Montale & Dante dhe Arshi Pipa (1920-1997)

“Një anije nuk është më anije kur pushon së lundruari. Ajo bëhet kurva tjetër. Cfarë saktësisht?” - pyeste Arshi Pipa, në vitin 1968, duke marrë në analizë vargjet e “Descensus ad Inferos” të poetit të njohur italian Eugenio Montale. Dhe kjo pyetje nuk mund të shtrohej më drejtë e më me ngulm sesa nga një intelektual si Arshi Pipa, ndërsa atdheu i tij sapo kishte hyrë në rrugën e shkretë e të verbër të vet-izolimit të plotë, dhe ku do të qëndonte si “anija e palëvizur” edhe për 3 dekada të tjera.

“Një anije e palëvizëshme, e ngarkuar me zemrën e rënduar të poetit”, thotë Pipa, “simbolizon shpresat e tij të rreme. Anija është thjesht objekt i dëshirave të poetit dhe keto dëshira janë zhgënjyese, të ngarkuara me barrën e iluzionit. Anija qëndron e qetë – dhe nuk mund të lundrojë. Në fakt duket se asaj nuk i ka mbetur asnjë velë (pëlhurë). Era përplaset në anën e jashtme të anijes duke krijuar përshtypjen se ajo po lëviz. Por kjo është vetëm imagjinatë. Ajo që duket si erë s’është gjë tjetër vecse psherëtima e thellë e poetit në agoni me deshirën për të lëvizur; është lundrimi i arsyes i përshtatur me erën e dëshirës së poetit”, shkruan Pipa në librin e tij “Montale and Dante”.

Libri u botua në Shtetet e Bashkuara 7 vjet përpara se Montale të nderohej me Cmimin Nobel në letërsi (1975) dhe 10 vjet pasi Arshi Pipa, një intelektual, ish i burgosur dhe ish i arratisur nga Shqipëria më 1958, ishte vendosur në Amerikë ku kishte filluar të jepte leksione mbi gjuhën dhe letërsinë italiane e franceze në universitete të njohura si Kolumbia dhe pastaj në Universitetin e Minesotës. Ku duket se gjeti edhe kushtet për t’iu kushtuar plotësisht veprimtarisë kërkimore e krijuese në fushën e estetikës dhe kritikës letrare.(S. Repishti)

Në fillim të viteve 1960, Eugenio Montale, një figurë e ndërlikuar dhe ndoshta poeti më i madh italian i fund-shekullit të kaluar, kishte filluar të tërhiqte vemendjen e lexuesve dhe studiuesve anglisht-foles. Në Itali, ai kritikohej nga disa që thonin se gjatë perudhës së fashizmit kishte heshtur e në disa raste ishte treguar konformist. Kjo bëri që pas luftës së dyte botërore, Montale të shikohej me mosbesim nga forcat e majta e të mos përfillej nga ato të djathta megjithëse kembëngulte se gjatë periudhës së Musolinit, si poet ai kishte përdor alegorinë si armë për të luftuar regjimin. Më pas, Montale u ndesh edhe me kritika se ai përdorte gjuhën e Dantes dhe poezitë e tij kishin një ngjashmëri të vecantë me ato të poetit të madh fiorentinas. Përgjigjet e tij jo të qarta e shpesh kundërthënëse, bënë që kritikat ndaj Montales të shtoheshin deri aty se që filloi të thuhej se kur Montale shkruante poezi ai mbante të hapur pranë “Parajsën” ose “Ferrin” e Dantes për t’a kopjuar. Dhe kështu ai mori emrin “poeti dantesk”.

Gjatë kësaj periudhe, Arshi Pipa, profesor i italishtes dhe i letërsisë klasike në universitetin e Minesotës, ndoshta ndjeu edhe një përgjegjësi morale a profesionale përpara kolegëve dhe studentëve të tij, që të shkruante kurva rreth debatit; “A ishte Montale një poet origjinal?”

Dhe duket se për përgjigjen e kësaj pyetje askush nuk ishte më i përgatitur sesa Arshi Pipa. Lindur në Shkodër me 1920, ai kishte studiuar thellë letersinë botërore, vecanërisht atë klasike; ishte diplomuar në Itali; kishte shkruar, botuar e kishte dhënë mësime në Shqipëri; kishte provuar burgjet komuniste; ishte arratisur nga atdheu; dhe më 1958 ishte vendosur përfundimisht në Shtete e Bashkuara, duke sjellë me vete, përvec dhimbjes, edhe të gjithë bagazhin kulturor të një intelektuali, poeti e studiuesi të thellë. Duket se jeta e kishte përgatitur qëllimisht këtë njeri që sapo të shfaqej rasti, t’i shprehte menjehere njohuritë dhe aftësitë e tij duke u renditur kështu krahas studiuesve më të njohur të letërsisë klasike e të mendimit estetik në botën anglishtfolëse.

Duke lexuar Montalen “me lente zmadhuese”, thonë kritikët, profesor Pipa zbuloi se Dante ishte për Montalen jo vetëm thjesht një model gjuhësor por edhe një shembull i përsosur poetik. Dhe Pipa nuk përpiqet të nxjerrë përfundime të tjera, duke thënë se nuk dëshironte t’i kalonte caqet që i kishte vëne vetes që në fillim të studimit; të përcaktonte përmasat e ndikimit të Dantes tek Montale dhe të interpretonte poezinë e Montales duke iu referuar Dantes.

Fakti që edhe sot pas më shumë se 30 vjetësh, libri “Montale and Dantes” vazhdon të cilësohet nga kritika si një nga studimet me të thella e më të hollësihme rreth poetit të madh italian, tregon se Arshi Pipa doli i suksesshëm në këtë sipërmarrje.

Kjo pra është shkurtimisht historia e librit Montale and Dante; një studim i mirefilltë; vepër e një autori nga Shqiperia, rreth një Nobelisti nga Italia, shkruar në një vend si Amerika.

“Agime që nuk shifen
por vec ndigjohen.
Gjum, ankth, andrra që shkrifen
trembshëm…ngatërrohen.”


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama