Shefja e re për politikën e Jashtme dhe të Sigurisë në BE, Federica Mogherini ka theksuar se e ardhmja e Ballkanit është në Bashkimin Evropian. Në seancën dëgjimore të Parlamentit Evropian në Bruksel, ministrja e Jashtme e Italisë, iu përgjigj pyetjeve të eurodeputetëve mbi politikat e presidencës italiane në BE.
Mogherini theksoi se politika e zgjerimit është e vetmja garanci për transformimin demokratik të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.
“Duke filluar nga Ballkani, e deri te Turqia, besoj se politika e zgjerimit është më e mira, dhe e vetmja garanci për transformim afatgjatë të rajonit, në kuptimin e demokracisë, stabilitetit dhe zhvillimit demokratik”, theksoi Mogherini.
Ajo deklaroi se negociatat mes Serbisë dhe Kosovës, janë në një rrugë pozitive, ndërsa Shqipëria po vijon me kryerjen e reformave:
"Ne po rrezikojmë t`i ndajmë problemet, në rast se nuk punojmë për integrimin e këtyre vendeve. Prioriteti numër një është Bosnjë- Hercegovina, që pas zgjedhjeve duhet të sigurohet rritje ekonomike dhe të implementohet një proces për të nxjerrë këtë vend nga kriza. Negociatat midis Serbisë dhe Kosovës po zhvillohen pozitivisht në planin teknik, por duhet edhe në planin politik. Shqipëria ka shanse për reformat, ndërsa Mali i Zi është në krye të listës në raport me përparimin për në BE. Në raport me Maqedoninë dhe kontestin e emrit, besoj se duhet të gjendet vullnet politik për zgjidhje”.
Disa çështje të tjera që sollën debate në këtë seancë dëgjimore ishin: konflikti me Rusinë për Ukrainën, kërcënimi mbarëbotëror nga ISIS dhe virusi Ebloa.