Monolog me maske

Monolog me maskë
Ishte takimi me titull “Të njohim njëri-tjetrin”. Pak aktorë, ndonjë regjisor, studentë të habitur dhe të urtë, edhe servilë të “asgjëbërjes” siç e quan Mihal Luarasi punën pa duk në hapësirën brenda 13 mijë metër 2 në Teatrin Kombëtar. Në eventin e eventeve (fjalë të moderatorit nga sikleti që po e zotëronte lehtë situatën para një publiku që dëgjon dhe s’bën zë) flitet për teatrin dhe problemet e tij.

I pari i monologut me maskë, drejtori i Teatrit Kombëtar, duke krijuar një interlokutor imagjinar që mund të ishte autoriteti zyrtar i cili mungoi krejt, – maska e Kristaq Skramit kishte marrë funksion mbrojtës - foli për teatrin “drejt sfidave të reja”.

Teatri sipas tij - Skrami nënkuptonte teatrin e shtetit, teatrin që rastësisht drejton - ka lënë pas ideologjitë, politikën, dhe synon që të bëhet shprehës i “integrimit Euroatllantik”. Teatri që njeh Skrami ka ditur të tregojë ndjeshmëri dhe tendencë, politikë të ekuilibruar në prurjet dramaturgjike të dramës shqipe dhe asaj të huaj, shumë regjisorë të rinj kanë pasuruar traditën e TK, ndërsa regjisorë të huaj (tre gjithsej në 18 vjet!) janë shprehje konseguente për hapje ndaj botës. Në këtë rrugë Skrami shpreh bindjen se teatri përmes shumë arritjeve zbulon ambicjet për të qenë pjesë e kulturës dhe skenës europiane.

Me një fjalë, ky teatër që tregon Skrami para Lazër Filipit, Margarita Xhepës, Josif Papagjonit, Birçe Haskos, Zamira Kitës etj. “s’ka problem”, ndërsa pas tij, Prof. dr Kudret Velça – mbetem ai kritik që kam qenë, tha ai - ndalet tek kriza e këtij sistemi me shkaqet e të cilës nuk është marrë njeri. Sipas tij kriza ka nisur në vitin 1973, me Pleniumin e IV-të Partisë, kur u vendos: Jo më në skenë vepra të huaja.

“Kjo ishte një shkatërrim total i teatrit. Në këtë rast u krijua një mur ndarës midis Shqipërisë dhe Evropës që donte të thoshte vdekje e teatrit. Atëherë filluan të viheshin në skenë vepra dramatike pa vlerë.” Pasojat e ndarjes me Evropën Velça i sheh tek deficitet e mëdha që vazhdojnë të shtohen. Ai është i mendimit që në vend të festivaleve të teatrit, paratë të jepen për të përgatitur regjisorë apo aktorë në Perëndim.

Në radhën e kësaj kronike vjen Mihal Luarasi, një memorie e skeduar e problemeve të teatrit, për të cilat gjithnjë ka folur:

TK s’ka regjisorë, trupa e aktorëve po i plaket, marrëdhëniet njerëzore mes aktorëve janë në krizë, teknika skenike ka prapambetje shekullore, propaganda është zero - edhe në kohën e Nushit që mbulonte me biçikletë propagandën e Teatrit Popullor në gjithë Tiranën, ishte më mirë –, s’ka para për turne, s’ka para për figurantët, s’ka bursa për të rinjtë, s’është ndërtuar asnjë teatër i ri, raporti dramë shqipe-dramë e huaj duhet të jetë 1 me 1, jemi në tetor dhe TK s’ka dhënë akoma asnjë premierë...

Shumica e problemeve kanë si shkaktar politikën e Ministrisë së Kulturës, politikën e shtetit. E re ishte dje, propozimi që regjisori bëri për një teatër kombëtar – pasuri e trashëgimisë kombëtare – përtej çdo varësie nëse gëzon status të veçantë me miratimin e Kuvendit të Shqipërisë. Propozimi u bë përballë Lazër Filipit, Margarita Xhepës, Josif Papagjonit, Birçe Haskos, Zamira Kitës dhe disa drejtorëve teatrosh në rrethe. Asnjë prej tyre nuk ka gjë në dorë të ndryshojë, madje disa pika të Luarasit, po të ishte nevoja do t’i kundërshtonin, siç nuk kundërshtuan Ruzhdi Pulahën, autor i rregullt i Teatrit Kombëtar, që fliste për “mungesë të dramaturgjisë kombëtare me nivel” dhe për censurë ndaj shfaqjeve të tij.

Nuk pati njeri që të kundërshtojë idenë kontradiktore të Pulahës kur tha që me ato 8 apo 10 milionë lekë që jepen kot për një “vepër të huaj”, mund të vihen në skenë 3-4 pjesë shqiptare.

Folësit që zunë më pas vendin e tij vazhdonin të kishin para në tryezë letrën me prezantimin “Ruzhdi Pulaha”. Njëri prej tyre u mat të diskutonte për rrethanat e të rinjve shqiptarë që duan të merren me teatër, por u ndal tek raporti i idealizmit dhe pragmatizmit që ka ndryshuar në favor të këtij të fundit, tek shkolla që “duhet të mbajë ndezur zjarrin e pasionit” dhe tek jeta me tallaze në Shqipëri ku “përpiqemi të lëmë mënjanë veset, mentalitetin e vjetër dhe të kaluarën”.

Takimi “Të njohim njëri-tjetrin” vazhdon edhe sot në teatrin Kombëtar. Në skenën e vogël ku luhet ndonjëherë teatër “ndryshe” janë folësit, në sallë dëgjojnë po ata që bëjnë teatër.

Debate si këto kanë qenë në modë para disa vitesh. Organizatorët e tyre zhdukeshin ca kohë nga qarkullimi kur e kuptonin që punët po u binin erë, si të gjitha punët me llafe që kthehen në burime fitimi, ndërsa bordet e ministrive kanë qenë duke u kotur. E në atë mbyllje të rëndë qepallash firmosin para për një thes llafe.


Gazeta: Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama