Romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ka poetikë proteane, prandaj edhe e kemi këtë titull të monografisë. Menelau e zapton qenien mitologjike Proteun, ‘plakun e detit’ që ndërron trajtat (Libri IV i “Odisesë” së Homerit) për t’ia treguar udhën e kthimit në shtëpi, e ne tash të shohim si e “zapton” Apolloni “Gjeneralin” për të na treguar si ka udhëtuar drejt thelbit të romanit përfaqësues të letërsisë shqipe.
Duke e vlerësuar si roman pasaportë të letërsisë shqipe, Apolloni i qaset përmes multi-metodave, duke filluar nga paraqitja sintetizuese e zhanrit të romanit botëror, shqiptar dhe të romanit të Kadaresë, për të vazhduar te gjetja e zanafillës së romanit “Gjenerali” dhe krahasimi i versioneve e varianteve të tij, më tutje te poetika (narratologji, deskriptologji, retorikë) për të dalë te intra dhe interteksti, e për të përfunduar te intermedialiteti dhe kritika për romanin. Monografia ndahet në katër njësi të mëdha. Po i quaj njësi, sepse, secila prej tyre, me plotësimet e duhura, do të mund të paraqisnin libra autonomë, por në veprën e Apollonit këto njësi dalin natyrisht të ndërlidhura e që kanë për qendër tekstin e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Në njësinë e parë
“Regjistri i romanit”, shihet në mënyrë të kondensuar zhvillimi i zhanrit të romanit, që nga kohët e hershme e deri më tani; pak më tutje i bëhet një sintezë romanit shqiptar, duke evidencuar prirjet, temat, stilet, kontekstin historik të zhvillimit dhe duke vlerësuar se sado modeste, kjo paraqet traditën e romanit shqiptar, e cila vazhdon, por me sforcim të theksuar e të thelluar ideologjik pas Luftës së Dytë, kur imponohet doktrina e realizmit socialist. Duke e krahasuar me romancierët bashkëkohës, Apolloni nuk e fut romanin e Kadaresë te asnjëri model apo formacion shkrimi, e quan të afërt me të lashtët e të largët me të afërtit; që i përket periudhës së postmodernizmit, por që është realist i katërfishtë: te vepra e tij gjejmë realizmin, realizmin psikologjik, surrealizmin dhe realizmin magjik. Kadarenë e quan shkrimtar jo të modës, atemporal, që nuk lidhet me asnjë kohë dhe u flet të gjitha kohëve. Duke qenë i tillë, ai së pari largohet nga doktrina e imponimit dhe kështu shkruan një roman që bën kthesë të jashtëzakonshme në letërsinë shqipe. E shkruan një roman të bukur, prandaj, ai shquhet për thelbin estetik, artistik. Kur Apolloni arrin në këtë pikë, do të thotë të vlerësimit se romani “Gjenerali” para së gjithash është prozë e bukur, e krijuar përmes teknikave narrative, retorike e stilistike, atëherë në pjesët pasuese, përmes analizës së thellë në shumë plane, na e argumenton këtë mendim.
Pra, pse ky roman është kështu si është. Në njësinë e dytë përbërëse të kësaj monografie, të titulluar “Gjeneza e “Gjeneralit”, Apolloni merret me versionet e variantet e romanit, duke filluar nga ideja e deri te botimi më i fundit, por i cili, sipas tij, mund të mos jetë i fundit, pasi Kadare ende konsideron se mund të ketë diçka për të shtuar në të. Në këtë pjesë ndryshimet shihen në idetë, temat, ndryshimet gjuhësore, stilistikore, të kompozicionit dhe të zhanrit. E fillon me Gjeneralin e vitit 1962, botuar si tregim, vazhdon te Gjenerali i vitit 1963, tashmë me status zhanror të ndryshuar nga tregim në roman, duke analizuar në detaje transformimin që ndodh; këtë transformim e përcjell, me po këtë sy të kujdesshëm, edhe te versioni i vitit 1967, varianti i vitit 1971 dhe ribotimi i parë i pasdiktaturës, në vitin 1998. Të gjithë këtë Labor Limae të Kadaresë, Ag Apolloni e vështron përmes një thjerrëze të fuqishme analitike, deri në detajet më të vogla, siç janë ndryshimet e disa shkronjave, fjalëve e fjalive nga njëri version në variantin tjetër e madje edhe te evidencimi i shpeshtimit të presjeve apo shenjave të tjera të pikësimit. Do të thotë, studiuesit Apolloni nuk i shpëton asgjë nga vështrimi. Njësia e tretë e monografisë për “Gjeneralin”, paraqet edhe pjesën qendrore të saj.
