën, duke marrë lëkurë nga pjesët e tjera të trupit të saj. Tani Piper mban në fytyrë një maskë plastike tepër të ngushtë, për të shtrirë rrudhat dhe për ta mbajtur të njomë fytyrën.
Modelja ka vendosur të marrë pjesë në dokumentarin "Katie: my beautiful face" për t‘u treguar njerëzve fatin e trishtë të personave të djegur. "E tregoj historinë time që njerëzit të dinë se çfarë më bënë mua ata djem, por edhe për t‘u treguar se cilat janë shkaqet që e transformojnë në mënyrë të pandreqshme fytyrën e njeriut. Në fund dua që njerëzit të mos frikësohen nga fytyrat tona të djegura, por të kuptojnë që pas këtyre shenjave të përjetshme,është gjithmonë i njëjti person", është shprehur ajo për "News of the world".
Para pasqyrës
Pavarësisht guximit dhe forcës shpirtërore, Katie i kujton me nostalgji kohërat kur ishte modele: "Isha shumë e qeshur", thotë 26-vjeçarja. "Kisha shumë miq. Sa herë që shkoja diku, njerëzit që më takonin për herë të parë thoshin: ‘Oh, je vërtet e bukur‘, dhe unë mendoja, ‘Po, është e vërtetë‘". Pas operacionit, kur pa për herë të parë fytyrën e saj, Katie u trondit: "Më kujtohet që mendova: ‘Dikush duhet të më japë një pasqyrë tjetër, sepse kjo është e thyer‘. Më pas u mendova dhe kuptova se ajo aty isha unë". Kur Katie mbeti vetëm me të ëmën në dhomë, i tha: "Mama, të lutem më vrit".
Njohja
Katie nuk e mendonte kurrë këtë tmerr, kur u njoh me Lynch-in në "Facebook" në mars të vitit të kaluar. Ajo punonte me kohë të pjesshme "si vajzë unazë" (që tregon raundet) për artet marciale. Po ashtu pozonte për katalogë dhe shfaqej si e ftuar në televizionet kabllore. "Më pëlqeu, sepse ishte djalë simpatik.
Folëm shumë për artet marciale. Gjatë një fundjave më duhej të punoja dhe ai më tha se do të përpiqej të ishte i pranishëm në mes të publikut. Unë e pashë në radhën e parë. Pastaj u shfaq në festën pas spektaklit, filluam të bisedonim dhe më qerasi me një pije. Kaluam disa ditë bashkë në punë dhe më në fund unë i dhashë numrin tim të telefonit. Më pas vendosëm të darkonim së bashku. Në takimin e parë më solli lule dhe një arushë prej pelushi".
Një jetë e re
Ankthi vazhdon ta torturojë ish-modelen. Çdo natë u kërkon prindërve të mbyllin mirë dritaret dhe derën. Por, pavarësisht kësaj, vajza vazhdon t‘i besojë jetës: "Edhe pse këto shenja do të më shoqërojnë gjatë gjithë jetës, jam shumë e lumtur që kam fytyrën time të re e të bukur. Kur shoh fotografitë e vjetra imagjinoj sikur ajo është vajza me të cilën kam kaluar shumë kohë. Është njësoj sikur të ishte shoqja ime më e mirë, të cilën nuk do ta shoh më. Tani jam e lumtur. Qesh dhe bëj shaka çdo ditë. Gjithashtu falënderoj të gjithë njerëzit e mrekullueshëm që më rrethojnë dhe më bëjnë të ndihem mirë". Në fund Katie thotë se ende ëndërron të martohet: "Dua të bëj një jetë normale dhe pas të gjithë asaj që më ndodhi, ëndërroj të takoj sërish dikë dhe të kem besim tek ai. E natyrisht dua të martohem dhe të kem fëmijë".