Burimi është Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve, e cila në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik, kanë realizuar monitorimin e zonave më të frekuentuara gjatë sezonit të plazhit.
Vlerësimi i cilësisë së ujërave bregdetare të larjes është kryer në plazhet e Velipojës, Shëngjinit, Durrësit, Kavajës, Vlorës, Sarandës, Dhërmiut, Himarës dhe Borsit, në 71 stacione kampionimi, në zonat më të frekuentuara gjatë sezonit të plazhit tek e gjithë linjën bregdetare e vendit tonë.
Drejtoresha e Drejtorisë së Analizave Laboratorike pranë këtij institucioni, Zamira Dana, shpjegon rezultat e përftuara në monitorim:
Durrësi
Zamira Dana pohon se pjesa më e madhe e këtyre stacioneve ndodhet në Durrës, si plazhi kryesor dhe më i madh i vendit tonë. "Në 69% të stacioneve, plazhi i Durrësit është brenda normave të rekomanduara, ndërsa në 31% është mbi normat e rekomanduara. Shumë të ndotura kanë rezultuar plazhi Zhiron, tek Brryli, zona tek Plepat, Shkëmbi i Kavajës. Ndihet një përmirësim i lehtë i cilësisë së ujërave në plazhin e Durrësit.
Kavaja
Plazhi i Kavajës është monitoruar në 10 stacione dhe rezulton si më i ndoturi në gjithë vendin. Sipas monitorimit, në 60% të stacioneve të kampionimit ky plazh është brenda normave të rekomanduara dhe në 40% të stacioneve është mbi normat e rekomanduara. "Rezultatet mikrobiologjike të ujërave të këtij plazhi tregojnë se më të ndotura janë stacionet ku përkojnë me plazhin e Golemit, ku shkarkohen ujërat e zeza, stacionet nga Mali i Robit e deri në Qerret", - bëhet e ditur në monitorim.
Vlora
Problematik në disa zona paraqitet edhe plazhi i Vlorës. Sipas specialistëve, nisur nga gjendja e plazhit të Vjetër dhe të Ri, që shtrihen përgjatë linjës bregdetare të këtij qyteti, vlerat e çmuara të këtyre dy plazheve po degradojnë dhe kjo si rezultat i shkarkimeve të patrajtuara dhe pa kriter që derdhen direkt në ujërat bregdetare të qytetit të Vlorës. "Stacioni i kampionimit më i ndotur në bregdetin e Vlorës është stacioni 5, përballë shkollës së "Marinës", ku të katër indekset e ndotjes fekale dalin disa herë mbi normat e rekomanduara. Është zona ku duhet ndaluar rreptësisht larja",- bëhet e ditur në monitorim.
Saranda
Në Sarandë, problematike mbeten ndërtimet pa kriter në këtë bregdet, por zonë e ndotur është shpallur vetëm zona te Kanali i Çukës, si rezultat i shkarkimit të ujërave të zeza.
PLAZHET ME TE PASTRA
Dhërmi-Himarë-Borsh
Monitorimi i cilësisë së ujërave bregdetare nuk sjell vetëm doza pesimizmi, pasi shumë plazhe kanë rezultuar brenda normave të rekomanduara. Ndër plazhet më të mira renditet plazhi i Dhërmiut, Himarës dhe Borshit. "Në të 3 këto plazhe, gjatë vitit 2008, të 4 indekset e ndotjes fekale janë brenda normave të rekomanduara, madje në vlera mjaft të ulëta. Megjithatë, duhet të theksojmë se shtimi i ndërtimeve që po bëhet në këto zona, duhet të shoqërohet me ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza", - thote Dana.
Velipoja
Gjithashtu, edhe plazhi i Velipojës paraqitet me ujëra cilësorë dhe të pastër, pasi analizat rezultojnë brenda normave të rekomanduara.
Shëngjini
Për cilësi të mirë flet edhe plazhi i Shëngjinit, pasi në të gjithë stacionet e monitorimit, rezultatet e përftuara jenë 100% brenda normave të lejuara.
MBETJET NË PLAZHE, FAJI I TË GJITHËVE
Nuk janë vetëm ujërat e bregdetit të ndotura, por fatkeqësisht rëndom na bie të shohim mbetje të ndryshme të hedhura në rërë, duke ofruar një mjedis aspak të këndshëm.
Sipas znj.Dana, problematike mbeten sidomos mbetjet plastike. UNICEF-i ka filluar një program "Shqipëria ime e pastër dhe e bukur", sipas të cilit, familjet, prindërit, mësuesit dhe nxënësit, do të informohen për rrezikun e madh që shkaktojnë mbetjet, shishet dhe materialet plastike në mjedis. Nxënësit do të sjellin çdo të hënë në shkollë mbetjet plastike, të cilat do të grumbullohen dhe mandej do të përcillen në fabrikat e riciklimit, sipas një periudhe që do të përcaktohet në çdo shkollë.
Gazeta Shekulli