E titulluar “Poetika e romanit”, ajo ndahet në tri pjesë të mëdha: narratologji, deskriptologji dhe retorikë. Në pjesën e parë i shohim nivelet narrative të romanit, strukturën narrative, narracionin, narratorin, vokalizatorin, fokalizatorin, narraterin, syzheun, kohën, ritmin, paralelizmin, sekuencën logjike, suspensin dhe surprizën. I përmenda me qëllim të gjitha këto elemente narratologjike të romanit të cilat i ka analizuar Apolloni. Duke qenë se në studimet tona ende nuk ka të përkthyer ndonjë libër të narratologjisë, kjo monografi mund të merret si literaturë mjaft e dobishme për të gjithë që mendojnë t’i qasen tekstit përmes analizës narratologjike. Pjesa e dytë e njësisë mbi poetikën e romanit titullohet “Deskriptologji” dhe është disiplinë të cilën, në të vërtetë, e propozon Apolloni. Më tutje e lidh hapësirën me personazhin, hapësirën me kohën dhe hapësirën me ngjarjen. Apolloni konstaton se në planin deskriptiv, Kadare është një piktor me shumë stile. Ndërkaq, pjesa e tretë e njësisë së tretë të monografisë ka të bëjë me retorikën, ku gërshetohet analiza e romanit me teorizimet. Shihen tonet e rrëfimit, tragjik e komik, flitet për makinën retorike dhe protejformen, ndërkaq pikë qendrore e kësaj pjese është analiza e figurave, ku Apolloni bën regjistrin e 33 figurave, duke e ilustruar secilën figurë që identifikon me një copë teksti të romanit.
Njësia e katërt, e titulluar “Transtekstualiteti”, fillon me paratekstualitetin, ku gjejmë informata interesante për botimet dhe numrin e tirazhit të kopjeve të romanit, shtëpitë botuese shqiptare dhe të huaja që e botojnë; Apolloni ua kushton një analizë interesante epigramit të romanit, në ide dhe gramatikë, kapitujve, mendimeve të vetë Kadaresë për romanin, kritikës për të dhe e përfundon me epiteks- tin privat, do të thotë me komunikimin jozyrtar mes studiuesit Apolloni dhe autorit Kadare. Në pjesët pasuese të njësisë së katërt kemi edhe kapitullin mbi “Intratekstualitetin”, ku “Gjenerali” shihet në relacion intratekstual me veprat e tjera të tij, duke filluar nga poemat e deri te romanet dhe esetë. Idenë e “Gjeneralit” e gjen nëpër vargjet e shkruara paraprakisht nga Kadare, si në vëllimet “Shekulli im” dhe “Përse mendohen këto male”, pastaj shihet se si “Gjenerali” hyn në marrëdhënie intratekstuale me romanet e tjerë të Kadaresë, si për shembull me: “Qyteti pa reklama”, “Kronikë në gur”, “Dasma”, “Kështjella”, “Nëntori i një kryeqyteti”, “Dimri i vetmisë së madhe”, “Koncert në fund të dimrit” etj. Ndërkaq, nga esetë, shprehet se “Autobiografia e popullit në vargje” lidhet me “Gjeneralin” përmes interpretimit të disa këngëve popullore në të dyja veprat, por në roman ato zbërthehen në mënyrë tendencioze nga prifti, kurse në ese autori ka diskurs afirmativ ndaj tyre, duke e kundërshtuar kështu personazhin e vet.
