Vdes në mënyrë të mistershme Florian Kondi, i njohur ndryshe edhe si Doktor Flori. Skandali me shërbimin e urgjencës. I thanë bashkëshortes së Dr. Florit që ta sillnin të sëmurin në krahë, pasi nuk kishin autoambulancë. Autopsia do të zbardhë arsyen e vërtetë të humbjes së jetës nëse ishte overdozë apo problem kardiak...
Vdes në mënyrë të mistershme këngëtari Florian Kondi, i njohur ndryshe me emrin e artit edhe si Doktor Flori. Ka qenë ora 10:05 e ditës së djeshme, ku në kartelën mjekësore të 35-vjeçarit nga Tirana është shënuar vdekja e tij. Gjithçka ka nisur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ku Kondi ka shfaqur probleme shëndetësore. Familjarët e tij të alarmuar pas refuzimit të vazhdueshëm të shërbimit të urgjencës shtetërore, kanë kërkuar ndihmën në privat, ku autoambulanca së bashku me një mjek ka mbërritur në banesën e Kondit. Që aty dukej se gjendja ishte e rëndë. Mjeku ka bërë një injeksion adrenalinë, me qëllim rikthimin në funksion të organeve jetësore, pasi pulsi thuajse nuk dëgjohej.
Duke parë gjendjen e rëndë, mjeku ka kërkuar në mënyrë të menjëhershme që të dërgohet në urgjencën e QSUT-së për një ndërhyrje më të specializuar. Sipas mjekëve, Kondi dukej se kishte kaluar një arrest të fortë kardiak, pasi kishte shenja të forta që tregonin se goditjen në zemër e kishte marrë në mënyrë të shpejtë. Kompulsionet që kishte pasur tregonin se vetëm pak minuta pasi ka humbur ndjenjat ka ardhur edhe vdekja. Pikërisht shenjat që ka shfaqur kanë çuar edhe në dyshime të tjera. Kjo ka shtuar edhe aludimet e shumta dhe madje edhe një kërkesë të të afërmve që trupi i të riut t’i kalojë autopsisë për të përcaktuar shkaqet e vërteta të humbjes së jetës. Florian Kondi sikurse e ka pranuar edhe vetë, disa kohë më parë ka qenë përdorues i drogave të ndryshme. Mirëpo jeta në vitet e fundit duket se ka qenë disi e ndryshme.
Një njeri familjar dhe për më shumë i ishte futur besimit, duke i kushtuar shumë kohë, pse jo edhe të kalonte veset e këqija. Prej dy vitesh ishte pjesëtar i Kishës Ungjillore dhe në momentet e fundit të jetës ka qenë pikërisht pastori i kësaj kishe, i cili ka treguar edhe skandalin e radhës të mjekësisë shqiptare. Ndoshta Doktor Flori, para se të ndahej nga kjo jetë duhet të bënte edhe një tjetër tekst për ta shkrirë në këngë, ku të kritikonte fort shërbimin e urgjencës. Sipas pastorit të Kishës Ungjillore, Fitor Muça, familjarët e të ndjerit Kondi e kanë lajmëruar pesë herë shërbimin e urgjencës që ndodhet pak metra larg banesës së tij, por në të pesta rastet kanë marrë refuzimin, duke u kërkuar që duhet ta sillnin vetë në krahë, pasi e kishin të pamundur të dërgonin mjek dhe autoambulancë.
Pastori Muça u shpreh se “e kanë marrë Urgjencën në telefon, por autoambulanca nuk po vinte, megjithëse klinika është vetëm 5 minuta larg në këmbë. Ata thoshin vetëm që nuk kemi autoambulancë për momentin, pasi është diku tjetër. Bashkëshortja e tij ka marrë djalin në dorë dhe ka shkuar tek ambulanca e lagjes, ku i kanë thënë që ta sjellin familjarët në urgjencë. Por kjo ishte e pamundur pasi Flori ishte shumë i rëndë”. Ndërsa ka mohuar në mënyrë kategorike që Florian Kondi të ishte përdorues i drogës. Sipas tij, Flori kishte dhuruar gjak para pak kohësh, e njëkohësisht nuk ka pranuar që 35-vjeçari të ishte në depresion, pasi e donte familjen, ishte i lumtur me ta dhe se i biri i ardhur në jetë kohët e fundit nuk kishte probleme shëndetësore. Përdorimi i alkoolit dhe i qetësuesve të ndryshëm mund t’i ketë sjellë vdekjen.
Ashtu sikurse pohojnë edhe disa persona nga personeli i urgjencës, Kondi përpara se të ndërronte jetë kishte shfaqur shenja kompulsive, paranojë dhe reagime të forta me dridhje të trupit. Sipas mjekëve, me kontaktin e parë dukej që kishte pësuar një arrest të fortë kardiak, por shkaku i pushimit të zemrës është më i gjerë. “Nëse një person përdor lëndë narkotike mbi normat (overdozë) dhe e bashkuar edhe me substanca të tjera stimuluese, sjell për pasojë edhe humbjen e jetës. Kjo bën që zemra të punojë jo normalisht si pasojë e çrregullimit të furnizimit me gjak dhe për pasojë sjell dëmtimin e plotë, deri në vdekje”.
Kështu shprehet një mjek, i cili për rastin konkret shprehet se është ekspertiza mjeko-ligjore dhe analizat e gjakut që përcaktojnë nëse personi ka pasur ose jo substanca narkotike në trup. Në fillim të afërmit kanë qenë të tronditur dhe nuk ishin në gjendje të jepnin aprovimin që trupi t’i nënshtrohej ekspertizës mjeko-ligjore. Dyshimet janë të shumta, por pritet vetëm reagimi zyrtar që do të përcaktojë shkaqet e vërteta. Sido të jetë, Florian Kondi nga miqtë dhe kolegët mbetet si një njeri i dashur, plot humor dhe një artist i lindur, por që për fat të keq tashmë nuk jeton më. Bashkëshortja, dy fëmijët e mitur dhe të afërmit padyshim kanë humbjen më të madhe të djalit që kishte lindur për këngën… por iku vrullshëm.