Xhulia, Sofia, apo gra të tjera të moshës së tyre, kanë shumë gjëra të përbashkëta. Një pjesë e mirë mund të kenë martesa të shëndetshme, karriera të pëlqyeshme që u kanë falur kënaqësi dhe i kanë shpërblyer për mundin e bërë dhe një mënyrë jetese për t’u pasur zili. E megjithatë, në një moment të caktuar për to, ka trokitur i ashtuquajturi moment i “ah, uh”. Është ajo sekonda që nuk do ta harrojnë për pjesën tjetër të jetës, kur krejt rastësisht dhe krejt papritur kanë zbuluar se janë të ndryshme nga personi që kanë pasur gjithë këtë kohë në mendje. Po përse vallë gratë e moshës së mesme janë të obsesionuara nga fakti i humbjes së rinisë dhe bashkë me të, edhe të pamjes së jashtme të freskët e tunduese, që lidhet me këtë moshë?
Në fund të fundit ato dhe të gjithë ne e dimë se kjo do të ndodhë një ditë, apo jo? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, si fillim mund të themi se kemi filluar që të jetojmë jetë shumë më të gjata se dhjetëvjeçarë më parë. Në moshën 40 vjeç mund të mendojmë se kemi edhe rreth gjysmë shekulli jetë para nesh, sigurisht nëse do të na e lejonte shëndeti dhe se kemi edhe disa vite përpara se të na lënë tiparet tërheqëse të rinisë dhe pjekurisë. Për më tepër, jemi të bombarduar nga media, e cila pak a shumë na përcjell mesazhin se, nëse nuk do të luftojmë me çdo kusht dhe çdo mjet për t’u kujdesur për pamjen tonë të jashtme, përmes produkteve të ndryshme kozmetike e palestrës, ne do të përballemi me një realitet të frikshëm. Ndërkaq, e dimë se vendi i punës e madje edhe vendi pranë bashkëshortit që kemi në krah, do të kërcënohet seriozisht me kalimin e kohës nga prania e vajzave dhe grave më të reja në moshë.
Kështu, pak nga pak, gratë nisin që të përballen me faktin se një ditë do të shndërrohen në “qytetare të dorës së dytë”. Të paktën kjo është kultura që reklamohet në Perëndim. E si të mos mbarojnë gjithë këto shqetësime, ne preokupohemi nga fakti i rënies së pamjes sonë të jashtme, duke qenë se feministet na kanë mësuar dhe vazhdojnë të na mësojnë që të mos ta japim veten para shqetësimeve të këtij lloji, por të përjetojmë me qetësi çdo vit që kalon dhe ndryshimet që ata lënë pas në fizikun tonë. Në fakt, për sa i përket grave të moshës së mesme, disa prej tyre janë rritur edhe me idenë se bukuria e një gruaje qëndron në shpirtin e saj dhe se një grua duhet që të përgëzohet vetëm për arritjet e saj profesionale. Fakti është që gratë në një moshë të tillë e gjejnë veten në luftë në dy fronte të ndryshme: i pari është ai i plakjes dhe kalimit të viteve, ndërsa i dyti është ai i mosshndërrimit në një obsesion të faktit të parë, madje i injorimit të të gjitha shqetësimeve që kanë lidhje me pamjen e jashtme dhe bukurinë. Në njëfarë mënyre bëhet fjalë për një paradoks të bukurisë.
Në këtë rrethanë, kriza është e pashmangshme, duke qenë se një individ ndodhet në presionin e dy forcave të kundërta e dy mesazheve të kundërt. I pari ngulmon në idenë se pamja e jashtme nuk është e rëndësishme. Ky është mesazhi që na e kanë futur në mendje feministet, duke shtuar se aftësitë intelektuale bëjnë diferencën te një femër e jo pamja e jashtme. Mesazhi i dytë është ai që përbën edhe sfidën e drejtpërdrejtë për mesazhin e parë, pra që pamja e re dhe e freskët është çelësi për të qenë tërheqës dhe në qendër të vëmendjes. Si pasojë, nëse nuk do të duam që të injorohemi nga ata që kemi përreth, duhet që të luftojmë me të gjitha simptomat e plakjes. Revistat, filmat, televizioni na bombardojnë në çdo moment të ditës, me idenë se pamja e re dhe bukuria është çelësi i suksesit dhe i lumturisë në jetë. Kështu a e dini se çfarë ndodhi në rastin e Xhulias.
Ajo, edhe pse kishte qenë gjatë gjithë kohës kundër ndërhyrjeve në fytyrë, vendosi që të bënte një inxheksion, për të shmangur rrudhat e fytyrës dhe për të fryrë buzët. “Pas asaj që më tha ai fëmija në lidhje me rrudhat nisa që të shqetësohesha shumë për to, aq sa u shndërrua në një obsesion të vërtetë dhe më në fund, vendosa që të bëja ndërhyrje për të cilat më parë nuk kisha qenë kurrë dakord. Por ndërsa bëra inxheksionin e parë me botoks, e kuptova se isha në fillimin e një rruge pa kthim, sepse pas inxheksionit të parë do të vinte i dyti e kështu me radhë, derisa një ditë mund t’i drejtohesha edhe bisturisë. Ndaj nisa që të ndjeja panik dhe ankth”, rrëfen Xhulia. Dhe nuk bëhet fjalë për një ndjenjë ekskluzive të sajën. Si ajo ndihen edhe shumë gra, kur vendosin që të bëjnë ndërhyrjen e parë për të ruajtur pamjen e jashtme. Edhe Sofia ka përjetuar të njëjtat ndjenja.
“Për shkak të moshës dhe përvojës në punë, kisha arritur një pozicion shumë të mirë në kompaninë ku punoja. Të gjithë më respektonin, por tani po vija re se ndoshta pamja e jashtme ishte dëmtuar pikërisht nga mosha dhe lodhja e madhe e një periudhe të mëparshme, kur më duhej që t’u provoja të tjerëve se sa vleja. Ka gra që e përballojnë me ankth të fshehtë një moment e periudhë të tillë, të tjera mund të bien në depresion e të tjera akoma mund të bëhen qesharake, duke u përpjekur që të duken shumë më të reja nga ç’janë. Ka edhe nga ato që përballen me çrregullime të ndryshme të të ngrënit, të cilat për hir të së vërtetës, po vihen re gjithnjë e më shpesh tek gratë e moshës së mesme. Në shumë vende perëndimore, kërkesat për ndërhyrje, apo operacionet plastike, janë gjithnjë e në rritje.
Kjo situatë ndikon më pas edhe në sfera të tjera të jetës, derisa mund ta shndërrojë një grua në një qenie që ndihet e pashpresë dhe e pafuqishme para një fati fatal. Ka nga ato që pikërisht në një moshë të tillë fillojnë alkoolin, të cilin e gjejnë si të vetmin mjet për t’iu shmangur anktheve dhe zhgënjimit. Ndërkaq shumë psikologë janë të mendimit se ka ardhur koha për një ndryshim radikal dhe të shëndetshëm në mënyrën e të parit dhe të konsideruarit të kalimit të viteve, përmes vlerësimit të kujdesit për pamjen e jashtme, por edhe celebrimit të arritjeve profesionale, që vijnë vetëm në një moshë të caktuar, falë punës dhe përkushtimit tonë në rini. Nëse do të ishim të zonjat për të arritur një balancë mes këtyre të dyjave, do të ndiheshim befas të lira dhe sërish të qeshura.