Apolloni evidenton dialogun e Kadaresë nga Homeri te Hemingway, duke u shprehur se Eskili, Shekspiri dhe Gogoli janë trinia e shenjtë letrare që e adhuron Kadare. Apolloni shprehet se “Gjenerali” dialogon me dy grupe tekstesh: anonime dhe autoriale dhe e nis udhëtimin krahasimtar që nga miti, bibla e folklori për të gjetur pikëtakime të romanit me veprat e Homerit, Eskilit e të tjerëve shkrimtarë të mëdhenj. Relacioneve me Eskilin Apolloni ua kushton më së shumti faqe në këtë pjesë, pasi edhe vetë Kadare e pëlqen fort tragjedianin antik. “Gjenerali” shihet sidomos në krahasim me tragjedinë “Persët”, pasi e kemi temën e qëndresës, idenë e luftës së të voglit kundër të madhit (Davidi e Goliati), dhe humbjen e turpshme të këtij të fundit. Këtu është për t’u përmendur çështja e katarzës së famshme të Aristotelit, e cila, te tragjedia “Persët” nuk funksionon, pasi nuk zgjon mëshirë e frikë te shikuesit grekë, të cilët natyrisht që nuk ndiejnë mëshirë ndaj disfatës së pushtuesve të dikurshëm. Apolloni thotë që tragjedia “Persët” nuk e përfill katarzën standarde të Aristotelit, por e krijon një katarzë të re, që zgjon ndjenjën e krenarisë kombëtare të popullit të vogël që e fiton luftën kundër pushtuesit të madh.
Në të dyja rastet, edhe te grekët e vjetër, edhe të shqiptarët, këto dy vepra e zgjojnë këtë tip të ri të katarzës së krenarisë kombëtare, të atdhedashurisë dhe të urrejtjes ndaj armikut. Autorë dhe vepra të tjera me të cilët e krahason Apolloni “Gjeneralin” janë edhe Dante Aligieri “Komedia hyjnore” (paradigma e udhëtimit të përbashkët të dy personave, në këtë rast vetëm në ferr). Intermedialiteti, ndërkaq, ka të bëjë me krahasimin e romanit, pra letërsisë, me artet e tjera. Në këtë kapitull, Apolloni e sheh romanin në lidhje intermediale sidomos me filmin, por edhe me inskenimet, pikturën, gravurën, skulpturën, arkitekturën, baletin dhe muzikën. E gjejmë në këtë pjesë edhe një analizë të inskenimeve, si për shembull të Pirro Manit, të cilin e quan të suksesshëm. Por, të tillë, duke e argumentuar, nuk e quan inskenimin e Dino Mustafiqit. Pak radhë ia kushton edhe baletit Gjenerali i ushtrisë së vdekur, i realizuar në vitet 1977 dhe 2009 në Tiranë
Monografi
“Paradigma e Proteut” është e para monografi për romanin “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”. Romani analizohet në shumë plane dhe i detajuar. Këtë vepër e shquan gjuha e qartë dhe koncize. Ndërtohet përgjithësisht sipas procedurës: ngritje e problemit, teorizim, evidencim dhe analizim, shoqëruar me ilustrime. Vlerësimet nuk janë të shpeshta dhe kështu e ruajnë diskursin shkencor deri në fund. Siç e thamë, ilustrime ka mjaft, kështu që shpesh, gjatë leximit të monografisë, të krijohet përshtypja se po e shikon romanin “Gjenerali” përmes thjerrëzës së fuqishme analitike të Apollonit. Edhe elementet më të vogla, deri te presjet, nuk i kanë ikur kësaj thjerrëze. “Paradigma e Proteut” është vepër studimore që rri një shkallë më lart se “Parabola postmoderne”, pra autori e kapërcen veten, gjë kjo e natyrshme dhe e kërkueshme.