Monica Lewinsky hija e fushates se Hillari Klinton

Monica Lewinsky, hija e fushatës së Hillari Klinton
Chelsey dhe çështja "Lewinsky"
Të paktën dy herë në javët e kaluara, ish-vajza (dhe mbase dhe e ardhshmja) e parë është pyetur për influencën e skandalit të Monica Lewinsky-t në fushatën elektorale të mamasë së saj, senatores së Nju Jorkut, Hillary Rodham Clinton.

Përgjigjja është shmangur çdo herë. Kur një student në universitetin "Butler" në Indianapolis e bëri fillimisht pyetjen më 25 mars, ajo iu përgjigj shkurtimisht duke e mbyllur subjektin: "Nuk mendoj se kjo është punë për ty". Chelsea Clinton, 28 vjeç, që prej asaj dite ka qenë më pak e mprehtë në këtë çështje, por mesazhi ka qenë pak a shumë i njëjtë. "Unë mendoj se kjo është diçka personale dhe familjare. Jam e sigurt se të gjithë keni gjëra që janë personale për familjen tuaj dhe mendoni se nuk i përkasin askujt tjetër", u shpreh ajo pas pyetjes gjatë një vizite në universitetin shtetëror të Karolinës së Veriut. "Por gjithashtu, në një këndvështrim më të gjerë, unë nuk mendoj se ju duhet të votoni për, ose kundër nënës sime për shkak të babait tim". Shumë vetë nga turma në universitetin Purdue në Indianopolis bënë "yyyy", kur u ngrit një pyetje mbi procedimin e gjykimit të presidentit Clinton. Chelsea Clinton e pozicionoi shumë shpejt qëndrimin e saj: "Nëse kjo është ajo për çfarë doni të votoni, bëjeni atëherë. Por unë mendoj se ka njerëz të tjerë që do të votojnë për gjëra si shërbimi shëndetësor dhe ekonomia", tha ajo. Amanda Morris, presidente e "Purdue Students" për kapitullin "Hillary" tha se ajo ishte dakord me reagimin e audiencës dhe mënyrën se si po përgjigjej Chelsea. Ajo gjithashtu u shpreh se pret që një pyetje e tillë të shfaqet shpeshherë përgjatë fushatës, por kjo nuk do të thotë se Chelsea duhet të përballet me këto pyetje. "Kjo është diçka që ka të bëjë me familjen e saj. Unë nuk mendoj se mënyra se si familja e ka kaluar këtë situatë, nuk përbën diçka që ne si komb duhet ta dimë".
"Rikthimi" i Monica Lewinksy-t
Monika Lewinksy ishte e destinuar të kthehej në vitin 2008 dhe Chelsea Clinton ishte subjekti më i arritshëm për t'u pyetur në lidhje me këtë çështje. Është e trishtueshme që i duhet asaj të përballet me atë lloj tradhtie. Por ajo do të përballet me pyetjet sepse prindërit e saj nuk do ta shmangin skandalin "Lewinsky" në mënyrë të tillë që të kënaqë dëshirat e publikut dhe nevojën e tij për të ditur se s'do të ndodhë më. Është pak si ajo që ndodh kur Tony Soprano qëllohet dhe fëmijët e tij duhet të përballen me faktin që babai i tyre është bos mafioz. Kjo vlen dhe për Chelsea Clinton, jo për shkak të studentëve kuriozë, por për shkak të zgjedhjes së babait të saj.

 Skandali "Lewinsky"

Skandali "Lewinsky" e vuri ish-presidentin amerikan, Bill Clinton, në qendër të një skandali seksual, kur ishte në detyrë, me praktikanten Monica Lewinsky, në atë kohë 22-vjeçare. Mohimi i lidhjes nën betim nga ana e Clinton e përkeqësoi akoma më shumë problemin, duke krijuar kështu përveç turpërimit dhe një problem ligjor, çka shkaktoi vënien e tij para gjyqit. Sidoqoftë, ai mbeti në detyrë deri në përfundim të mandatit të tij. Lajmi i marrëdhënies jashtëmartesore të ish-presidentit u përhap në të gjithë shtypin, duke dhënë detaje të marrëdhënieve seksuale me praktikanten 22-vjeçare. Në dëshminë e tij Clinton kishte mohuar faktin se kishte pasur marrëdhënie seksuale me Monica Lewinsky-n. Pasi e mohoi për muaj me radhë historinë me stazhieren e Shtëpisë së Bardhë, presidenti Clinton u detyrua në vitin 1998 ta pranonte dhe të kërkonte falje publike. "Unë kam pasur një marrëdhënie me zonjushën Lewinsky, e cila nuk ishte e përshtatshme. Në fakt ishte e gabuar. Kam kryer një gabim të madh. Është i pajustifikueshëm dhe më vjen shumë keq. E kam kuptuar se kam bërë një gabim, e kam thënë dhe e kam pranuar, kam kërkuar të më falin, kam kaluar shumë kohë të vlefshme me familjen time dhe vendosa të kthehem në punë", janë disa prej fjalive të faljes publike të Clinton. "Zonja e Parë" e atëhershme dhe kandidatja për presidente e vendit, Hillary Clinton, i qëndroi publikisht pranë të shoqit përgjatë gjithë skandalit. Më 27 janar të vitit 1998, në një shfaqje televizive në "NBC Today", ajo tha: "Historia më e madhe për këdo që do ta gjejë atë, të shkruajë për të apo ta shpjegojë është komploti i madh i krahut të majtë që komplotuar kundër bashkëshortit tim që prej ditës që ai është shpallur President". Lajmi i skandalit u bë publik fillimisht më 17 janar 1998 në faqen e lajmeve "Drudge Report", e cila raportonte se redaktorët e "Newsweek" nuk po bënin publik një lajm të madh skandali të reporterit investigativ Michael Issikoff. Skandali pastaj u shfaq në pjesën më të madhe të shtypit dhe më 21 janar u publikua në "The Washington Post". Historia u shtjellua për shumë ditë dhe pavarësisht mohimeve të shpejta nga Clinton, kërkesat për shpjegime nga Shtëpia e Bardhë u bënë gjithnjë e më të mëdha. Më 26 janar, presidenti Clinton u shfaq me bashkëshorten e tij Hillary Rodham Clinton, në një konferencë për shtyp dhe mohoi gjithë zërat se ai ishte i përfshirë në një marrëdhënie me Monica Lewinsky-n, gjë që më pas, ishte ky mohim për të cilin më vonë presidenti Clinton do të kërkonte falje publike.

 
 
Shkruar nga Blendina Cara Gazeta TiranaObserver

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama